English

Baki Xhabafti, humb jetën për shkak të shpërthimit me eksploziv makinës së tij

Shpërthimet me telekomandë duket sikur kanë dalë jashtë kontrollit. Një tjetër shpërthim ka tronditur Vorën, pasditen e sotme.

Një automjet ka shpërthyer rreth orës 17:00 përpara bashkisë së Vorës, ku mbeti i vdekur një person.

Makina tip “Renault” me targë AA 154 DZ, ka qenë parkuar para godinës së bashkisë në momentin e shpërthimit. Si pasojë e shpërthimit ka mbetur i vdekur shtetasi Baki Xhabafti, 40 vjeç dhe dyshohet se janë plagosur edhe 2 persona të tjerë, kalimtarë të rastit. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, automjeti i shpërthyer i përket viktimës, Baki Xhabafti.

Baki Xhabafti, 40 vjeç, banues në Selitë të Tiranës ishte pronar i dy pikave të shitjes së pjesëve të këmbimit, njëra prej të cilave në Vorë.

Ky ishte edhe shkaku për të cilën viktima ndodhej në Vorë në ato momente.

Një nga pistat e hetimit mbetet edhe ajo biznesit te tij, por më kryesorja, sipas policisë së kryeqytetit është ajo e hakmarrjes.

Viktima është i afërm i Shkëlqim Xhabaftit, një ndër personat me precedentë të rëndë kriminale, i vrarë në 97-ën në kryeqytet.

Pas ekzekutimit te tij ne 97-ën janë vrarë disa prej të afermve të tij në shenjë hakmarrje.

Policia mendon se edhe akti i rëndë ka ndodhur si shkak i saj, ndaj po heton mbi hasmëritë e vjetra të familjes Xhabafti.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në dorë çështjen. Ajo ka administruar disa prova në vendin e ngjarjes, por burimet bëjnë të ditura se nuk ka ndonjë provë shkencore që mund të nxirrte policinë në ndonjë përfundmim për të hetuar mbi personat që kryen krimin.
Çështja do të jetë nën hetim për zbardhjen e ngjarjes.

KOMENTE