Edhe në shkurt, për të dytin muaj rresht, nën vëzhgimin e rreptë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Doganat dhe Tatimet kapërcyen kufirin e parashikuar nga plani i këtij viti; një plan shumë ambicioz dhe mjaft i vështirë, i cili po përballohet deri tani me një sukses që përbën një sinjal të sigurt se rilindja e shumëpritur ekonomike do të jetë realitet i prekshëm i këtij viti kthese vendimtare për ekonominë e Shqipërise.
Adminstrata Tatimore ka realizuar planin me 102.5 % duke mbledhur 12 Miliardë e 295 Milionë Lekë të ardhura, 1.2 Miliard Lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose një rritje prej rreth 16% më shumë.
Administrata Doganore ka realizuar planin e të ardhurave për muajin Shkurt 104 % duke arkëtuar 393 milion lekë më shumë se plani dhe 1.2 miliard lekë më shumë se muaji shkurt 2013.
Të dhënat e përmbledhura tatimore të dymujorit Janar - Shkurt 2014, tregojnë se janë mbledhur në total 26 miliard e 262 milionë lekë, dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, rritja është 2 miliardë e 639 milionë lekë ose 11.2 % më shumë.