“I kam vrarë pak pas mesdite. Më pas i kam marrë trupat dhe i kam hedhur në makinë; njërin në bagazh dhe tjetrin në sediljen e pasme. Kam marrë makinën dhe e kam çuar në një vend që mos të binte në sy në oborrin e shtëpisë sime me gjithë trupat brenda. Nuk dija se çfarë të bëja me ta dhe kam thirrur në telefon kushëririn e gruas time. I dogja se doja që të mos lija gjurmë”. Ky është rrëfimi i Odise Verbofshit, 33-vjeçarit durrsak, i cili, dje, u rikthye në vendin e krimit për të rindërtuar edhe njëherë skenën e vrasjeve për grupin e hetimit.
Referuar të dhënave të policisë së qytetit bregdetar, autori i krimit ka kryer krimin shumë orë para se sa është pretenduar fillimisht nga i arrestuari si bashkautor, i cili, me sa duket, nuk ka qenë në dijeni të aktit horror të kryer nga i njohuri i tij. Vrasësi e ka nisur rrëfimin pikërisht në vendin ku ka kryer edhe vrasjet, ndërsa grupi hetimor i përbërë nga ekspertët më të mirë të policisë dhe prokurorisë së Durrësit janë shtangur nga mënyra se si ka rrëfyer aktet.
33-vjeçari, pasi ka fshehur makinën me dy trupat e pa jetë është kthyer në shtëpi dhe ka qëndruar për orë me radhë në vendin e vrasjes, i vetëm, derisa ka kryer edhe hartimin e planit me veten. Sipas të dhënave të besueshme që vijnë nga Durrësi ai nuk ka pranuar se ka bashkëpunëtor tjetër në atë krim dhe nga mënyra se si e ka rrëfyer ngjarjen ai ka bindur se ka qenë krejtësisht i vetëm në atë akt të padëgjuar më parë.
Kthim në vendin e krimit
Pas arrestimit nga Policia e Korçës, Odise Verbofshi është marrë në pyetje nga hetuesit e çështjes në policinë e Durrësit. Ai fillimisht ka refuzuar të flasë përveç faktit që është shprehur i penduar për gjithçka ka bërë si dhe është mbrojtur me idenë se i kishte vrarë nga frika se do ta vrisnin ata. Pas këmbënguljes disa orëshe të grupit të hetimit, 33-vjeçari durrsak, i cili del si person me një profil të frikshëm, ka nisur të rrëfejë gjithçka ka ndodhur në banesën e tij mesditën e së enjtes, teksa Shaban Babasi dhe Albert Kasalla kanë mbërritur aty për të blerë sasinë e lëndës narkotike që gjendej në shtëpinë e Verbofshit.
I riu durrsak ka shpjeguar gjithë skenën e krimit brenda banesës së tij, duke iu treguar grupit të hetimit dhe mënyrën se si i kishte ekzekutuar. Sipas tij ai fillimisht ka qëlluar nga pas, me plumb në kokë, Albert Kasallën dhe po me tek plumb në ballë ka qëlluar edhe Shaban Babasin. Gjatë rrëfimit Verbofshi iu ka thënë grupit të hetimit se dy djemtë nga Fushë-Kruja kanë qenë të armatosur, duke pretenduar që të dyja armët që janë gjetur në banesën e tij kanë qenë të tyre. Armën me të cilën ka kryer dy vrasjet, ai e ka marrë me vete në rrugëtimin në drejtim të Devollit dhe se sipas tij e ka hedhur në mal, por tha se nuk mbante mend vendin.
Prishja në pazar
Nga sa iu ka rrëfyer Verbofshi, policia dhe prokuroria kanë mbërritur në konkluzionin se në të vërtet dy djemtë nga Fushë- Kruja kanë ardhur për ta blerë sasinë e lëndës narkotike dhe se gjatë bërjes së pazarit për vlerën e kilogramit ata janë prishur. Vlera për të cilën nuk kanë rënë dakord të rinjtë në pazarin e lëndës narkotike, gjithnjë sipas vrasësit ka qenë krejt e papërfillshme, pasi bëhej fjalë për rreth 2 mijë euro, që të jetë shuma për të cilën djemtë kanë tentuar të ia ulin pazarin. Shuma është qesharake për të justifikuar një krim të tillë, ndërkohë që grupi i hetimit ka nisur të marrë dëshmitë e njerëzve të Verbofshit për të mësuar më shumë në lidhje me karakterin e tij prej vrasësi të ftohtë.
Për të vërtetuar thëniet e tij në lidhje me faktin që dy të rinjtë nga Kamberas i Fushë-Krujës kishin ardhur në shtëpinë e tij për të blerë lëndën narkotike, grupi i hetimit do të vijojë me marrjen e të tjera dëshmive, ndërsa bëhet me dije Verbofshi iu ka treguar se sasinë e lëndës narkotike e siguronte nga një grup të cilëve ua merrte pa para në dorë dhe ua kthente lekët vetëm atëherë kur e shiste sasinë e marrë. Nuk dihet se prej sa kohës kishin nisur të kryenin marrëveshje në fushën e tregtimit të lëndës narkotike, ndërsa Verbofshi ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë në Itali, duke mos u lejuar që të shkelë në tokën e tyre për plot pesë vite.
Kronologjia e krimit horror në Shkozet
Masakra e kryer nga Odise Verbofshi që u zbulua pas vënies së flakës së një makine në zonën e ish-Kënetës, tashmë thuajse është zbardhur plotësisht nga policia dhe prokuroria e Durrësit. Nga rindërtimi i ngjarjes i kryer dje, është fiksuar se djemtë nga Kamberasi kanë mbërritur në Durrës rreth mesditës së të enjtes. Janë takuar me një shok dhe më pas janë nisur në drejtim të banesës së Odise Verbofshit, ku edhe kishin planifikuar të blinin një sasi lënde narkotike, sasi të cilën Verbofshit iu gjet në raftin e rrobave, në shtëpinë ku banonte me gruan dhe fëmijën e tij të vogël. Pasi kanë qëndruar pak kohë në sallonin e shtëpisë së Verbofshit, djemtë kanë parë lëndën narkotike që do të merrnin, e cila ka rezultuar të jetë marijuanë kanë nisur të bëjnë edhe pazarin mes tyre.
Durrsaku ka këmbëngulur që lënda nuk mund të shkulej nga aty poshtë 300 euro për kile, pazar që është kundërshtuar nga dy blerësit. Verbofshi iu ka thënë hetuesve të çështjes se ata kërkonin që ta merrnin me 270 euro kilogramin dhe pasi sipas tij, ky nuk ka pranuar të bëjë ulje ata e kanë gjuajtur me grushte. Gjithashtu vrasësi iu ka thënë se ata kishin që të dy armë me vete dhe ka patur frikë se do ta vrisnin. Ai i ka qëlluar me tek plumb në kokë dhe, pasi i ka vrarë, ka treguar se i ka mbështjellë me batanije dhe i ka hedhur në makinën me të cilën të rinjtë kishin udhëtuar nga Fushë-Kruja.
E ka marrë mjetin dhe e ka çuar në një vend të fshehtë me idenë që mos të zbulohet krimi. Është kthyer në banesë dhe ka qëndruar i vetëm deri rreth orëve të vona të mbrëmjes. Atëherë ka shkuar në vendin që kishte lënë makinën me trupat e pajetë, i ka telefonuar 20-vjeçarit Gazep Pili dhe është nisur në drejtim të ish-Kënetës për t`i djegur, që të shmangte gjurmët/Shekulli/