English

Falen gjobat ndëshkuese ndaj biznesit

Deklaratë e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave ditën e djeshme.

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, qeveria shqiptare ka kaluar projektligjin “Për faljen e Dënimeve Administrative në formën e gjobave, të vëna në bazë të kontrolleve dhe verifikimeve tatimore të periudhës 1 Mars deri në 31 Gusht, 2013.”

Me anë të këtij projektligji do të anulohen të gjitha gjobat e vendosura gjatë periudhës në fjalë, pra periudhës paraelektorale dhe elektorale, kur gjobat përdoreshin si ndëshkim për të pabindurit dhe ato të abuzimit masiv gjithashtu, në periudhën pas elektorale, të përdorura si dënim.

Ky vendim i Këshillit të Ministrave është një hap tejet i rëndësishëm në marrëdhënien qeveri – biznes. Ndërsa deri dje gjobat përdoreshin si instrument i presionit politik, apo për të mbushur arkat e zbrazura nga keqmenaxhimi, ky kapitull i turpshëm i marrëdhënies shtet-biznes ka përfunduar, nuk ndodh më. Ashtu siç kishim premtuar, ne po e shpëtojmë biznesin nga të gjitha ndëshkimet dhe presionet parazgjedhore, pasi në themel të marrëdhënies së re ne vendosim besimin.

Përveçse heq një padrejtësi të madhe, kjo masë është një vazhdim i projektit madhor të qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit.

Është abuzuar shumë me gjobat, por kjo nuk ka për t’u përsëritur më. Koha kur qeveria kishte si zë të tretë të të ardhurave, gjobat, nuk ka për t’u përsëritur më.

Ky është një hap tjetër në kthesën e madhe ekonomike të Shqipërisë, të ndryshimit të modelit ekonomik dhe të çlirimit të potencialit ekonomik. Ky vendim vazhdon trendin pozitiv për ekonominë, që këto ditë është treguar dhe nga marrëveshja e arritur me FMN për programin dhe rritja gjithashtu e ndjeshme e të ardhurave nga tatimet dhe doganat.

Ne jemi të ndërgjegjshëm që ky është një moment kyç për fatin e ekonomisë së vendit.

Kemi premtuar se do ta ndryshojmë për mirë klimën e biznesit dhe se do t’i ngremë marrëdhëniet me sipërmarrjen në një nivel të ri. Sot qeveria ka mbajtur një premtim tjetër të saj.

Vendimi është një tjetër hap tjetër përpara në drejtimin e duhur, një premtim i mbajtur dhe një provë e angazhimit tonë afatgjatë që ekonomia shqiptare të kthehet në ritmet e saj të rritjes dhe me të gjithë përpjekjen për të stabilizuar një rritje të qëndrueshme, cilësore , afatgjatë në favor të qytetarëve shqiptarë.

Pyetje: Çfarë do të ndodhë me ato gjoba të cilat janë të paguara. A do t’u kthehen paratë?

Ministri Ahmetaj: Ligji parashikon mënyrën e trajtimit të tyre, qoftë duke i marrë parasysh si avancë pagese, qoftë duke i kthyer nëpërmjet instrumentit të detyrimeve të prapambetura që përfshihen në projektligj.

KOMENTE