Vetëm një muaj më parë nëna e saj, Argita Malltezi ka hedhur në treg një libër. Dje Dasara promovoi librin me perceptimet e një maturanteje mbi lëndën e Letërsisë. Aktualisht, Dasara Malltezi, mbesa e ish-kryeministrit Berisha ndjek studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë. Ka vetëm pak muaj që ka mbyllur kapitullin e maturës shtetërore dhe ende pa u ftohur situata ka botuar një libër. Sipas mësueses së saj të letërsisë Mimoza Islamit: “është një tekst që do t’u vijë në ndihmë gjimnazistëve, jo vetëm për t’u siguruar atyre përmbledhjen më të shpejtë të materialeve mbi titujt në studim, duke nënvizuar thelbin ideor, përmbajtësor dhe formal të veprave letrare që përfshihen në këtë libër, por edhe për të shërbyer si model këmbënguljeje, pune dhe vullneti për të bërë diçka ndryshe”. Por, Dasara në këtë promovim tregohet e ndershme për impaktin që pritet të krijojë ky libër dhe aspak modeste kur flet për sprovën e saj të parë në fushën e botimeve. “Ky libër nuk është garancia juaj drejt notës maksimale, pasi unë lexova çdo vepër që ishte në program përpara se të merresha me studimin e tyre.
Ky libër është një ndihmesë për të kursyer kohë dhe energji në studim dhe për të lehtësuar punën e maturantëve”, - u shpreh ajo. Edhe batutat e një maturanteje nuk munguan në sallën e promovimit. Pyetjes se ai ishte ky një guxim i madh për të cilin ajo më vonë mund të pendohej, ajo iu përgjigj se është mirë të guxosh. Madje e paralelizoi këtë guxim me pirsing që ajo kish në trupin e saj. “Unë kam bërë disa pirsing në trupin tim dhe i kam bërë ato kur ka qenë koha për t’u bërë. Sot nuk pendohem fare.
Unë jam Dasara”, tha ajo. Të pranishëm në këtë promovim ishin të gjithë familjarët e Dasarës. Ishte aty gjyshi Sali, gjyshe Liria, mami Argita, babi Jamarbër, daja Shkëlzen, motra dhe dy vëllezërit, sigurisht edhe miqtë e saj më të mirë. Për të ky ishte edhe një ritakim me shokët dhe shoqet e gjimnazit, shumë prej të cilëve kishin vetëm pak ditë që ishin lajmëruar për promovimin e këtij libri. E ndërsa të gjithë prisnin ca fjalë nga gjyshi që ishte i pari që mori një kopje të librit me autografin e mbesës, ky iku më parë nga të gjithë. Por jo pa thënë dy fjalë për atë që ai e quan “supermbesa ime “Në familjen tonë Dasara ka lidhje më diskrete me letërsinë. Sara ka një raport të shkëlqyer me të. Ajo është supermbesa ime”, ka thënë ish-kryeministri Sali Berisha duke mbledhur kështu gjithë vëmendjen e të pranishmëve, shumica prej të cilëve ishin edhe figura shumë të njohura të Partisë Demokratike/Shekulli/