English

Shpërthim në Komisariatin e Krujës

Një shpërthim i dytë pas atij të 20 Janarit, ka ndodhur sërish në orët e mbrëmjes së djeshme në Komisariatin e Fushës Krujës. Pas shpërthimit, policia raporton se fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz, ndërkohë që është dëmtuar vetëm një automjet, në brendësi të murit rrethues të Komisariatit.

Gjatë orëve në vijim forcat speciale, me ndihmën e polcisë lokale, janë përfshirë në shoqërimin e dhjetra personave të dyshuar, ose që mund të kenë dijeni për ngjarjen, e cila pas një të mëparshmeje duket se ia ka sosur durimin policisë.

Grupi i hetimit beson se sasia e lëndës plasëse e llojit tritol ka shumë mundësi të jetë hedhur me dorë nga ambienti i Jashtëm i ndërtesës policore.

Për shkak se posta e policisë është pothuajse e rrethuar me mure, nga njëra anë nga një lokal dhe nga ana tjetër një objekt ende i papërfunduar, nuk saktësohet se si ia ka arritur autori të hedhë eksplozivin pa rënë në sy të ndonjë dëshmitari okular.

Pa kaluar shumë kohë nga shpërthimi, për të cilin thuhet se ka dëmtuar vetëm xhamat e një automjeti të një oficeri policie, Policisë lokale i janë bashkangjitur edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë nga Tirana.

Së bashku me to ka mbërritur në Fushë Krujë edhe zëvendës/drejtori i Përgjthshëm për hetimin e krimeve në Policinë e Shtetit, Sokol Bizhga, dhe oficerë të hetimit të akteve terroriste.

Deri në orët e mesnatës, numri i të shoqëruarve ka shkuar në dhjetë persona, që të gjithë të njohur për konflikte të ndryshme, apo të afërm të disa të shoqëruarve të dy netëve më parë. Por, për shkak të sekretit hetimor dhe të rëndësisë së ngjarjes, nuk ka asnjë version zyrtar të saj.

Në distancë, aksioni i furgonëve të policisë, që sillnin të shoqëruarit, ndiqej edhe nga kureshtarët që ndodheshin në lokal, si klientë të rastit me shumë mundësi/TCH/

KOMENTE