English

Hapen dosjet e hakmarrjes 20-vjeçare mes bandave

Baki Xhabafti, viktima e atentati monstruoz që u shënua në Vorë pasditen e së enjtes, është përcjellë ditën e djeshme për në banesën e fundit. Dy vëllezërit e tij nuk kanë mundur të vijnë nga Gjermania dhe t`i japin lamtumirën vëllait të tyre. Xhabafti ishte babai i 3 fëmijëve, një prej tyre vajzë 9 muajshe. E ndërsa në familjen Xhabafti ka pllakosur zia, prokuroria dhe policia kanë nisur hetime intensive për të shkuar të paktën tek motivi i atij krimi të rëndë. Ditën e djeshme prokuroria ka kërkuar të gjitha dosjet e vrasjeve në seri mes tri fiseve për t`i riparë edhe njëherë nga fillimi, ndonëse përplasjet dhe viktimat janë shënuar shumë herët, që në vitin 1995. Ndonëse familja e afërt e Baki Xhabaftit, viktimës së dy ditëve më parë, nuk ka patur probleme me asnjërën nga familjet apo fiset e hasmërive të familjes së Shkëlqim Xhabaftit.

Njëkohësisht grupi i hetimit pritet që të nis hetimet edhe në lidhje me aktivitetin e vetë viktimës brenda dhe jashtë vendit, ndërsa përgjatë gjithë natës, deri në mëngjesin e djeshëm, policia ka kryer shoqërime nga të afërm të familjeve në hasmëri me Xhabaftët. Njëkohësisht grupi i hetimit ka kërkuar informacion të detajuar edhe në lidhje me personat, nga të dy fiset, Ymeri dhe Avdillari, të cilët gjenden në vendet e vuajtjeve të dënimeve, përkatësisht në burgje të sigurisë së lartë. Dyshimet bien mbi dy prej tyre, ndonëse të afërm të viktimës së atentatit me minë të telekomanduar, kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë hakmarrjeje nga ana e tyre, pasi pozicioni i Bakiut dhe i dy vëllezërve të tij në historinë e hakmarrjes mes bandave janë sqaruar shumë herët.

Konfliktet e viktimës

Policia dhe prokurorët kanë mundur të dokumentojnë shumë dëshmi të personave që mendohej se kanë dijeni në lidhje me atentatin ndaj Baki Xhabaftit. Janë shoqëruar me dhjetëra persona, në dy komisariate dhe në drejtorinë e Policisë së Tiranës për të mësuar hollësi në lidhje me ngjarjen, por që pas dhënies së dëshmive janë lënë të gjithë të lirë. Nga familja Ymeri, me të cilët kanë patur konfliktin e hershëm fisi i Xhabaftëve, policia nuk ka patur kujt t`i marrë dëshmi që mund të ndihmonte hetimin, pasi në atë familje kanë mbetur vetëm gra dhe fëmijë, sepse tre burra janë vrarë dhe të tjerët ose ndodhen në burg ose janë në moshë të vjetër.

Gjithashtu edhe nga familja e Avdillarëve, të cilët vranë një nga anëtarët e bandës së Selitës edhe 5 vite më parë, sërish policia ka kryer ca shoqërime, por pa mundur të hedh dyshim në asnjërin prej fiseve. Kështu një grup ekspertësh ka mbërritur në zonën e Selitës, vend në të cilin kishte banuar viktima deri para pak muajsh, pasi ishte zhvendosur në Vorë dhe kishte nisur të ndërtonte shtëpinë pikërisht në afërsi të vendit ku u vra nga shpërthimi i mjetit me C4.

Referuar të dhënave të policisë bëhet me dije se asnjë konflikt nuk është konstatuar për sa i përket përditshmërisë së Xhabaftit në Shqipëri, ndërsa e vetmja pistë që mbetet jashtë hasmërisë dhe hakmarrjes është ajo e aktivitetit të viktimës jashtë vendi, në Gjermani. Dosjet e hakmarrjeve të përgjakshme Ndonëse gjithçka ka ndodhur mes tri fiseve më shumë se sa e dokumentuar në zonën e Selitës dhe të Yzberishtit njihen si gojëdhëna. Policia ka nisur të grumbullojë të dhëna mbi gjithçka ka ndodhur në harkun kohor të 20 viteve mes dy lagjeve që krijuan grupe të fortësh, ndërsa thuhet se gjithçka nisi fillimisht për çështje borxhi, fakt që solli edhe viktimën e parë për të vijuar mbase deri pasditen e dy ditëve më parë. Nga të dhënat e policisë bëhet me dije se dy familjet Ymeri dhe Xhabafti janë në hasmëri të hapur e cila ka sjellë viktima nga të dyja palët. Në familjen Ymeri janë vrarë dy djem, ndërsa një i tretë është vrarë nga policia teksa nuk pranoi tu dorëzohej në një rrethim që i bëri policia. Konflikti thuhet se e ka zanafillën në vitin 1992 mes Genci Ymerit dhe Ylli Xhabaftit për një shumë par- ash borxh. Moskthimi i borxhit solli edhe përplasjen e dy djemve. Xhabafti kërcënonte sistematikisht Ymerin, ndërsa ky i fundit e vrau Ylli Xhabaftin dhe u largua nga Shqipëria duke lënë hasmërinë pas.

Kjo u pasua me vrasjen e dy 22-vjeçarëve, Xhevair dhe Florenc Ymeri. Viktima e asaj kohe ishte vëllai i Shkëlqim Xhabaftit, i cili mori hak katër vite me vonë. Më 30 gusht 1996, Xhabafti ekzekutoi vëllanë e Gencit, Xhevahir Ymerin, 22 vjeç. Pa mbushur ende dy vjet nga vrasja e Xhevairit, në janar të vitit 1998 u ekzekutua djali i xhaxhit të tij, Florenc Ymeri po 22 vjeç. Ndërkohë që, më 31 tetor të vitit 1999, në portën e shtëpisë së Ymerëve, policia qëlloi për vdekje vëllain e Xhevair Ymerit, Arturin. Në vitin 1998 është arrestuar një tjetër nga familja Ymeri, Eduardi, i cili prej këtij viti ndodhet në burg duke vuajtur dënimin prej 25 vitesh burg për pjesëmarrje në banda të armatosura dhe në grabitje me pasoja të rënda.

Në vitin 1998 familja Xhabafti u trondit nga vrasja e Shkëlqimit, 30 vjeç, ndonëse kësaj here u fol se plumbat erdhën nga vëllezërit Avdillari, të njohur si “të fortët” e Yzberishtit. I njohur si “i forti” i Selitës, Shkëlqim Xhabafti dyshohet se u vra nga rivalët e tij të bandës së Yzberishtit dhe konkretisht nga krerët e saj, vëllezërit Nazmi dhe Ilir Avdillari. Këta i kishin grabitur makinën një biznesmeni grek dhe ky i fundit i kërkon ndihmë Xhabaftit, i cili ndërhyri si negociator, por mbeti i vrarë prej tyre.

Tritol mjetit të rrobaqepëses, policia: Ngatërruan objekt

Kur e mërkura dhe e enjtja sollën dy shpërthime të përgjakshme në Tiranë, me një të vdekur, dy të gjymtuar dhe një të plagosur, një tjetër shpërthim vjen nga Fushë-Kruja. Një mjet, i parkuar para një pallati është hedhur në erë mbrëmjen e djeshme. Për fat nuk ka patur të lënduar, ndërsa policia që ka shkuar në vendin e ngjarjes ka bërë me dije se në mjetin e shpërthyer është vendosur një sasi tritoli dhe përveç këtij mjeti janë dëmtuar edhe disa makina të tjera. Makina e hedhur në erë është e një gruaje 42 vjeçe, M. Isufaj, e cila është nënë e dy fëmijëve dhe punon si rrobaqepëse në lagjen e saj.

Nga të dhënat që policia ka mbledhur në vendin e ngjarjes, por edhe duke qenë se familja e saj dhe ajo vetë njiheshin në lagje, kanë arritur shpejt në një konkluzion që mund të jetë ngatërruar objektiv nga atentatorët. Referuar burimeve të policisë së Krujës mësohet se janë marrë dëshmitë e të gjithë personave që kanë patur mjetet e parkuara në atë vend ku ndodhi shpërthimi, ndërsa saktësohet se sasia e lëndës plasëse ka qenë e vendosur poshtë pjesës së përparme të mjetit, çka ka bërë të shkatërrohet kjo makinë si dhe të dëmtohen edhe mjetet afër saj. Janë pyetur edhe dëshmitarët okularë të cilët janë gjendur rastësisht aty, por policia nuk ka mundur të marrë asnjë informacion të duhur në lidhje me shënjestrën e atentati paralajmërues/Shekulli/

KOMENTE