Shoferët e furgonëve 8+1 kanë zhvilluar edhe ditën e sotme një tjetër protestë përpara Parlamentit, kundër vendimit të qeverisë. Ndryshe nga herët e tjera, shoferët e furgonëve kanë mbajtur në duar karafila të bardha, për të treguar se po protestojnë në mënyrë paqësore.
Kreu i Bashkimit të Sindikatave, Gëzim Kalaja ka kërkuar nga deputetët që i kanë votuar të ishin të pranishëm dhe t’i takonin. Gjithashtu Kalaja ka kërkuar edhe një takim me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta, që t’ia plotësojnë një nga kërkesat e protestuesve, ndryshimin e ligjit të vitit ‘98 për taksitë.
Duke folur në emër të tyre, kryetari i Sindikatave të Pavarura Gëzim Kalaja kërkoi organizimin e një takimi mes përfaqësisë së shoferëve, sindikatave dhe Qeverisë me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje.
"Deputetët duhej të kërkonin seancë parlamentare për të ndryshuar ligjin, pasi transporti i furgonëve është me rëndësi në këtë moment, kur në Shqipëri transporti ndërqytetas nuk funksionon. Në Shqipëri nuk funksionojnë trenat, nuk funksion transporti detar dhe transporti rrugor eshte me probleme. Ne këtë situatë lëvizja e furgonëve është e domosdoshme. Përgjegjës për këtë gjendje kaotike është qeveria dhe ministri i Transportit Edmond Haxhinasto", tha Kalaja.
Të prekur nga vendimi që rruga e kthimit të jetë pa pasagjerë për furgonët 8+1 janë rreth 20.000 persona, drejtues të këtyre mjeteve. Për disa ditë me radhë furgonët kanë protestuar në qytetet më të mëdha të vendit, madje duke bllokuar edhe rrugët nacionale. Kjo është protesta e dytë që bëhet nga drejtuesit e këtyre automjeteve në kryeqytet, protestë e cila përkon edhe me vizitën e Komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle, në Tiranë.