English

Tarifat dysheme, për pasuritë shtetërore që jepen me qira

Përcaktohen tarifat dysheme për ndërtesat që do të jepen me qira në të gjithë vendin. Pasuritë shtetërore që jepen me qira, ndërtesat, sipërfaqet funksionale, jo nën ndërtesë, trualli i lirë, makineritë, pajisjet e linjat e prodhimit të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital 100 % shtetëror, do të kenë çmime të përcaktuara nga qeveria në bazë të metrave katrorë dhe zonës ku ndodhen. Për marrjen e një objekti me qira duhet konfirmimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për pronësinë shtetërore të objektit dhe truallit, si dhe nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për vendimet që mund të ketë dhënë për njohje ose kthim prone. Në rastet kur pasuria, që jepet me qira, është në administrim të shoqërive shtetërore, nuk është e nevojshme të kërkohet konfirmimi nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në rastet e propozimit për dhënien me qira të objektit, përveç dokumentacionit të sipërpërmendur, duhet të specifikohet edhe vlera kontabël e pasurisë, sipas llogarive financiare në fund të vitit paraardhës.

Dokumentet

Në vendimin e qeverisë për dhënien e objekteve me qira janë përcaktuar edhe dokumentet që duhet të plotësojë aplikanti. Dokumentacioni për marrjen me qira, që paraqesin konkurrentët, i dorëzohet komisionit në orën e hapjes së konkurrimit dhe përmban: kërkesën e subjektit për marrje me qira të pasurisë shtetërore, planbiznesin e hollësishëm për vënien në funksionim të objektit, ku të përshkruhen qartë, plani i punësimit, plani i investimeve, si dhe treguesit që do të realizohen, ofertën për vlerën e detyrimit mujor të qirasë, certifikatën e regjistrimit dhe certifikatën historike të regjistrimit të subjektit në QKR, vërtetimin nga dega e tatimeve se subjekti ka shlyer detyrimet tatimore dhe sigurimet shoqërore, vërtetime nga institucionet përkatëse që nuk është në ndjekje penale, si dhe nuk ka procese gjyqësore në lidhje me aktivitetin.

Pagesat

Për pasuritë shtetërore që jepen me qira, vlera dysheme e detyrimit mujor përcaktohet si shumë e vlerës së qirasë mujore për ndërtesën dhe sipërfaqen funksionale, të llogaritura si më poshtë. Tarifat dysheme të qirasë mujore për ndërtesat janë sipas çmimeve të përcaktuara në listën që publikohet e plotë nga gazeta. Për sipërfaqen funksionale, tarifa dysheme e qirasë mujore është 20 për qind e tarifës dysheme të detyrimit mujor, të përcaktuar për ndërtesat. Trualli nën ndërtesë (objekti) përfshihet në tarifën e qirasë së ndërtesës. Kur jepet me qira truall i lirë, pra kur jepet me qira vetëm truall, tarifa dysheme e qirasë mujore është 100 lekë/m2. Për pasuritë e institucioneve shtetërore apo të shoqërive shtetërore me karakter kombëtar (kulturor, historik, muzeor, arkeologjik), të shpallura të tilla me akte ligjore, tarifa dysheme e detyrimit mujor, e përcaktuar më sipër, shumëzohet me 2. Ndërsa, kur ndërtesa është me dy ose më shumë kate, për efekt të llogaritjes së qirasë mujore, do të merret parasysh sipërfaqja e çdo kati. Për objektet voluminoze, si: rezervuarët, depozitat dhe siloset, që jepen me qira me qëllim tregtimi brenda vijave kufizuese të qyteteve: Tiranë, Berat, Durrës, Fier, Korçë, Lushnjë, Pogradec, Sarandë, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër, Kavajë, Krujë, Laç, Lezhë, tarifa dysheme e qirasë është 400 lekë/m3 në muaj, ndërsa jashtë vijave kufizuese të qyteteve të sipërpërmendura, si dhe në të gjitha zonat e tjera tarifa e qirasë është 200 lekë/m3 në muaj shkruan e përditshmja Shekulli.

Tabela

Prefektura Specifikimi territorial Tarifa dysheme

Berat Në Bashkinë Berat 100

Jashtë Bashkisë Berat 50

Dibër Në Bashkinë Dibër 75

Jashtë Bashkisë Dibër 50

Durrës Brenda Bashkisë Durrës 200

Jashtë Bashkisë Durrës 150

Gjirokastër Brenda Bashkisë Gjirokastër 75

Jashtë Bashkisë Gjirokastër 50

Elbasan Brenda Bashkisë Elbasan 150

Jashtë Bashkisë Elbasan 75

Fier Brenda Bashkive Fier, Lushnjë 150

Jashtë Bashkive Fier, Lushnjë 100

Korçë Brenda Bashkisë Korçë 150

Jashtë Bashkisë Korçë 75

Lezhë Brenda Bashkisë Lezhë 150

Jashtë Bashkisë Lezhë 100

Kukës Brenda Bashkisë Kukës 75

Jashtë Bashkisë Kukës 50

Shkodër Brenda Bashkisë Shkodër 150

Jashtë Bashkisë Shkodër 100

Vlorë Brenda Bashkisë Vlorë 200

Jashtë Bashkisë Vlorë 100

Tiranë Brenda Bashkisë Tiranë 300

Jashtë Bashkisë Tiranë 150

KOMENTE