English

Edi Rama në prezantimin e Strategjisë Kombëtare “Punësim dhe Aftësi 2014- 2020"

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e Strategjisë Kombëtare “Punësim dhe Aftësi 2014- 2020”:

Përshëndetje të gjithëve!

Besoj që nuk them asgjë të re, në qoftë se e nis këtë fjalë timen me një bindje të vjetër; Shqipëria nuk ka vuajtur asnjëherë për strategji, por ka vuajtur pikërisht për jetësimin e tyre. Problemi kryesor i yni nuk ka qenë mungesa e legjislacionit, përshtatja e legjislacionit të BE apo dhe mungesa e planeve të shkruara në letër, por mënyra e zbatimit të tyre.

Ndaj për ne është fare e qartë; më shumë punë dhe më pak strategji.

Megjithatë, ajo që dua të theksoj sot është se jemi në kushtet kur një ministri fort e rëndësishme për kohën që jetojmë, në mënyrë të veçantë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë prezanton një strategji që është mjet dhe nuk është qëllim. Është një start dhe jo një fund, i një rruge të parashikuar për t’u përshkuar si një stafetë me rezultate të matshme, me arritje konkrete, në lidhje me qëllimin, i cili në këtë rast është një qëllim madhor: Rritja e punësimit. Besoj që ky prezumim se kjo strategji është mjet dhe jo qëllim, bën edhe diferencën në një kohë kur është mbyllur, ne besojmë, një kapitull i historisë sonë të përbashkët të këtyre viteve të tranzicionit, ai i rritjes ekonomike, pa punësim.

E, kur më shumë se për çdo gjë tjetër kemi nevojë për një ekonomi prodhuese që krijon vende të reja pune. Për një model të ri zhvillimi ekonomik, ku rritja ekonomike përkthehet në vende të reja pune dhe ku shifrat e rritjes nuk mbeten kode të pakuptueshme për ata të cilët kërkojnë vende të reja pune.

Hapja e vendeve të reja të punës mbetet prioriteti ynë më i madh. Për këtë arsye, sforcoja jonë më e madhe është përqendruar tek ndryshimi përmbajtësor i modelit të zhvillimit ekonomik.

Kryesfida jonë, ajo që do t’i hapë rrugë këtij zhvillimi, është lufta me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Kryereforma jonë, ajo që do të sigurojë bazën e këtij zhvillimi, është reforma territoriale administrative.

Padyshim, kryearritja jonë do të jetë të sigurojmë punësimin në rrugën e zhvillimit.

Ndaj dhe strategjia që prezantohet sot, besoj se meriton vëmendje dhe respekt, pikërisht, sepse gërsheton shumë ndjeshmëri. Bashkëpunim intensiv me partnerët ndërkombëtarë; punë të mirëfilltë studimore; shumë punë në terrenin konkret të realitetit shqiptar. E mbi të gjitha një vizon të qartë për punësimin.

Ne marrim një zotim madhor; të rrisim punësimin, ndër të tjera, duke rilindur arsimin profesional dhe duke e riorientuar të gjithë përpjekjen në drejtim të arsimit profesional, drejt nevojave reale të tregut të punës në Shqipëri. Kjo strategji, besoj një ndër gjërat më të rëndësishme ka, pikërisht, lidhjet e punësimit me arsimin profesional, diçka jo e re për botën e zhvilluar, por diçka e re për Shqipërinë.

Kjo është një strategji që e vë më së miri në kontekstin tonë një thënien e famshme e shkrimtarit anglez Herbert George Wells që thotë se: “Historia po bëhet çdo ditë e më shumë një garë mes arsimimit dhe katastrofës.”

Nuk është kjo hera e parë në Shqipëri që arsimi profesional diskutohet si një mjet për rritjen e punësimit dhe zhvillimin e vendit. Por, unë besoj se është hera e parë në Shqipëri që kjo temë nuk mbetet vetëm në rrafshin e diskutimit, por shtrihet më së miri në një projekt strategjik që konsideron me objektivitet eksperiencën e dështuar të së shkuarës. Nëse deri sot, sfida e arsimit profesional ka mbetur një sfidë e pa arrirë, sot ne, besoj se, së paku në qasje i japim përgjigje pikëpyetjeve, të cilat janë rritur vit pas viti, në përpjekjen e dështuar për ta kthyer arsimin profesional në një instrument të zhvillimit ekonomik me punësim.

Nëse do t’i kthehesha përsëri thënies që sapo përmenda, të “Historisë, si një garë mes arsimimit dhe katastrofës”, do të shkoja pak më tutje, duke thënë se, nëse nuk i japim modelit tonë të zhvillimit ekonomik, përmasën e rritjes me punësim, jemi të destinuar që të shkojmë përditë e më shumë drejt një shoqërie që është pre e tensioneve dhe e konflikteve.

Në këtë kuptim, kjo strategji e punësimit që sot prezantohet vlen të shihet me vëmendje si një moment reflektimi dhe ndryshimi i kursit të qeverisjes ekonomike të këtij vendi. Pasi në të lexohet një tjetër synim shumë i qartë që është kohezioni social, që konkretisht në shpërfaqjen e projektit strategjik do të thotë:

-Masa për ndërtimin e rrjetit të arsimit profesional, pa harruar, madje duke vënë fokusin tek zonat rurale;

-Mundësi të shtuara për arsimimin profesional të grave e vajzave;

-Mbështetje për sipërmarrjen sociale dhe sipërmarrjes së grave dhe vajzave;

-Ripërtëritjen e shërbimit të punësimit;

I cili faktikisht me zyrat e para të hapura në dy qytetet kryesore të vendit, Tiranë dhe Durrës, ka filluar të gjenerojë një dinamizëm të ri dhe të krijoje nje bazë të parë edhe pse ende shumë të brishtë të besimit se këto zyra mund të kthehen në pikëtakime reale mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve. Gjithashtu një tjetër element që në këtë strategji vlen të shihet si një tjetër reflektim mbi eksperiencën e dështuar të së shkuarës është vendosja në qendër të strategjisë, e sektorit privat, si një partner themelor në sigurimin e zhvillimit të vendit me punësim.

Mendoj që nuk është e pakët, përkundrazi është inkurajuese që të kemi një projekt strategjik, ku qeveria ndan vendin kryesor me sektorin privat. E ku qeveria njeh kufirin e vet, duke njohur në të njëjtin kohë partneritetin me sektorin privat, si një partneritet mes të barabartësh; mes forcash komplementare që nuk synojnë të dominojnë njëra-tjetrën, por që bashkërendojnë kompetencat dhe tiparet e ndryshme mes njëra-tjetrës për t’i dhënë rrugë në interesin e përbashkët një zhvillimi të bazuar tek sinergjia mes qeverisjes ekonomike dhe sektorit privat.

Nga ana tjetër strategjia që kemi përpara nuk lë ekuivok në idenë se mirëpërdorimi i fondit për arsimin profesional dhe punësimi, është një tjetër element bazë që mund të bëjë ose jo diferencën.

Ajo që mbetet pjesë e sfidës së ditës që vazhdon pas prezantimit të strategjisë për të mos lenë që kjo strategji t’i shtohet malit të dokumenteve të shkruara, e që më pas kanë marrë vetëm pluhurin e kohës dhe jo vëmendjen e qeverisë për t’u transformuar në realitet konkret, është monitorimi. Monitorimi konstant i rezultateve dhe vlerësimi i arsimit profesional si nga cilësia, ashtu dhe nga mundësia e zhvillimit të dhënë për individin. Përveçse vlerësimit për nga numri i shkollave dhe zanateve në të cilat ofrohet trajnim apo arsimi i mirëfilltë profesional.

Ka një ambicie të madhe në këtë strategji për të krijuar kushtet për shumëllojshmëri zgjedhjesh, për sa i përket arsimimit në zanate dhe kjo për vendin tonë është posaçërisht e rëndësishme, besoj unë, për tre arsye kryesore:

E para, sepse shifrat janë alarmante lidhur me të rinjtë. Shifrat thonë se 31% të rinjve nuk janë as në punë e as në shkollë, qoftë kjo shkollë e përgjithshme apo shkollë profesionale. 31%!

E gjitha kjo në një realitet shqiptar ku nga ana tjetër të mos harrojmë, ata që janë në shkollë, janë të kanalizuar në një numër të kufizuar degësh dhe ata që janë të papunë, janë doktorë shkencash, janë posedues masterash dhe medaljesh, që në të shumtën e herës nuk kanë asnjë vlerë.

E dyta, sepse ne nuk mund ta harrojmë dhe besoj që një vlerë e kësaj strategjie është që nuk është harruar është se: ‘Vendet nuk janë të pasura sepse kanë, janë të pasura sepse dinë.’ E nëse shohim diferencat mes vende të zhvilluara, atyre në zhvillim apo atyre të pazhvilluara, ka një element themelor që bën dallimin; Dija. Kush di më shumë, ka më shumë. Kush di më pak, ka më pak. Nuk janë burimet natyrore, pasuritë që i ka falur Zoti, apo natyra, për ata që nuk besojnë në Zot, kamjen dhe mirëqenien e një vendi.

Vende me pasuri shumë relevante për madhësinë dhe për numrin e popullsisë së tyre dergjen në varfëri dhe vende me pasuri më pak relevante lulëzojnë. Diferencën e bën dija. Dija dhe diversifikimi. Prandaj, ne, jo vetëm me këtë bindje, por edhe me besimin se në fund të fundit pasuria më e madhe jona, - që jemi një vend i pasur, nuk jemi një vend i varfër në burime natyrore, - është kapitali njerëzor, duhet dhe do të fokusohemi me “mish e me shpirt” tek rritja e cilësisë së këtij kapitali, i cili, i aftësuar në një seri profesionesh, do të përbëjë zërin më të rëndësishëm të zhvillimit të ekonomisë, eksportin më të rëndësishëm dhe më cilësor të vendit dhe në të njëjtën kohë, duhet të përbëjë veçorinë kryesore të këtij vendi për të tërhequr investime të drejtpërdrejta.

E treta, ne sot jemi përballë një mungese drithëruese në kapacitetin për të ofruar shërbime në një sërë zanatesh. Të mos kemi asnjë iluzion, nëse nuk e mbushim këtë boshllëk, boshllëku do të bëhet i atillë që do të sjellë bllokimin e zhvillimin të vendit në sektorët ku kjo mungesë është sot shumë e ndjeshme dhe nesër mund të jetë paralizuese.

Me ndërlidhjen e arsimit profesional të shoqërisë me punësimin, ne praktikisht krijojmë kushtet për t’i dhënë mirëqenies individuale dhe shoqërore një përmasë konkrete dhe për ta afruar horizontin e shpresës në realitetin konkret të jetës së përditshme, duke mundësuar që mirëqenia individuale të mos jetë një shpresë që duket e paarritshme, por të jetë një perspektivë reale për këdo që ndërmerr rrugën e arsimimit profesional, në kushtet kur nuk mund të vazhdojë rrugën e zhvillimit akademik.

Megjithatë, le të jemi të vërtetë dhe objektiv me veten, kjo strategji është një gur i rëndësishëm themeli, por nuk mund dot të ezaurojë një domosdoshmëri të madhe për masa që ndërlidhin shumë sektorë, që kanë nevojë për përfshirjen e shumë ministrive dhe agjencive shtetërore, dhe të shumë institucioneve dhe partneriteteve në tërësi.

Në këtë kuptim, le të marr një shembull edhe reforma e Maturës Shtetërore, që po shkon drejt sistemit të maturës plus 2. Pra, të krijimit të kushteve për një pjesë të rëndësishme të nxënësve, që mbas maturës të kenë një 2 vjeçar arsimimi profesional, do të forcojë këtë përmasë që ne duam t’i japim shoqërisë.

Por, nga ana tjetër, tregon sesa e rëndësishme është që nëse duam të shkojmë përpara me këtë strategji, ne ta shohim këtë strategji si qendrën e një mozaiku ku duhen vendosur në harmoni me njëri- tjetrin të gjithë gurët e tjerë.

Nga ana tjetër, ne sot jemi më shumë sesa të kënaqur që kemi mundur, pavarësisht vështirësisë së madhe të fillimit të rrugës sonë për shkak të një borxhi të madh publik dhe të një borxhi tjetër të fshehur, që të marrim disa masa radikale për uljen e taksave për 97 % të njerëzve të punësuar në sektorin publik apo privat, të cilat ne besojmë që do të ndihmojnë në uljen e informalitetit në ekonominë e vendit, bashkë me rritjen e tatimit të fitimit për kompanitë, e tatimit të fitimit zyrtar që përbën një shifër më të ulët sesa shumatorja mes tatimit të fitimin zyrtar dhe taksës së korrupsionit që kompanitë vuajtën për vite me radhë, në mënyrë që të jemi në një marrëdhënie shumë të qartë dhe shumë të drejtpërdrejtë më të gjitha palët dhe të krijojmë kushte që nga njëra anë kompanitë të jenë të interesuara dhe t’i kenë mundësitë për të inkurajuar arsimin profesional dhe nga ana tjetër të krijojmë kushte që cilësia e jetesës së njerëzve që i drejtohen zanatit të jetë dukshëm më e mirë sesa cilësia e jetesës së njerëzve që preferojnë një doktoraturë të blerë.

Kemi sfidën të harmonizojmë legjislacioni e punës me legjislacionin e biznesit, politikat financiare me ato të punësimit. Por, duhet të kemi parasysh që ne sot gjendemi në një shkallë vështirësie shumë të lartë por edhe në një territor shumë të virgjër dhe kjo më bën optimist që këto masa mund të na japin një impakt të shpejtë në forcimin e besimit tek sektori privat dhe tek mundësia e gjetjes së një pune dhe rritjes së cilësisë së jetës përmes një zanati.

Së fundi, dua ta mbyll me atë që e preka pak në fillim, me kryereformën tonë që është reforma territoriale, si pjesë e domosdoshme e atij mozaiku për të cilin fola, që ka në epiqendrën e vetë këtë strategji.

Reforma territoriale, ndër shumë gjëra të tjera, do të na mundësojë një decentralizim real dhe për sa i përket arsimit profesional, të përqendruar në Shqipërinë e mesme dhe kryesisht në zonat urbane sot, dhe të shtrirë, sipas natyrës së gjeografisë dhe të zhvillimit nesër në çdo zonë rurale.

Sot, zonat rurale janë jashtë hartës së punësimit, qoftë në veri, qoftë në jug. Shërbimet dhe dijet lokale janë shumë të dobëta, për shkak se zhvillimi është përqendruar në disa pika graviteti dhe jashtë këtyre pikave të gravitetit hapësira të tëra, popullsi të tëra, komunitete të tëra, kanë mbetur jashtë rrugëve të zhvillimit. Prandaj ne e shikojmë reformën territoriale si një kryereformë që do të na japë mundësi të kemi një zhvillim të integruar urban, ekonomik dhe social të vendit. Do na japë mundësi që shumë territore, që sot janë si gjymtyrë të sakatuara dhe të paralizuara të trupit të Shqipërisë, të fillojnë të ripërtërihen dhe trupi i vendit tonë të fillojë të funksionojë si një i tërë, ku natyrisht çdo gjymtyrë ka vendin, ka edhe rolin e vet.

Ajo çka ka ndodhur është se përveç se në vite pjesë të tëra të trupit të vendit janë sakatuar, është ulur në mënyrë dramatike dhe fuqia ripërtëritëse e tyre. Pikërisht, sepse zhvillimi nuk është konsideruar si një tërësi strategjish brenda një projekti të madh strategjik, që është mjeti nuk është qëllimi; është fillimi, nuk është mbërritja; është instrumenti, nuk është arsyeja pse ekziston Qeveria, pse ekzistojnë ministritë, pse ekzistojnë institucionet. Dhe përpos kësaj, zhvillimi ka nevojë për një tërësi masash që nuk kanë asnjë kuptim në qoftë se nuk shtrihen në një rrugë synimesh afatgjata dhe nuk shkëputen nga rruga e zgjedhjeve të radhës. E, si një tërësi ndjeshmërish, në lidhje me një atdhe që është shtëpi e përbashkët në të gjithë territorin e vet, ku fati i secilit është pjesë e fatit të përbashkët.

Ndaj, në fund fare, dua që edhe për inspirimin që më dha shikimi i kësaj strategjie, - gjë që të them të drejtën nuk më ndodh shpesh, madje është hera e parë që ndodh kur shoh një strategji,- të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në shtrirjen e këtij dokumenti, të falënderoj Ministrin, të falënderoj Zv/ministren, të falënderoj skuadrën e re të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, të falënderoj partnerët ndërkombëtarë. Kjo është një provë që me partnerët ndërkombëtarë mund të bëhen shumë punë të mira dhe nuk është e thënë që të bëhet gjithmonë po ajo punë që, në fakt, zë njerëz me punë, por duket si punë pa punë. Por, mesa duket, partnerët kanë nevojë për partnerë dhe tek Ministria e Mirëqenies Sociale e kanë gjetur partnerin dhe kështu që produkti është, besoj unë, një risi në rrugën e shpenzimit të kohës dhe parave për të bërë strategji.

Por duhet të falënderoj në mënyrë të veçantë edhe përfaqësuesit e sipërmarrjes, të sektorit privat, që janë bërë pjesë e kësaj përpjekjeje dhe që ne kemi detyrimin të mos i zhgënjejmë, por realisht t’ua njohim dhe t’ua japim jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, rolin e munguar të partnerit të qeverisë, në përpjekjen për zhvillimin ekonomik me punësim.

S’kemi asnjë rrugë tjetër, përveçse të luftojmë të gjithë së bashku kundër një mentaliteti që punësimin e lidh me shtetin dhe kundër një parazitizmi të përgjithshëm që shtetin e lidh me mundësinë për t’u bërë drejtor dhe për të marrë një pension në formën e një rroge, që nuk nënkupton sfida, nuk nënkupton rezultate, nuk nënkupton llogaridhënie dhe në fund fare, nuk nënkupton efektshmëri.

Kjo është baza që ne duhet të ndryshojmë, duke i dhënë gjithë rëndësinë që i takon sektorit privat. Duke u bërë mbështetës të zjarrtë të çdo sipërmarrje që krijon vende pune apo që synon të krijojë vende pune, për t’i kthyer këto mjedise në mjedise ku rritet padyshim kapitali i çdo ndërmarrje përveç fitimit, po ku rritet dhe kapitali njerëzor i vendit tonë. Pa e harruar asnjëherë se kapitali njerëzor është jo vetëm pasuria më e rëndësishme që një vend si Shqipëria ka, por është edhe ajo pjesë e pasurisë së një vendi që përcakton nëse një vend është i zhvilluar apo përpëlitet në rrugën e një zhvillimi të paqëndrueshëm.

Edhe njëherë shumë faleminderit për mundësinë që më dhatë, që të flas me pasion për një strategji. Nuk kisha besuar se kjo mund të ndodhte ndonjëherë.

***

Nisi udhën sot “Strategjia Kombëtare për Punësim e Aftësi 2014-2020″, fryt i punës së Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në bashkërendim me partnerë ndërkombëtarë dhe institucione të tjera.

Strategjia Kombëtare do të ofrojë një qasje të re ndaj çështjes së punësimit në vend, nëpërmjet një vizioni krejt të ri dhe qartë për çka do të bëhet.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Edi Rama theksoi, se hapja e vendeve të reja të punës mbetet prioriteti më i madh i qeverisë.

Kryeministri, theksoi se zhvillimi i arsimit profesional dhe lidhja e tij e ngushtë me punësimin, si dhe partneriteti i ngushtë me sektorin privat, do të jenë kyçi i suksesit të kësaj strategjie.

KOMENTE