English

Si do të falen gjobat tatimore ndaj biznesit

O.Manjani - Qeveria do të falë të gjitha gjobat e vëna nga tatimet ndaj biznesit në periudhën 1 Mars deri në 31 Gusht të vitit 2013. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ka hartuar një projekt, që parashikon faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave, që i janë vendosur biznesit gjatë kësaj periudhe. Projekti ka përfunduar dhe është firmosur nga ministri Arben Ahmetaj. Ndërkohë kanë nisur diskutimet Ministrinë e Financave dhe brenda pak ditëve drafti do të kalojë në për miratim në Këshillin e Ministrave. 
Çfarë falet dhe cilat përjashtohen
 Në relacionin e projektligjit është përcaktuar që të gjithë personat juridikë e fizikë, të regjistruar si tatimpagues në administratën tatimore, përfitojnë faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave të vendosura nga inspektorët tatimorë nëpërmjet kontrolleve   apo verifikimeve tatimore të çfarëdo lloji, të kryera nga data 1 Mars deri në datën 31 Gusht 2013. Por, përjashtohet nga falja masa e tatimit e vendosur nëpërmjet kontrolleve ose  verifikimeve tatimore të çfarëdo lloji, të kryera në këtë periudhë. 
Në Nenin 5 “Përjashtimet nga falja” të këtij projektligji thuhet se “Përjashtohet nga falja e çdo dënimi administrativ (gjobë) të përcaktuar sipas Nenit 3 të këtij Ligji, masa e tatimit e vendosur nëpërmjet kontrolleve ose verifikimeve tatimore të çfarëdo lloji, të kryera nga data 1 mars 2013 deri më datë 1 Gusht 2013; Përjashtohen nga falja e parashikuar në nenin 3 të këtij Ligji, dënimet administrative në formën e gjobave, të llogaritura dhe regjistruara automatikisht nga sistemi informatik i tatimeve për shkak të shkeljeve   të dispozitave të Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për Proceduart Tatimore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar. 
Kush i përcakton gjobat që falen
 Këtë proces “amnistie” dikasteri i Zhvillimit Ekonomik e cilëson si vënie në vend të ligjshmërisë, që është cenuar nga veprimet abuzive të administratës fiskale ndaj biznesit për presion elektoral. Ministria e Financave do të llogarisë totalin e dënimeve administrative në formën e gjobave që administrata fiskale ka vendosur ndaj biznesit nga 1 Marsi deri në 31 Gusht të vitit të kaluar. Ndërkohë, fshirja e dënimeve të Administratës Tatimore (gjoba) nga sistemi do të kryhet brenda 5 muajve, që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij projektligji. 
Përgjegjëse për këtë do të jetë Administrata Tatimore, e cila do të pasqyrojë këtë procedurë edhe në regjistrat e saj Për zbatimi e këtyre proceduarave, sipas këtij projektligji, do të ngarkohet Ministria e Financave. Sipas relacionit mësohet se, në Nenin 6 është përcaktuar që “Nxjerrja e akteve nënligjore të këtij” të këtij projektligji. Në këtë nen thuhet se “Ministri i Financave nxjerr udhëzim për zbatimin e këtij Ligji”. Ndërsa, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të jetë institucioni përgjegjës për çlirimin e biznesit nga barra e tatimeve të fushatës së vitit të shkuar.  
 Dhoma e Tregtisë  
Nikolin Jaka: Vendim i mirëpritur nga biznesi  
  Kreu i Dhomës i Kombëtare së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, duke komentuar për gazetën “Shekulli”, vlerëson maksimalisht vendimin e qeverisë për fjalen e gjobave që janë vënë ndaj biznesit në periudhën e fushatës dhe menjëherë pas zgjedhjeve. “E vlerësojmë maksimalisht çdo vendim të qeverisë për të falur gjobat dhe aq me tepër gjobat që janë vënë në kohë fushate elektorale. Ky ka qenë një nga premtimet e qeverisë që në fushatën eleketorale edhe është një vendim i mirëpritur për të gjithë biznesin”- thotë Jaka.  
 Strategjia e biznesit dhe investimeve, si do nxitet punësimi 
  Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, mblodhi dje tryezën e konsultimit të Draft Strategjisë së Biznesit dhe Investimeve 2014 – 2020. Kjo Draft Strategji përbën dokumentin bazë për evidentimin dhe zbatimin e politikave kombëtare për zhvillimin e biznesit dhe investimeve dhe është pjesë përbërëse e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.
 Në fjalën e tij para grupeve të biznesit ministri Ahmetaj theksoi se, “Misioni i kësaj strategjie është “Për një Shqipëri konkurruese”. “Shqipëria synon të arrijë në 2020 një vend që zhvillon dhe përmirëson klimën e biznesit dhe SME-ve, nëpërmjet një tregu të hapur konkurrues, një industri dinamike dhe eksporte konkurruese. Kjo strategji me masat dhe aktivitetet e saj do të kontribuojë në bërjen e Shqipërisë një destinacion tërheqës për investimet e huaja. 
Kjo strategji pasqyron vendosmërinë e Qeverisë Shqiptare për të përqafuar qasjet e guximshme të politikave të nevojshme për të arritur nivelet e rritjes social- ekonomike me qëllim përmirësimin e mirëqenies së të gjithë qytetarëve. Nëpërmjet draft Strategjisë së Biznesit dhe Investimeve synohet që deri në vitin 2020, të arrihet një rritje të ndërmarrjeve aktive në treg me 10.6%; rritje e numrit të të punësuarve me 34%; rritje të eksporteve me 67,7 % dhe rritje të IHDve me 46%.”-tha Ahmetaj. Qëllimi i Strategjisë është që të krijojë një ekonomi sociale për shekullin e 21-të, që të jetë konkurruese, inovative, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. 

KOMENTE