English

Rregull i ri për rimbursimin e TVSH-së

O. Manjani - Ministria e Financave ka publikuar formularët që duhet të plotësojnë bizneset, për të marrë paratë që shteti u ka borxh që nga vitit 2005. Sipas Ministrisë së Financave është gati strategjia për shlyerjen e borxheve ku në grupin e punëve publike, është akumuluar një shumë prej 14.7 miliardë lekë, për të cilat pagesat do të fillojnë menjëherë gjatë kësaj jave, pas verifikimeve finale rutinë të dokumentacionit brenda procedurave të thesarit. Rreth 5.3 miliardë lekë janë fatura që kërkojnë plotësim/saktësim informacioni, që do të bëhet shumë shpejt nga institucionet përkatëse për t’u renditur sipas datës në listpagesat e faturave.

Fatura e TVSH

Publikohet formulari tip të duhet të plotësohet për të përfituar rimbursimin e TVSH-së. Faturat që i takojnë TVSH-së, janë rreth 7.4 miliardë lekë dhe procesimi i tyre, gjithashtu, do të fillojë menjëherë gjatë javës që vjen, duke filluar nga pagesat e viteve më të hershme. Fatura e rimbursimit të TVSH-së pritet të rritet me aprovimin e kërkesave të bëra përpara fundit të vitit 2013.

Një grup tjetër pagesash që ka të bëjë me shpenzimet korrente (shërbime, vendime gjyqësore), me vlerë rreth 5 miliardë lekë, është duke u finalizuar dhe do publikohet dhe do fillojë të procesohet brenda dy javëve në vijim.

Rregulli i ri

Rimbursimi i Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) që qeveria duhet tu bëjë bizneseve, nuk do të jetë më problem për këto të fundit, të cilët deri më tani e kanë ngritur si shqetësim kryesor. Mospagesat në kohë dhe shkelja e afateve, kanë krijuar ngërç në aktivitetet e sipërmarrjeve, duke bërë që të stepen investimet e mëtejshme. Ministria e Financave ka ndryshuar rregullat ekzistuese, duke përcaktuar që “rimbursimi i TVSH-së të kryhet direkt nga sistemi i Thesarit”, ndërsa deri më tani ishte kryer nga organet tatimore. Në udhëzim thuhet se afatet e përcaktuara për rimbursimin e TVSH-së sipas kategorive të personave të tatueshëm fillojnë nga data e protokollimit të kërkesës për rimbursim të TVSH-së, në Drejtorinë Rajonale Tatimore, datë e cila është e njëjtë me datën e mbërritjes ose paraqitjes së kërkesës për rimbursim nëpërmjet shërbimit postar rekomande (me nënshkrim të marrësit).

Degët e tatimeve, brenda 2 ditëve punë nga përfundimi i procesit të verifikimit të kërkesave për rimbursim, nisin njoftimin për degën përkatëse të Thesarit nëpërmjet shërbimit postar. Struktura përgjegjëse e Thesarit në qendër merr masa për të siguruar likuiditetin e nevojshëm për pagesën e shumës së rimbursimit nga Drejtoria Rajonale Tatimore brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim për eksportuesit dhe brenda 60 ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim për personat e tjerë të tatueshëm. Deri më tani, afati për të dyja kategoritë ka qenë 30 ditë, por duke qenë se nuk është zbatuar asnjëherë, është vendosur një periudhë kohe më e gjatë kohe, por me qëllim rritjen e zbatueshmërisë. Procedura e përcaktuar në këtë udhëzim do të zbatohet për të gjitha kërkesat për rimbursim të TVSH-së të protokolluara në drejtoritë rajonale tatimore pas datës 1 Janar 2014.

KOMENTE