Shakaja me një vajzë shqiptare i ka kushtuar jetën një 44-vjeçari nga Afrika e Veriut. Ngjarja ka ndodhur në Itali, ku 51-vjeçari, Edmond Koçiu ka qëlluar për vdekje me thikë një shtetas tunizian.
Lassad Gouma, emigrant i parregullt dhe me precedent penal, u vra me një goditje të vetme nga pas shpine. Krimi ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Perugia në një qendër strehimi.
Sipas të dhënave, rreth orës 21:50, tuniziani po përgatiste një filxhan çaj në korridor, kur shqiptari ka marrë një thikë të madhe në kuzhinë dhe e ka goditur pas shpine.
Dy punonjës të qendrës janë përpjekur t’i vijnë në ndihmë 44-vjeçarit por ai ka ndërruar jetë në vend.
Në më pak se një orë pas ngjarjes, policia ka arrestuar pranë stacionit të trenit në Fontivegge shqiptarin që po përpiqej të largohej nga Perugia.
Policia thotë se, 51-vjeçari nga Shqipëria ishte i pastrehë por kishte leje qëndrimi në Itali. Autoritetet italiane gjithashtu bëjnë të ditur se Koçiu prej shumë kohësh kishte probleme me alkoolin.
Në polici, Koçiu ka pranuar vrasjen dhe ka deklaruar se ka ndërmarrë një veprim të tillë pasi tuniziani kishte vënë në lojë vajzën e tij raporton Shekulli. “Më duhej të hakmerresha për atë që i ka bërë familjes sime… tuniziani është tallur me vajzën time”.