Illo Foto/ Studiues New York - Më 11 dhjetor, ministri i Bujqësisë, zoti Edmond Panariti dha një intervistë në “Gazetën Shqiptare”. Ky shkrim ishte në vetvete politika bujqësore e qeverisë, por i argumentuar shkencërisht, për t’u zbatuar në praktike nga kabineti ministror i kryesuar nga profesor Panariti. Përmbajtjen e këtij shkrimi unë e quaj Platforma “Panariti”, sepse është marrë përsipër ta zbatojë kabineti i kryesuar prej tij. Të tërë ish-kryetarët e kabineteve qeveritare shqiptare kanë bërë të tëra përpjekjet për të dhënë maksimumin e ndihmës shtetërore për zhvillimin e bujqësisë. Qeveritë që nuk zbatuan politika konkrete bujqësore janë qeveritë që kanë qeverisur vendin, nga viti 1990 deri më 2013. Këto qeveri, zhvillimin bujqësor ia lanë spontanitetit.
Në shtyp gjen shkrime për dëmet e shkatërruara në industri, miniera, në sferën ekonomike të Ministrisë së Mbrojtjes, në financat etj.. Këto dëme vërtet kanë ndodhur, por dëmet që i ka shkaktuar bujqësia ekonomisë, janë më shumë se të gjitha dëmet e shkaktuara nga sektorët e tjerë ekonomikë të marrë së bashku. Ndonjë ditë qeveria do ta publikojë këtë diagramë të katastrofës ekonomike 23 vjeçare. Ministra të Bujqësisë dhe të Mjedisit të periudhës postkomuniste, u pajtuan me politikën e indiferentizmit qeveritar ndaj bujqësisë. Ministrat e fundit, Mediu dhe Ruli, flisnin për suksese të dikastereve që drejtonin, kur pyjet arritën në nivelin 1:5 në favor të prerjeve.
Toka e papunuar mbeti në nivelet mbi 24 % të tokës arë dhe importi ushqimor kapte ¼ e buxhetit të shtetit. Paraardhësit e Panaritit e kanë njohur realisht gjendjen, por ia fshehën popullit, duke krijuar një platformë false që u quajt teoria e ullinjve dhe arrorëve. Në asnjë fjalim ish- ministri, ose ish-kryeministri nuk zihej në gojë fjala “tokë bujqësore”, as prodhim, as pronë, as treg i tokës.Cila është përmbajtja e platformës bujqësore “Panariti”? Kjo platformë, jo vetëm vë gishtin në plagë, por përcakton terapinë e shëndoshjes së organizmit bujqësor. Sipas kësaj platforme, toka bujqësore, kullimi dhe ujitja e saj, do të jenë prioritet absolut i dikasterit bujqësor.
Do të jepen certifikatat e pronësisë, duke u riparuar, për sa është e mundur, efekti negativ i ligjit famëkeq nr. 7501. Krijimi i shoqërive aksionere dhe zmadhimi i fermës do të jetë një ndër masat organizative që do të nxisin prodhimin e madh dhe modern. Do të mundësohet të funksionojnë ekonomi fermere me deri 1000 ha. Kontrolli i pastërtisë së ushqimit do të fillojë në terrenin prodhues dhe do të përfundojë në treg. I përmenda vetëm si tituj, sepse për secilin titull, pason një e më shumë studime që presin zbatim. Platforma “Panariti” është suksesi më i madh për fshatarësinë shqiptare në këto 23 vite demokraci. Është sukses edhe i shkencës, i specialistëve, i të tërë ekonomisë aktuale shqiptare, që ndihet e pasigurt dhe ineficente. Këto janë detyra shumë të vështira, por jo të pamundura. Po qe se nuk shëndoshen këto plagë, bujqësia nuk del nga kolapsi ku ka rënë për keqmenaxhimin shtetëror.
Njeriu kryen aq detyra sa i vë vetes, mbështetur me atdhedashuri. Shembujt e zhvillimit të shëndetshëm bujqësor nuk kanë munguar. Agronomi i talentuar Dhimo Koti, arriti që në komunën që ai drejton, prej vitesh, të krijojë shoqëri aksionere bujqësore duke siguruar prodhim të qëndrueshëm bujqësor. Emigrantët e komunës u kthyen në vatrat e tyre, duke e bërë vendlindjen një kopësht të lulëzuar, midis bujqësisë së shkrumbosur berishiane. Një shembull tjetër pozitiv është bujqësia kosovare. Kosovarët punojnë mirë me token, ujërat dhe me drithin. Kanë arritur të tejkalojnë Serbinë, për rendimentin e grurit. Këta dy shembuj tregojnë qartë se platforma “Panariti” nuk ka asgjë euforike; ajo është tërësisht realiste, në të gjitha detajet që shtron për zgjidhje. Është absolutisht platforma më e qartë dhe më e mbështetur shkencërisht.