Kryetari i shoqatës së bashkive të Shqipërisë, njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka pritur në takim misionin e FMN-së për asistencë teknike në sistemin e taksave në administratën tatimore, drejtuar nga z. John Norregaard.
Z. Basha ka shprehur shqetësimin e njësive të qeverisjes vendore, për mënyrën e sjelljes së qeverisë së re ndaj tyre dhe cënimin e hapur që i bën autonomisë vendore. Shprehje e arrogancës së qeverisë së re është paketa fiskale e cila çoi në rritje të taksave dhe centralizimin e mbledhjes së taksës së biznesit të vogël.
Biznesi i madh, i mesëm dhe i vogël, në të gjithë vendin po përballet me problemet e diktuara nga paketa fiskale e cila duke mos marrë parasysh kundërshtimet që iu bënë, si nga grupet e interesit ashtu edhe nga opozita, vendosi taksën progresive e cila rriti në masën 50% tatimin mbi fitimin për korporatat, nga 10 në 15 %, çka ka sjellë rritje të evazionit fiskal.
Z. Basha u ndal edhe në vendimin e qeverisë për mbledhjen e taksës së biznesit të vogël, pa asnjë konsultim me autoritetet lokale. Ky vendim i pakonsultuar dhe i pashoqëruar me kompensim financiar ka sjellë mungesë të ardhurash në buxhetet e bashkive dhe komunave të vendit. Nga centralizimi i mbledhjes së të ardhurave nga taksat e biznesit të vogël, vetëm në buxhetin e Bashkisë së Tiranës mungojnë 8% e të ardhurave. Kjo mungesë të ardhurash nuk mund të rikuperohet nga taksa e pronës, e cila u dyfishua në paketën e re fiskale. Mbledhja e kësaj takse, sipas zotit Basha, është një problem i madh që vërehet në çdo njësi të qeverisjes vendore.
Z. Basha ka shprehur shqetësimin e tij si kryetar i shoqatës së bashkive dhe kryebashkiak i Tiranës, edhe për performancën e dobët dhe sjelljen arbitrare të qeverisë në këta 6 muaj.