Për 2 ditë me rradhë mbi 40 lojtarë morën pjesë në aktivitetin Streetball Tirana Open, aktivitet i hapur dhe i lirë për të gjithë amatorët e basketbollit në qytet. Për herë të parë zhvillohet në mes të qytetit me një impiant të standarteve Europiane dhe profesional. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi ka qenë e pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e këtij aktiviteti të organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe Federata e Basketbollit.
“Në kuadrin e gjallërimit të jetës së qytetit dhe sigurisht dhe në kuadrin e një viti të gjatë festiv për Tiranën, sot kemi sjellë për qytetin e Tiranës një risi, është kjo fushë e improvizuar basketbolli, një bashkëpunim i Bashkisë Tiranë me SIGAL dhe Federatën Kombëtare të Basketbollit. Kjo është një gjë e re, një basketboll për të gjithë, është një Street Basket Tirana, kështu e kemi quajtur ne dhe është një bashkëpunim i suksesshëm që do vazhdojë gjatë dhe unë uroj që kjo fushë ti shërbejë të gjithëve dhe të ketë sa më shumë lojtarë të rinj që do ti bashkohen këtij sporti" – tha znj. Xhindi.
Presidenti i Federatës së Basketbollit, Avni Ponari ka kërkuar mbështetjen e Bashkisë për të shtrirë Street Basket në zona të ndryshme të Tiranës.
“Tirana ka sot plot hapësira dhe duke patur plot hapësira mendoj që Bashkia ta krijojë këtë mundësi dhe ti krijojë mundësi fëmijëvë, të rinjve, të rejave të të gjitha moshave të lënë kafet dhe ti drejtohen këtyre fushave. Basketbolli është sporti i të gjithëve dhe ne për këtë po punojmë“.
21 ndeshje janë zhvilluar në dy ditë dhe në përfundim finalja u fitua nga ekipi “NONA“ me rezultatin 16-15 kundër ekipit "SHKODRA".
Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit do të zhvillojë aktivitete të tilla edhe në muajt e ardhshëm.