S. Topi - Hapja e dosjeve të sigurimit është një domosdoshmëri sepse do të ndihmonte në kalimin e ngërçit politik dhe të ardhmen e vendit. Nëse flasim për dekomunistizim, një fjalë të cilën ne shqiptarët nuk ia kemi mësuar ende domethënien, atëherë le ta fillojmë këtë gjë nga katharsisi që i bëjmë vetes. Kështu argumenton në një intervistë për gazetën “Shekulli”, kryetarja e Grupit për të Drejtat e Njeriut, Elsa Ballauri, nismën e shoqërinë civile për hartimin e një projektligji për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Për draftin kanë bashkëpunuar dhe figura të njohura shqiptare dhe ekspertë ndërkombëtarë. Projektligji i hartuar sipas ligjit gjerman të lustracionit ka parashikuar që verifikimi të bëhet për të gjithë ata që mbajnë poste dhe vende kyçe në politikë dhe institucione, nga Presidenti i Republikës, deri te drejtorët e drejtorive, gjyqtarët, prokurorë, etj. Ballauri deklaron se në politikë ka ende persona me dosje, Ajo shprehet me bindje se dosjet janë fshehur nga politika, madje edhe janë dëmtuar prej saj.
Zonja Ballauri ju gjithmonë jeni shprehur për hapjen e dosjeve të sigurimit. Pse e konsideroni domosdoshmëri këtë gjë?
Zbulimi dhe njohja e mirë e historisë, është një nga veprimet e rëndësishme që e përmirëson dhe bën më cilësore jetën e shoqërisë. Ne shqiptarët nuk kemi pasur mundësi asnjëherë ta njohim historinë tonë ashtu siç ajo ka rrjedhur, asnjëherë nuk kemi pasur përshkrim të paanshëm të ngjarjeve. Politika, interesat e vogla, pasiguria dhe indiferenca kanë ndërhyrë duke ndikuar ndjeshëm mbi të vërtetat që duhet të dihen, që qytetarët duhet të mësojnë. Historia nuk është vetëm një lëndë që lexohet, prej saj nxirren mësime. E kaluara e gjatë komuniste, e mbushur me pasiguri, mungesë lirie, gënjeshtra, mashtrime, krime, gabime, është një histori që duhet mësuar. Për fat të keq, në të kundërt, ajo kohë ende është e panjohur për brezat e rinj dhe e bezdisshme për të tjerët që e kanë jetuar. Ne nuk e kemi përbërjen e një populli të guximshëm, nuk përballemi dot me të vërtetat, nuk dimë të sakrifikojmë për komunitetin në mënyrë afatgjatë. Na mjafton rehatia e momentit dhe trembemi nga e ardhmja. I gjithë ky ndërtim psikologjik në këtë mënyrë shkon konform me nevojën për të heshtur historinë, ose për të mos kërkuar që e vërteta të tregohet.
Dosjet e sigurimit ishin një nga mënyrat e shtetit komunist për të mbajtur peng lirinë e shtetasve të vet. Shqipëria hyn në vendet që qëndrojnë në krye të listës për numrin e sigurimsave dhe intensitetin e lartë të përndjekjeve që u janë bërë qytetarëve. Dosjet janë ende një përrallë e treguar, ato janë fshehur nga politika, madje edhe dëmtuar prej saj për një kohë shumë të gjatë. Por ende, ato ekzistojnë. Hapja e dosjeve është një domosdoshmëri sepse ato, së pari, janë pjesë e historisë sonë të përbashkët, kanë dëmtuar jetën tonë të përbashkët, janë një pengesë për të ardhmen tonë të përbashkët. Për këtë arsye ato duhet të bëhen transparente për njerëz që kërkojnë të dinë të shkuarën e tyre, të sqarohen për atë që kanë pësuar. Por edhe për ata që nuk janë pjesë e dosjeve, hapja e tyre është një mundësi për të njohur më mirë sistemin komunist. Nëse flasim për dekomunistizim, një fjalë të cilën ne shqiptarët nuk ia kemi mësuar ende domethënien, atëherë le ta fillojmë këtë gjë nga katharsisi që i bëjmë vetes. Por aktualisht, hapja e dosjeve do të ndihmojë politikën nga ngërçi i madh që e ka zënë. Vetë partitë politike i kanë përdorur dosjet kundër kundërshtarëve, madje edhe kundër kolegëve. Kështu dosjet janë përdorur për të mbajtur peng lojën e pandershme politike, si shantazh në mbrojtje të interesave personale të politikanëve, për të krijuar dhe për të rritur armatën e madhe të militantëve shurdhmemecë. Të gjitha këto janë thjesht në dëm të interesave të shoqërisë sonë tranzitore, e bëjnë krejtësisht të errët dhe pa rrugëdalje të ardhmen e vendit.
Jemi ne të vonuar në proces?
Sigurisht jemi të vonuar. Këtë gjë e kemi thënë shpesh herë, madje sa herë kjo temë hapet. Por megjithëse e përsërisin këtë shprehje se “jemi të vonuar”, befas çështja mbyllet, harrohet, duket sikur nuk ka ekzistuar. Ka disa arsye, megjithëse të gjitha janë shumë të dobëta: njerëzit janë të politizuar, kanë interesa të posaçme për të mos hapur këtë lloj debati. Kjo ndodh sidomos me pjesëtarët e politikës. Shumë shtetas e ndjejnë veten të paqetë për të kaluarën e tyre dhe nuk duan t’i lënë shkas debateve mbi këtë temë, të tjerë janë indiferente, dhe shumë vetë janë të lodhur dhe mosbesues. Jemi të vonuar sepse edhe marrëdhënia e shqiptarëve me vendin e tyre dhe shtetin e tyre është krejtësisht tjetër nga ajo që shohim përreth në Evropë, sidomos në ato vende ku procesi i hapjes së dosjeve është kryer. Nuk kemi një lidhje dashurie me vendin dhe asnjë lloj lidhje respekti apo besimi me shtetin. Çdo gjë e shohim me sytë e mosbesuesit, edhe mungesa e largpamësisë që është tipike në psikologjinë tonë, e pengon shumë procesin të ndodhë në momentin që duhet. Vendet e Lindjes së Evropës e kanë nisur procesin që në fillim të ndryshimeve të tyre politike. Ndryshimet erdhën nga njerëzit, qytetarët, shoqëria. Po të shihni me kujdes, vendet më të zhvilluara dhe më të suksesshme janë ato që e kanë bërë më herët lustracionin. Nëse Shqipëria do të vazhdojë të vonohet, atëherë do të mbetet edhe shumë kohë një vend gri, pa perspektive.
Kush ka përgjegjësi për këtë vonesë?
Ne themi gjithmonë politika dhe e vërteta është që politika është shumë përgjegjëse, por nuk është e vetmja. Unë mendoj se më shumë se politika është shoqëria përgjegjëse dhe sidomos shoqëria civile që pretendon se ka dalë në krye për të bërë ca sakrifica. Në Shqipëri është kollaj të heshtësh dhe këtu heshtet pothuajse për çdo gjë. Politika e ka shfrytëzuar më sa miri pasivitetin e shoqërisë dhe ka bërë çka dashur. Nëse shoqëria do të ishte më aktive, më e përgjegjshme, atëherë ajo do t’i ishte imponuar edhe politikës, për fat të keq këtu ndodh e kundërta dhe kjo do ta lerë Shqipërinë në lëngatë.
Shoqëria civile ka bërë gati tashmë një projektligj. Kush ka punuar konkretisht për të?
Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut që unë drejtoj, ka disa kohë që po punon për këtë ligj i cili bazohet në eksperiencën e deritanishme të shumë ligjeve evropiano-lindorë, sidomos ligjit gjerman të Lustracionit. Kemi punuar me specialistë shqiptarë, ish- politikanë dhe ekspertë në njohjen e dosjeve të sigurimit, me specialistë të huaj, sidomos gjermanë dhe gjithashtu është marrë edhe mendim nga shoqata të ndryshme, sidomos ata të ish të përndjekurve politikë.
Cili është objekti i tij?
Hapja e Dosjeve të Sigurimit te Shtetit dhe Pastërtia e Figurës, që do të thotë pastërtia e personave që hyjnë në politikën shqiptare dhe janë pjesë e politikë-bërjes. Pra, qëllimi është që dosjet të bëhen publike sepse kjo ndihmon ndërgjegjen tonë kombëtare, ndihmon të tashmen dhe të ardhmen tonë. Por hapja e dosjeve është shumë e lidhur edhe me procesin e lustracionit, domethënë pastërtinë e figurave që pretendojnë apo kërkojnë të marrin pjesë në politikë. Projektligji ka parashikuar që implementimi të kryhet nëpërmjet Autoritetit të Kontrollit të Figurës, i cili merret me sigurimin dhe funksionimin e dosjeve dhe me kërkesat që bëhen nga qytetarët. Gjithashtu është Autoriteti i cili vendos për publikimin e të dhënave të dosjeve të personave që hyjnë në politikë, pra, në këto rrethana, dosja bëhet publike. Në rastet e qytetarëve të thjeshtë ato nuk publikohen. Një tjetër pjesë e rëndësishme në këtë ligj është përdorimi i dosjeve nga ana e historianëve, specialistëve, studentëve, apo të interesuarve për qëllime kërkimore shkencore dhe studimi. Në këtë rast, dosjet janë në një variant pa emra realë, në mënyrë që të mos shfrytëzohet emri i personave, por vetëm të analizohet ngjarja dhe fenomeni.
Sipas jush, deri në çfarë niveli duhet të shtrihet verifikimi dhe publikimi i dosjeve?
Të gjitha dosjeve u duhet dhënë aksesi për t’u parë. Por sikurse thashë, qytetarët e thjeshtë e kërkojnë dosjen e tyre vetëm për vete dhe kjo nuk bëhet publike, në të kundërt, për personat që duan të futen në politikë, gjithçka publikohet, askush nuk i pengon të vazhdojnë të marrin pjesë, por opinioni shoqëror do të njihet me dosjen e tyre.
Me tej synohet që të bëhet publikimi i verifikimeve, në çdo nivel?
Kategoritë e verifikimit shkojnë për të gjithë ata që mbajnë poste dhe vende kyçe në politikë-bërje, nga Presidenti i Republikës, deri te drejtorët e drejtorive, gjyqtarët, prokurorë, etj.
Përjashtimi nga funksionet publike synohet të përcaktohet në bazë të pozicionit që personat kanë pasur në strukturat e Sigurimit?
Jo vetëm, kjo do të jetë edhe për ata që kanë pasur poste shtetërore të larta, apo kyçe dhe në politikë-bërje të qeverisë së kaluar komuniste, nga anëtarët e byrosë, ministra apo zëvendësministra e deri tek sekretarët e organizatave të partisë. Natyrisht që bashkëpunëtorët apo drejtuesit e Sigurimit të Shtetit janë përfshirë.
Ka sot në politikë persona me dosje?
Nuk jam marrë me këtë verifikim, por besoj se ka. Edhe për arsyen e rezistencës që i bëhet një ligji të tillë dhe mungesës së vullnetit politik.
Drafti i bërë gati tashmë do të vijë në Kuvend si nismë e shoqërisë civile apo ndonjërës prej partive politike?
Jemi në bashkëpunim me deputetë dhe kjo është më e mira të bëhet. Aktualisht jam në dijeni të një projektligji që ka përgatitur Ministria e Çështjeve Sociale. Nëse është kjo që kërkojmë ne, do të jem e kënaqur, por nëse nuk e plotëson kërkesën tonë të rishikimit të historisë, atëherë mendoj se kemi të bëjmë me një farsë të re politike, në radhën e atyre që janë bërë deri tani dhe që kanë dështuar nga vetë politika. Mendoj se është në nder të partive dhe sidomos qeverisë, të ketë një projektligj të ardhur nga shoqëria civile.
Pastërtia
Cilët zyrtarë verifikohen apo përjashtohen
Subjekte të verifikimit, sipas projektligjit
a) Presidenti i Republikës së Shqipërisë
b) Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë;
c) Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore;
d) Anëtarët e KLD-së si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave e prokurorive;
e) Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të KLD-së, të Gjykatës së Lartë, të Kushtetueses, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara
f) Guvernatorë, zëvendësguvernatorë, anëtarët e Këshillit Drejtues dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;
g) Funksionarë në Forcat e Armatosura, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”;
h) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave;
i) Drejtuesit e drejtorive të administratës publike në nivel qarku dhe prefekture;
j) Anëtarët e këshillave të qarkut si e të këshillave bashkiake;
k) Funksionarë në SHISH, Shërbimit Informativ Ushtarak dhe SHKB.
l) Funksionarë në Gardën e Republikës;
m) Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë dhe shefa policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati;
n) Ambasadorë, këshilltarë, sekretarë në përfaqësitë diplomatike;
o) Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qendror apo lokal të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit;
p) Drejtues, kryeredaktorë të mediave audio-vizive, si dhe të mediave të shkruara, me një tirazh ditor më të madh se 1000 kopje në ditë;
q) Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtori e zëvendësdrejtori i Radios, drejtori e zëvendësdrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në RTSH; drejtori, zëvendësdrejtori dhe drejtorët e departamenteve në ATSH, si dhe anëtarët e KKRT dhe këshillave drejtues të mediave publike;
r) Rektorë, zv/rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore publike dhe private si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike dhe private.
s) Përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare.
t) Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë apo i zgjedhur nga Kuvendi.
Papajtueshmëria
Postet që mbanin në regjimin komunist
a) Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar ose kandidat i KQ të PPSH, sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, kryetar ose zv.kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit, Sekretar partie në institucione;
b) Anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 Marsit 1991.
c) Zëvendësministër i Punëve të Brendshme, oficer madhor-funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit si dhe kryetar dege; punonjës operativ (legal apo ilegal), bashkëpunëtor sekret i organeve të Sigurimit të Shtetit ose që ka bashkëpunuar në çdo mënyrë tjetër me Sigurimin, deri më 2.07.1991 kur krijohet ShIK.
d) Ambasador, sekretar ambasade dhe këshilltar në përfaqësitë diplomatike shqiptare.
e) Bashkëpunëtor si dhe agjent në shërbim të shërbimeve të huaja;
f) Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve;
g) Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit si dhe prokuror, gjyqtar apo ndihmës gjyqtar në procese politike speciale;
h) Denoncues apo dëshmitar rëndues në proceset politike.
Nismat ligjore në vite
Projektligji i parë për “Kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik” daton që në vjeshtën e vitit 1992. Ai bazohej në ligjin gjerman, çek dhe atë hungarez. Kjo nismë pas disa përmirësimesh të vogla u miratua në vitin 1995. Më pas socialistët patën një tjetër nismë, Komisionin Shtetëror të Kontrollit të Figurave që u drejtua nga Nazif Bezhani. Në vitin 2008 nga demokratët u miratua ligji “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese si i papajtueshëm me Kushtetutën. Po këtë vit Aleksandër Biberaj si deputet i PD-së paraqiti një projektligj “Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve”që u paraqit sërish, këtë herë i ripunuar nga shoqëria civile, në vitin 2012. Në vitin 2010 qeveria “Berisha” ndërmori dhe miratoi një tjetër ligj për hapjen e dosjeve.