English

Drejtuesit e autoveturave 8+1, protestë në të gjithë vendin

Drejtuesit e autoveturave 8+1 po zhvillojnë këtë të mërkurë në mënyrë të koordinuar një protestë kombëtare të shtrirë në të gjithë vendin, për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë që rruga e kthimit të jetë pa pasagjerë.

Drejtuesit e furgonave kanë bllokuar qarkullimin në rrugën Tiranë-Elbasan për rreth një orë në shenjë proteste, ndërkohë që të njëjtën gjë kanë bërë edhe drejtuesit e furgonave në akse të tjera kombëtare.

Eshtë bllokuar një krah i autostradës Kukës-Tiranë, rruga nacionale në Qafë Plloçë. Mësohet se në Qafë Plloçë radha e furgonave shkon në disa kilometra.

Edhe në Vlorë është bllokuar një krah i rrugës në hyrje të qytetit. Në protestën e Fushë Krujës janë mbledhur taksitë 8+1 nga Tirana, Laçi dhe Kruja. I bllokuar është edhe aksi nacional Shkodër-Tiranë tek ura e Bahçallëkut.

Në Elbasan drejtuesit e furgonave janë mbledhur në qendër të qytetit për të vijuar protestën e tyre. Protesta e Taksive vijon edhe në Burrel, Berat, Kuçovë, Fier dhe Durrës

Sipas drejtuesit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Gëzim Kalaja thotë kjo do të jetë një protestë miting në të gjithë Shqipërinë, sepse nga kjo situatë e krijuar janë prekur 20.000 drejtues të autoveturave në të gjithë vendin.

Ndërkohë, nëse deri ditën e premte nuk ka një reagim nga Qeveria dhe Ministria e Transporteve, drejtuesit e furgonave do të zhvillojnë një protestë të përgjithshme përpara Kryeministrisë/Top Channel/

KOMENTE