English

Bashkia, dekor shumëngjyrësh dhe aktivitete të shumta për Ditën e Verës

“Bashkia e Tiranës, edhe këtë vit si vitet e tjera ka parashikuar një axhendë shumë interesante për festimet e Ditës së Verës. Pa dashur t’i marrim ekskluzivitetin qytetit të Elbasanit, ne vazhdojmë të festojmë ashtu si edhe vitet e tjera, kete feste, tashmë kaq popullore.

Më lejoni ta filloj me axhendën e ditës: Panairin “Bli dhe prodho shqip” i cili tashmë është kthyer në një traditë. Këtë vit do të kemi një element të ri, sepse përveç produkteve shqiptare nga të gjitha trevat, do të kemi edhe prezencën e shumë kryetarëve të komunave të këtyre trevave, nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Presheva, si edhe nga vendi, të cilët do të na nderojnë me prezencën e tyre, në çeljen e këtij panairi.

Do të vijojnë aktivitete të natyrave të tjera, për të gjithë grup-moshat. Më lejoni këtu të evidentoj një element të ri që Bashkia e Tiranës ka iniciuar këtë vit, duke dashur të evidentojmë punën dhe kontributin që japin shumë artistë të rinj të cilët kanë hapur shkolla të ndryshme dhe që kontribuojnë në përçimin e dijes, përditë, në shërbim të komunitetit, pra, duke i aktivizuar në këto aktivitete, jo vetëm për të vlerësuar punën e tyre por edhe për t’u treguar atyre vetë por edhe publikut se ata janë një pjesë aktive e jetës socio-kulturore të vendit.

Më lejoni të përmend këtu se kemi krijuar disa pika të ndryshme në qytet, sheshi para Galerisë së Arteve do të jetë i veçantë dhe do të jetë i përqëndruar në fushën e teatrit. Do të kemi animacione dhe pjesë teatrale për fëmijë, nga më të ndryshmet dhe për disa grup-mosha, sigurisht, për të kaluar më pas në parkun “Rinia” ku kemi tre pika të tjera. Edhe këtu kemi menduar për të gjitha grup-moshat, duke nisur nga më të vegjlit, me “Këndin e pikturës” i cili tashmë është kthyer në një traditë të paevitueshme për ta. Kemi gjithashtu lojra popullore, për grup-moshat e tjera, kemi edhe DJ të rinj të cilët tashmë janë të njohur në jetën aktive prej muajsh, nëpër aktivitete të ndryshme të qytetit të Tiranës, do të vijojmë edhe në parkun e Liqenit. Pra, kemi parashikuar aktivitete në të gjitha pikat kryesore, ku mendojmë se publiku do të vërshojë në këtë ditë feste, për të gëzuar e për të qenë sa më aktivë në festimet e kësaj dite”.

Edhe qeveria ka bërë publike një axhendë, sa u përket aktiviteteve me rastin e Ditës së Verës. Keni koordinuar, bashkërenduar këtë listë aktivitetesh?

Në momentin që flasim, në fakt në Bashkinë e Tiranës nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare për leje zhvillim aktiviteti por ne ngelemi të hapur për çdo lloj bashkëpunimi, pasi fundja të gjithë jemi në festë por deri tani nuk kemi asnjë kërkesë zyrtare për leje zhvillim aktiviteti apo për një bashkëpunim, çfarëdo lloj qoftë. Bashkia i është përmbajtur edhe këtë vit, ashtu si vitet e tjera kalendarit vjetor të aktiviteteve, mes të cilave dhe Dita e Verës.

KOMENTE