Nis projekti “Pakti Territorial i Punësimit”
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës znj. Nevila Xhindi mori pjesë dje në workshop-in e organizuar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Zyrën Ndërkombëtare të Punës, ILO si agjencia drejtuese e Programit të Kombeve të Bashkuara për Punësimin dhe Migrimin e të rinjve.
Nënkryetarja Xhindi theksoi se ndër prioritetet kryesore të Bashkisë së Tiranës në këto dy vite e gjysëm ka qenë punësimi i të rinjve, ku është bërë e mundur që 20 mijë qytetarë të punësohen në kryeqytet, kjo falë politikave të ndërmarra nga kjo Bashki.
“Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Zyrën Ndërkombëtare të Punës, ILO, si agjencia drejtuese e programit të Kombeve të Bashkuara për Punësimin dhe Migrimin e të rinjve, sot po hedh hapat e parë drejt Paktit Territorial të Punësimit, një instrument i zhvilluar dhe shumë i suksesshëm në vendet e BE, dhe i lançuar në Shqipëri që në vitin 2010 nga qeveria shqiptare.
Kjo është hera e parë që një instrument i tillë konsiderohet edhe për Tiranën, dhe kjo jo rastësisht, pasi dy vite e gjysëm më parë punësimi nuk ka qenë në fokus të Bashkisë dhe sot është prioritet i administratës aktuale të Bashkisë së Tiranës.
Pakti i Punësimit, do të bazohet mbi 40 politika alternative për zgjidhjen e sfidave të punësimit të qytetarëve dhe arritjen e objektivave mbi çështje të tilla si, aftësimin e të rinjve, punësimi dhe formimi profesional dhe nxitja e krijimit të 1000 vendeve të reja pune me fokus të rinjtë.
Ky projekt vjen pas politikave nxitëse të punësimit në Tiranë, dua ta theksoj që në dy vjet e gjysëm si rezultat i politikave të reduktimit të 60 taksave dhe tarifave vendore të kësaj bashkie, bashkëpunimin me bizneset, ndërmjetësimit nëpërmjet portalit të punësimit, u hapën 3641 biznese, dhe u punësuan 20 mijë qytetarë të Tiranës. Pa përfshirë këtu të punësuarit në punimet e investimeve infrastrukturore dhe projekteve strategjike të vetë Bashkisë Tiranë” - ka përfunduar nënkryetarja Xhindi.