English

Intervistë e Presidentit Nishani dhënë për Televizionin “ABC News”

Gazetarja (Merita Haklaj): Zoti President, përshëndetje! Me shumë interes është për publikun mbledhja që keni thirrur: mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. A mund të na sqaroni diçka lidhur me rendin e ditës së kësaj mbledhje dhe konfuzionin, lidhur me deklaratat e ndryshme që janë shpërndarë në media. Nuk kemi patur mundësinë të njihemi konkretisht me të ftuarit, por edhe mbi rendin e ditës që kjo mbledhje do të ketë si objekt.

Presidenti Nishani: Unë ju falenderoj për pyetjen dhe interesin dhe besoj që opinioni publik ka nevojë të informohet në lidhje me një nga veprimtaritë e rëndësishme të institucioneve të shtetit shqiptar që është mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Për më tepër që mbledhja e ditës së martë në këto dhjetë vitet e fundit është mbledhja më e rëndësishme që do të ketë Këshilli i Sigurisë Kombëtare për vetë çështjen dhe rendin e ditës që do të trajtojë.

Në lidhje me keqinterpretimet dhe deri diku edhe, deformimet që i janë përcjellë opinionit publik për ftesën që i kam bërë Kryetarit të opozitës, zotit Basha në këtë mbledhje: Së pari dëshiroj të nënvizoj faktin që nga pikëpamja ligjore, ligji parashikon të drejtën e Presidentit të Republikës si Kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare që përveç anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në varësi të rendit të ditës, mund të ftojë në këtë mbledhje edhe ministra të tjerë të Kabinetit qeveritar, të cilët nuk janë anëtarë të këtij Këshillit, kryetarë të komisioneve parlamentare, drejtues të institucioneve të ndryshme si dhe persona të tjerë. Këtë e thotë ligji. Duke qenë se rendi i ditës i mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, siç e thashë ndër më të rëndësishmit të këtyre dhjetë viteve të fundit, ka të bëjë me dokumentin e ri të strategjisë së sigurisë kombëtare të vendit. Them se është shumë e rëndësishme për vetë faktin se dokumenti aktual që Shqipëria ka përsa i takon strategjisë së Sigurisë Kombëtare, është një dokument i hartuar dhe i miratuar përpara anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Pra, tashmë dokumenti i ri, mbi gjithçka do të marrë në konsideratë faktin e qenies së Shqipërisë anëtare të NATO-s. Për më tepër në fazat e pritshme të integrimit evropian të Shqipërisë, përsëri ky dokument merr rëndësi të veçantë. Ndaj vetë dokumenti i ri i strategjisë së re të sigurisë kombëtare është një dokument që do t’i shërbejë Shqipërisë në disa dekada të ardhshme.

Të gjitha reformat dhe aktet e tjera që do të prodhohen në frymën e këtij dokumenti të ri, në frymën e kësaj strategjie të re të sigurisë kombëtare, qoftë ato që do të shkojnë në përshtatje të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, qoftë ato që kanë të bëjnë me angazhimin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s, qoftë në reformat e rëndësishme të mëkëmbjes dhe përparimit të ekonomisë, pra të gjitha dokumentet dhe aktet e tjera do të jenë të një natyre të tillë që do të kenë ndikimin e tyre për shumë e shumë vite të ardhshme që do të thotë që të gjitha këto dokumente nuk mund të jenë produkt i një qeverie të caktuar, i një mazhorance të caktuar. Përkundrazi, duke i parë këto, kanë një karakter dhe ndikim kombëtar për një periudhë mjaft të gjatë në të ardhmen e vendit. Ndaj ftesa për Kryetarin e opozitës, krahas drejtuesve të qeverisë, Kryetarit të Parlamentit, Kryeministrit, tashmë nuk është vetëm një dëshirë e parashikuar edhe nga ligji për Presidentin e Republikës, por e kam konsideruar atë edhe si një detyrim. Prandaj mendoj që qenia në tryezë, në diskutimet paraprake që bëhen për një dokument, i cili do të përfundohet përmes miratimit konsensual në Kuvendin e Shqipërisë, i jep këtij dokumenti një dimension serioz. I jep imazhin Këshillit të Sigurisë Kombëtare të një institucioni të një vendi modern dhe demokratik dhe natyrisht, injoron të gjitha ato pikëpamje apo mendësi, të cilat çuditen apo ndihen keq nga prania e udhëheqësit të opozitës dhe për fat të keq, në gjykimin tim, janë mendësi dhe formime që nuk i takojnë shekullit të njëzet e një, por shekullit të kaluar.

Unë besoj që mbledhja e ardhshme e Këshillit të Sigurisë Kombëtare do të shërbejë si një moment i diskutimeve gjithëpërfshirëse, i kontributeve të rëndësishme, në mënyrë të tillë që puna e mëtejshme jo vetëm të pasqyrojë seriozitetin e duhur, përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë e kërkuar, por njëkohësisht të reflektojë një vizion sa më të tjerë të të gjithë aktorëve të shtetit shqiptar.

Gazetarja: Zoti President, flasim për bashkëpunim edhe për këtë dokument strategjik, për bashkëpunim edhe në shumë fusha të tjera. Konflikti më i madh sigurisht që është në Parlament mes mazhorancës dhe opozitës, por ka një konflikt, le të themi të sapofilluar ndoshta, por ka disa kohë, edhe mes mazhorancës dhe Institucionit të Presidentit. Ju e shikoni si sulm të mazhorancës ndaj jush rrëzimin e dekreteve të herëpashershme apo edhe deklarata të tilla që tashmë edhe konsultimet për dekretet e ardhshme po rezultojnë si joproduktive, duke cituar në këtë rast edhe Kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, zotin Ruçi?

Presidenti Nishani: Është publike që Presidenti i Republikës në një periudhë pesë apo gjashtëmujore në mënyrë të pandërprerë ndihet nën një trysni të caktuar të politikës. Nuk ka qenë në të shkuarën një vijimësi e tillë e pandërprerë e një trysnie, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj ndaj Presidentit të Republikës për hir të së vërtetës. Kjo nuk lidhet me çështjen e rrëzimit të dekreteve të Presidentit të Republikës nga Parlamenti, pasi Parlamenti ka vepruar në të drejtën e tij sovrane për të gjykuar një dekret të Presidentit të Republikës, pavarësisht se në bindjen time ka qenë i paargumentuar dhe i pambështetur. Gjithsesi është e drejta e Parlamentit përmes procedurës që i takon të marrë një vendim të caktuar. Në këtë rast raporti im ka qenë me opinionin publik dhe raporti i Presidentit të Republikës në rastin e dekreteve për kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë me opinion publik tregoi se nga pikëpamja profesionale dhe e integritetit të dy të emëruarve nuk pati asnjë pretendim. As nga ndonjë aktor, as nga ndonjë deputet i caktuar. Përkundrazi, gjatë gjithë procesit të vlerësimit të dekreteve, u vlerësuan në mënyrë individuale emrat e përzgjedhur nga Presidenti i Republikës si në aspektin profesional ashtu edhe në atë të integritetit njerëzor dhe qytetar. Po kështu edhe nga opinioni nuk pati asnjë pretendim për cilësinë e zgjedhjes. Pra në këtë kontekst, them se raporti i Presidentit të Republikës, raporti me opinionin publik është konkluduar nga një vlerësim korrekt dhe normal. Përtej këtij raporti, qëndrimi procedurial i Parlamentit mbetet një e drejtë e Parlamentit.

Duhet të nënvizoj diçka edhe për opinionin publik: Çështja e konsultës të Presidentit të Republikës me krerët e grupeve parlamentare së pari, në parim, është një zhvillim pozitiv. Së dyti, është një kërkesë e Gjykatës Kushtetuese në interpretim pikërisht të procesit të ndërmarrë nga Presidenti i Republikës apo miratimit, të pëlqimit të Kuvendit të Shqipërisë, por vendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë i qartë teksa kërkon që këto konsulta të bëhen për kritere të tjera shtesë dhe aspak për emrat. Nëse do të futeshim për të konsultuar dhe për të gjetur emrat që duhet të ishin, atëherë do të kufizohej maksimalisht e drejta dhe tagri kushtetues i Presidentit të Republikës, çka do të binte ndesh me vetë Kushtetutën e vendit. Prandaj edhe organizimi i këtyre konsultave ka qenë tërësisht në radhë të parë në atë frymë që unë personalisht kam vendosur të përçoj në ushtrimin e të drejtave të mia si President i Republikës. Pra të bashkëpunimit, të koordinimit, të bashkërendimin të veprimtarisë, por edhe në respekt të përcaktimeve që vijnë nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe natyrisht duke ruajtur me fanatizëm integritetin dhe personalitetin kushtetues të Institucionit të Presidentit të Republikës.

Unë besoj se edhe këto konsulta kishin rëndësinë e tyre dhe tashmë vendimi i Presidentit për të dekretuar është një vendim i marrë, është një vendim i qartë. Është një vendim, që mbetet në funksion të angazhimeve dhe të kontributeve për funksionimin në rrugë kushtetuese, në respektin procedurial dhe ligjor të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar.

Gazetarja: Të presim se cili do të jetë kandidati dhe fati i tij në Parlament. Le të kalojmë pak tek Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Edhe aty ka një lloj konflikti, le të themi. Shpesh debati politik e ka përfshirë. Në rastin më të fundit lidhur me çështjen e zonjës Ina Rama, ish-kryeprokurores. Si e keni parë? Ka konflikt politik? Ka një mosfunksionim siç duhet të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe përtej kësaj, a ka nevojë për ndryshime ligjore për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë?

Presidenti Nishani: Në gjykimin tim si President i Republikës dhe si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, aktualisht ky Këshill është duke funksionuar dhe duke përmbushur detyrën e tij më mirë se kurrë më parë. Për fat unë kam eksperiencën jo vetëm si Kryetar i KLD-së, por kam eksperiencën e grumbulluar edhe si anëtar i KLD-së në pozicionin e Ministrit të Drejtësisë në të shkuarën dhe askurrë, në këtë pozicion si përfaqësues i qeverisë në KLD, nuk kam mbajtur asnjëherë qëndrime refraktare dhe artikulime apo retori që cenon integritetin, objektin e punës dhe mënyrën e funksionimit të KLD-së. Edhe gjatë kohës që unë kam qenë Ministër i Drejtësisë mund të them se, apo të bie në vëmendjen tuaj dhe të shikuesve tuaj që, gati 70% e propozimeve të mia, atëherë si Ministër i Drejtësisë, nuk janë pranuar apo janë rrëzuar nga KLD. Nuk ka pasur në atë kohë as edhe një deklaratë timen të vetme kundër këtyre qëndrimeve, kundër këtyre vendimeve të KLD-së. Pse? Sepse e kam konsideruar që serioziteti i respektit të institucioneve të shtetit është më së pari obligim i njerëzve që kanë mandatin për të përfaqësuar institucione kaq të rëndësishme të shtetit.
Dëshiroj që t’i bie opinionit publik dy-tre shembuj nga puna e KLD-së aktuale që ka të bëjë me momenti mbi të cilat zëra të ndryshëm kanë artikuluar, në gjykimin tim, në mënyrë të padrejtë dhe të pabazuar, akuza ndaj KLD-së. Që nga viti 2008, kur është miratuar ligji ‘Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor’, dhe deri në fundin e vitit 2012 procesi i vlerësimeve, i cili është një proces shumë i rëndësishëm, ka arritur të organizohet dhe të kompletohet vetëm për 16 gjyqtarë, për katër vite vetëm për 16 gjyqtarë. Këshilli aktual vetëm brenda vitit 2013 ka arritur të përfundojë vlerësimin për të gjithë gjyqtarët e Shkallës së Parë dhe të Apelit. Pra, më shumë se 300 gjyqtarë të Republikës. Kjo ka një domethënie të madhe. Tregon sesa serioze është puna e Këshillit; sa e angazhuar është puna e këtij Këshilli; çfarë produktiviteti ka ky Këshill. Për herë të parë në historinë e gjyqësorit shqiptar emërimet e drejtuesve të gjykatave të vendit, promovimet e gjyqtarëve janë bërë vetëm mbi bazën e sistemit të vlerësimit dhe të sistemit të pikëzimit, i cili edhe më parë ka qenë një kërkesë e ligjit, por që është aplikuar në mënyrë detyruese edhe për shkak të kërkesës sime të panegociueshme ndaj anëtarëve të tjerë të Këshillit që ky proces të kryhet vetëm duke marrë për bazë sistemin e vlerësimit dhe sistemin e pikëzimit.
Unë besoj që, fryma që sundon në KLD është fryma e gjyqësorit pasi nga 15 anëtarë që ka KLD, 10 prej tyre janë gjyqtarë që janë përzgjedhur nga trupa gjyqësore, përfshirë këtu dhe Kryetarin e Gjykatës së Lartë që është Kryetari i Konferencës së Gjyqësore Kombëtare. Ky është dhe thelbi dhe fryma e asaj që quhet ‘ndarja e pushteteve’. Unë jam i bindur që, çdo tentativë e çdo lloj pushteti tjetër për të ndërhyrë në kompetencat e një pushtetit tjetër të pavarur, siç është pushtetit gjyqësor, nuk do të jetë e suksesshme. Ka pasur abuzime për të artikuluar ndikimin e Presidentit të Republikës mbi sistemin gjyqësor. Presidenti i Republikës, jo vetëm ky që është aktualisht, por kushdo që ka qenë në këtë pozicion, së pari nuk mund të bëjë dot reforma mbi sistemin e drejtësisë, dhe së dyti nuk mund të pengojë dot reformat në sistemin e drejtësisë pasi nuk ka mekanizma. Presidenti i Republikës si institucion është i paraparë me Kushtetutën e vendit, si një mekanizëm i caktuar për të parandaluar apo për të ndaluar në momente të caktuara ndërhyrjet antiligjore në pavarësinë e pushtetit gjyqësor, duke i njohur atij të drejtën e vetos përmes dekretit dhe kështu me radhë. Nuk ka pushtete të tjera mbi sistemin e drejtësisë, por ka një pushtet të rëndësishëm që në momente të caktuara parandalon ndërhyrjen dhe kjo është garancia. Ndaj, rëndësia e funksionimit korrekt, serioz të Presidentit të Republikës është një garanci për ruajtjen e pavarësisë së këtyre institucioneve, veçanërisht të pushtetit gjyqësor, në jetën dhe veprimtarinë e gjyqtarëve qoftë edhe në KLD ku mund të kenë vendimeve abuzuese nga shumica e anëtarëve të KLD-së në një moment të caktuar dhe për arsye të caktuara. Në këtë kontekst, unë do të dëshiroja që krahas problemeve serioze që ka në sistemin e drejtësisë, në të cilat KLD është një nga protagonistët që mund të shërbejë në implementimin e reformave që duhet të nisin në Kuvendin e Shqipërisë dhe të shtrihen, pastaj, në vet-implementimin nga komuniteti i gjyqtarëve, por edhe i angazhimeve që mund të sjellin aktorë të shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare, mund të kontribuojnë përmes një bashkëpunimi, përmes një bashkërendimi KLD me Ministrinë e Drejtësisë, me aktorë të tjerë. Por, gjithmonë duhet të kemi parasysh se, askush nuk do të mundet dot që, duke artikuluar rëndësinë e reformave që mbeten gjithsesi të rëndësishme, të amplifikojë më pas akuza jo në qëllim të reformës por në qëllim, le të themi, të ndërhyrjes, të ndikimit në sjelljen institucioneve, në vendimet profesionale të trupës gjyqësore.

Gazetarja: A jeni duke përgatitur apo keni gati një përgjigje edhe për situatën, le të themi, në SHISH? Edhe kreu i SHISH është përfshirë në akuza politike deri tani, asgjë nuk është verifikuar sepse është thirrur në një seancë dëgjimore në Komisionin e Sigurisë, por që pritet të zhvillohet në një moment të mëpasëm.

Presidenti Nishani: Edhe kjo është e dukshme që, ka një shtim të një sulmi ndaj Shërbimit Informativ të Shtetit, ndaj Agjencisë së Inteligjencës të Shtetit. Pa dyshim që, kam qëndrimin tim, të cilin do ta bëj të ditur në momentin dhe kohën e duhur. Aktualisht, dhe unë jam duke ndjekur me vëmendje, le të themi, komunikimin që i është kërkuar Kryetarit të Shërbimit nga Komisioni i Sigurisë në Parlamentin shqiptar. Po pres qëndrimin e Kryetarit të SHISH në Parlament, po pres qëndrimin e deputetëve dhe po, kam, pa diskutim, qëndrimet dhe konkluzionet dhe informacionet e mia në lidhje me këtë çështje.

Gazetarja: Shumë çështje janë hapur dhe do të presin përfundimin e tyre. Ju falenderoj për intervistën!

Presidenti Nishani: Kënaqësi dhe për mua!

KOMENTE