English

Jean-Pierre Bel Metës: Franca ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta priti në një takim Presidentin e Senatit të Francës z. Jean-Pierre Bel. Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen, Kryetari i Kuvendit, z. Meta, i shprehu mirënjohjen z. Bel për kontributin e jashtëzakonshëm që Franca ka dhënë dhe jep në Kosovë, në interes të paqes dhe të stabilitetit në rajonin tonë.

Presidenti i Senatit të Francës z. Jean-Pierre Bel theksoi se Franca ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së, në procesin e integrimit Evropian.
Kryetari i Kuvendit dhe Presidenti i Senatit të Francës z. Jean-Pierre Bel biseduan rreth thellimit të marrëdhënieve midis dy parlamenteve, si dhe të bashkëpunimit jo vetëm në kuadër të integrimit evropian, por edhe në kuadrin e Frankofonisë dhe atë të Mesdheut.

Sipas z. Bel frankofonia është një mesazh paqe, një mesazh miqësie dhe synon të përcjellë vlera të demokracisë, për të cilën edhe Shqipëria dhe Franca ndajnë së bashku.
Në përfundim të takimit, Kryetari i Kuvendit, z. ilir Meta së bashku me Presidentin e Senatit të Francës z. Jean-Pierre Bel dhanë një prononcim për median:

Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta

“Ndjehem shumë të nderuar sot me vizitën e Presidentit të Senatit të Francës, z. Jean-Pierre Bel të cilin dua ta falënderoj nga zemra për mbajtjen e fjalës që më dha para 3 muajsh në Paris, për të vizituar Shqipërinë.

Me z. Bel kemi biseduar për çuarjen përpara të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Francës, të cilat shtrihen në aspekte të shumta politike, ekonomike, kulturore dhe arsimore, bilaterale e multilaterale, dhe kemi ndarë bindjen e përbashkët se energjitë tona do të duhen përqendrohen akoma më shumë në intensifikimin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare mes dy vendeve dhe njëkohësisht edhe në forcimin e bashkëpunimit në kuadër të axhendës evropiane të vendit tonë dhe të rajonit.

Në këtë drejtim dua të shpreh mirënjohjen tonë të thellë në përkrahjen e vazhdueshme të Francës në avancimin e perspektivës evropiane, jo vetëm të Shqipërisë, por për të gjitha vendet e rajonit tonë. Kemi ndarë bindjen se pa një Ballkan të integruar tërësisht në Bashkimin Evropian, vetë Evropa nuk do të jetë kurrë e plotësuar dhe e mirëintegruar.
Njëkohësisht, dua të shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin për kontributin e jashtëzakonshëm që Francës ka dhënë dhe jep në Kosovë, në interes të paqes dhe të stabilitetit në rajonin tonë.

Pata kënaqësinë të pritesha nga Presidenti Bel në Senatin Francez në Paris gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar dhe patëm rastin njëkohësisht të takoheshim e të bisedonim edhe në Marsejë në janar të këtij viti, në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut. Me vizitën e sotme të z. Bel në Tiranë, konstatojmë me kënaqësi se marrëdhëniet midis Shqipërisë, por edhe Senatit të Francës dhe Parlamentit të Francës, po njohin një dimension të ri shkëmbimesh dhe një dinamikë intensifikimi mjaft inkurajuese për të ardhmen.

Jam i bindur që ky bashkëpunim i ngushtë do të vazhdojë edhe me takime të komisioneve reciproke parlamentare si dhe përmes shkëmbimeve të vizitave të Grupeve të Miqësisë Parlamentare në të dy vendet. Në Kuvendin e Shqipërisë, tashmë kemi Grupin e ri të Miqësisë Shqipëri-Francë, i cili përbëhet nga deputete e deputetë të të gjitha grupeve parlamentare dhe që drejtohet nga një frankofone e shquar si znj. Mimoza Hafizi.
Shqipëria dhe Franca bashkëpunojnë jo vetëm në kuadër të integrimit evropian, por edhe në kuadrin e Frankofonisë dhe atë të Mesdheut.

Shqiptarët janë krenarë që janë një komb frankofon dhe aspirata jonë e përbashkët është thellimi i kësaj tradite në funksion të zhvillimit social, kulturor dhe arsimor të gjithë të rinjve tanë nën frymën e vlerave kulturore e politike frankofone.

Ndërsa dimensionin mesdhetar ne e lidhim ngushtë me bashkëpunimin e vendeve të makro-rajonit për çështjet mjedisore por edhe për intensifikimin e shkëmbimeve tregtare e turistike. Jam i bindur se pesha dhe influenca rajonale e Shqipërisë i forcon më tej të dyja këto dimensione në Ballkan dhe në këtë drejtim ne e çmojmë marrëdhënien e veçantë tradicionale, që kemi mes vendeve dhe popujve tanë miq.

Kuvendi i Shqipërisë e vlerëson përkushtimin e Francës ndaj Shqipërisë dhe ndaj vendeve të rajonit sidomos pas Samitit të Brdos në korrik 2013, ku Presidenti Hollande konfirmoi vullnetin e Francës për të shoqëruar procesin e integrimit evropian të vendeve tona.

Në këtë kuadër vlerësojmë edhe emërtimin e Senatorit të shquar, Alain Richard në postin e rëndësishëm të të Dërguarit të posaçëm për Diplomacinë Ekonomike. Jam i sigurt se ky riaktivizim intensiv i axhendës sonë politike dhe ekonomike, do të jetë një shtysë mjaft pozitive e produktive për rivitalizimin e ekonomisë në vendin tonë.

Shqipëria, veçanërisht pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, është një vend tepër i hapur për investitorët e huaj dhe kam bindjen e thellë se kompanitë franceze në këtë drejtim janë një aset i vyer për të kontribuuar për zhvillimin tonë të mëtejshëm dhe gjithë rajonin, duke pasur parasysh ekspertizën, mbështetjen financiare dhe eksesin në tregjet evropiane e ndërkombëtare që ato sjellin me vete.

Në këtë drejtim po punohet seriozisht për përmirësimin e kushteve të nevojshme për rritjen e investimeve të huaja dhe të atyre franceze në veçanti, punë e cila përfshin masa që përkojnë me axhendën e integrimit evropian të vendit, i cili mbetet objektivi madhor i gjithë aksionit tonë kombëtar. E kam siguruar Presidentin Bel për vendosmërinë tonë për të avancuar në reformat e nisura dhe në përmbushjen e të gjitha rekomandimeve të Komisionit Evropian.

E kam siguruar gjithashtu Presidentin e Senatit Francez, z. Bel për forcimin e dimensionit konstruktiv që Shqipëria tradicionalisht projekton në rajonin e Ballkanit. Ne jemi krenarë për rolin tonë bashkëpunues, moderues, stabilizues e pozitiv në rajon dhe e kemi orientuar me vetëdije tërë axhendën tonë politike drejt integrimit evropian, duke qenë thellësisht të bindur se perspektiva e integrimit evropian është alternativa më e mirë e forcimit të marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit dhe i shërben më së miri forcimit të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të gjithë qytetarëve tanë.

Kjo merr një dimension edhe më të rëndësishëm ndërsa Parisi dhe e tërë bota përgatiten që gjatë kësaj vere të përkujtojnë 100-vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore. Ne besojmë fort tek vlerat evropiane dhe tek forcimi i familjes së madhe evropiane, me Ballkanin si pjesë integrale të saj, pavarësisht momenteve të vështira ekonomike që po kalon kontinentit ynë.

Në këtë kuadër dua të rikonfirmoj se Shqipëria mbështetet tek përkrahja e fuqishme e Senatit, e Asamblesë Kombëtare dhe e Qeverisë së Francës për forcimin e dimensionit evropiane në rajonin tonë.

Duke e falënderuar edhe një herë Presidentin e Senatit Francez, z. Bel, dua t’i uroj atij një vizitë të mbarë në Tiranë në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht t’i përcjell kolegut tim ndjenjat më të ngrohta miqësore të popullit shqiptar ndaj popullit francez ”.

Fjala e Presidentit të Senatit të Francës, z. Jean-Pierre Bel.

“Kam ardhur sot në Shqipëri për të dëshmuar miqësinë midis Francës dhe Shqipërisë.
Është një histori e cila ka rrënjë të thella në miqësinë midis dy vendeve, por duhet të konkretizohet më tej.

Zoti Kryetar kam pasur rastin që t’ju takoj në Paris, në Senatin e Republikës dhe patëm rastin që të flasim për disa tema të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh në fushën e kulturës edhe në fushën e ekonomisë. Gjithashtu ju patët rastin që të takoheni me një grup biznesmenësh francezë . Jemi takuar dhe në Marsejë, në kuadër të një takimi me vendet e Mesdheut.

Ky është një dimension tjetër i marrëdhënieve tona shumë i rëndësishëm sepse mbledh rreth tij shumë vende që lagen nga deti i Mesdheut .Gjithashtu është një dimension i rëndësishëm që edhe Franca synon ta zhvillojë më tej.

Në takimin që patëm së bashku folëm për disa çështje, ndër të cilat dua të theksoj Frankofonin. Një çështje që edhe ju e përmendët në fjalimin tuaj. Frankofonia edhe Franca janë shumë të pranishme në Shqipëri.

Frankofonia është një mesazh paqe, një mesazh miqësie dhe synon të përcjellë vlera të demokracisë, për të cilën edhe Shqipëria dhe Franca ndajnë së bashku.
Franca ka mbështetur gjithmonë në rrugën tuaj drejt BE-së , në procesin e integrimit europain.

Ju e keni pasur të qartë mbështetjen e Francës edhe gjatë Presidencës së Francës të BE-së .
Franca është përkrah jush për t’iu dëgjuar, për t’iu ndihmuar dhe për t’iu dhënë kredibilitetin dhe forcën e nevojshme që ju të përparoni në këtë proces të rëndësishëm të integrimit europian.
E shikoj me shumë interes axhendën që do të kem sot në Shqipëri.
Asgjë më tepër sesa një vizitë në vendin tuaj nuk është më me vlerë që të kuptohet në këtë qytet të mrekullueshëm, që të kuptohen aspiratat që ka vendi juaj, aspirata të cilat ne do ti mbështesim.

Në këtë frymë unë vendosa të zhvilloj vizitën në Shqipëri, por ju zoti Kryetar keni qenë mjaft bindës me argumentet që më keni paraqitur gjatë takimeve tona të mëparshme, për të cilat ia vlente që të vizitoja Shqipërinë.

Vizita në Shqipëri do të jetë shumë e dobishme për të dyja palët, për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona”.

Pyetje nga gazetarët:

Pyetje: Ju pak muaj më parë i premtuat z. Meta mbështetjen për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, por tashmë të gjithë e dimë që Franca ishte një nga 5 vendet që thanë Jo. Të paktën në Tiranë na u tha nga qeveria se një nga motivet ishin qarqet ekstremiste që kanë influencuar politikat e brendshme të vendeve të ndryshme , përfshirë këtu Francën. Pyetje ime për ju është: Nëse për ju qëndron gjithmonë, a keni arritur t’i zbusni ndopak këto qarqe, apo në qershor Shqipëria do të marrë një tjetër përgjigje refuzuese nga Parisi?

meta-jean pierre bel 12Z.Bel: Do të filloj me pjesën e parë të pyetjes suaj, e cila më tepër ishte një konfirmim se sa një pyetje dhe me të cilën nuk jam plotësisht dakord. Franca nuk ka thënë jo perspektivës së integrimit evropian të Shqipërisë.

Mes shteteve të ndryshme europiane u pa e nevojshme që Shqipëria të vazhdonte axhendën e saj të parashikuar të integrimit europian, dhe siç e diskutova më përpara me z. Kryetar, është e nevojshme që Shqipëria të krijojë një kredibilitet pranë vendeve të Bashkimit Europian në rrugën e saj të integrimit. Kjo rrugë është një proces shumë i avashtë. Ndonjëherë edhe ne francezët kemi ankesa ndaj ngadalësisë me të cilat veprojnë institucione evropiane, por kjo shërben për të forcuar, solidarizuar marrëdhëniet mes vendeve aspirantë dhe Bashkimit Europian.

Pra, fjala jo është e pasaktë. Siç është kuptimi i saj në shqip apo në frëngjisht. Ne kemi thënë që do të vazhdojmë së bashku dhe siç e dini, kemi një takim së shpejti në muajin qershor.

Përsa i takon pjesës së dytë të pyetjes suaj, është e vërtetë që në gjirin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian ekzistojnë disa pikëpyetje, disa dyshime, në lidhje me vështirësitë që kanë ndeshur disa nga vendet e Bashkimit Europian, siç është për shembull Greqia, një vend që sapo po vij dhe për të cilin jeni të qartë për vështirësitë që po kalon. Janë çështje të cilat ose tema, të cilat ne nuk mund t’i shmangim, por ne synojmë që të orientojmë partnerët tanë politik dhe vende të ndryshme që të orientohen drejt politikave sociale më të përparuara dhe të insistojnë në fuqizimin vendeve të tyre. Pra, në një ringritje të ekonomisë së vendeve të tyre. Ne nuk veprojmë nën presionin e asnjë grupi ekstremist në vendet tona respektive, grupe të cilat mund të kenë një ide që çojnë mbrapa në histori. Pra, ne çdo vendim e marrim jashtë influencës së këtyre grupeve ekstremiste.

Pyetje: Sa e sigurt është mazhoranca për marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin qershor dhe a ka një strategji konkrete për t’i bindur 5 vendet skeptike?

Z. Meta: Mazhoranca është e sigurt në rritje ekonomike të Shqipërisë, në përmirësimin e klimës së investimeve, të biznesit, në rritjen e punësimit dhe pa asnjë diskutim edhe në përparimin e perspektivës europiane të Shqipërisë, për të cilën do të duhet të kontribuojnë të gjithë.

Pyetje: Z. Meta. Ju i deklaruat angazhimin e qeverisë shqiptare z.Bel për vijimin e reformave, por një nga reformat më të rëndësishme për të cilën mazhoranca është angazhuar ta përmbylli brenda këtij sesioni është reforma territoriale që për momentin ndodhet e bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit të opozitës. Do të bëhet kjo reformë pa opozitën dhe nëse po , sa kohë do t’i duhet mazhorancës që të marrë një vendim për të vijuar dhe për ta përfunduar brenda këtij sesioni, siç ju keni premtuar?

Z.Meta: Fryma e integrimit dhe jo ajo e bllokimit duhet të na udhëheqë të gjithëve pa përjashtim dhe jemi maksimalisht të vendosur për konsensus të plotë dhe maksimal me opozitën, ku i është ofruar një paritet i plotë në realizimin e kësaj reforme, e cila asistohet dhe nga partnerët tanë shumë të rëndësishëm europianë dhe amerikanë.

Pyetje: Gjatë takimit të dytë të dialogut të nivelit të lartë, Bashkimi Europian- Shqipëri, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, e vuri theksin tek bashkëpunimi midis mazhorancës dhe opozitës , duke përcaktuar dialogun politik si një kriter bazë për marrjen e statusit. Në cilësinë e Kryetarit të Parlamentit, sa garanci, le të themi, do t’i jepni ju opozitës, për çuarjen përpara në mënyrë konsensuale dhe bashkëpunuese të reformave që mund t’i dhurojnë Shqipërisë në muajin qershor statusin vendit kandidat?

Z. Meta: Nuk shikoj asnjë pengesë në drejtim të vullnetit të mazhorancës për të përfshirë opozitën në të gjitha reformat, përfshirë dhe atë administrative-territoriale, ku mazhoranca edhe pse ka më shumë se 3/5 e votave në Kuvend, përsëri ka pritur dhe pret me durim që opozita të zërë vendet e saj të barabarta në drejtimin e Komisionit dhe në të gjithë funksionimin tij. Natyrisht që unë shpresoj që ata të frymëzohen nga integrimi dhe jo nga bllokimi që është një sëmundje e vjetër e politikës sonë, nga e cila duhet të ndahemi që të ecim më shpejt edhe drejt Europës.

Falënderoj Presidentin Bel edhe për kohën që ishte këtu me ne dhe me ju dhe i uroj suksese gjatë gjithë pjesës tjetër të vizitës së tij. Është një vizitë shumë e rëndësishme dhe shumë kuptimplotë edhe për kohën në të cilën ajo po zhvillohet.

KOMENTE