English

1000 forca të reja për policinë e shtetit

Gjatë ditës së sotme, u zhvillua një takim informues me të gjithë konkurrentët që kanë aplikuar për të ndjekur studimet për Shkollën Bazë të Policisë, testimi me shkrim i të cilëve do të zhvillohet nga data 18-21 mars 2014.

Në konkursin e çelur nga Policia e Shtetit, ku si kurrë më parë aplikuan mbi 10 mijë vetë, ndër të cilët 1400 vajza. Kjo valë e madhe aplikimesh është frut i besimit të rilindur tek Policia e Shtetit dhe i ambicies së shumë të rinjve për t'u bërë pjesë e historisë së re të Policisë së Shtetit për siguri, inovacion, progres. Nga testet me shkrim si edhe testet fizike do të seleksionohen 1000 forca që do të rekrutohen me dy pjesë në polici, ndërsa për 1000 forca të tjera do të sigurohet një proces përgatitor për vitin e ardhshëm.

Në këtë aktivitet morën pjesë dhe Kryeministri i Shqipërisë Z. Edi Rama, Ministri i Punëve të Brendshme Z. Saimir Tahiri, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Artan Didi, Zv/Ministria e Punëve të Brendshme Zj. Elona Gjebrea, të cilët përshëndetën konkurentët e pranishëm.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë fjalës së tij, duke ju uruar suksese konkurrentëve, evidentoi rëndësinë e këtij procesi për organizatën e policisë.
“Sot është një ditë e veçantë për institucionin e policisë, pasi nis procesi i ripërtëritjes së shërbimit policor. Ky është një proces sa i rëndësishëm po aq edhe i bukur për këtë institucionin pasi radhët e saj do të rigjenerohen me brezin e ri, të bukur dhe vital, të cilët me pasionin që ushqehet nga ëndrrat e tyre, me vrullin që buron nga qenia e tyre do ti japin hijeshi dhe energji këtij institucioni. Policia ka nevojë për dinamizmin e brezit të ri, mentalitetin që mbartin qytetarët e rinj të Shqipërisë, ka nevojë për freskinë dhe hijeshinë e tyre. Mbi të gjitha Policia ka nevojë për njerëz që mbartin vlerat e larta morale qytetare. Njihet nga të gjithë sentenca se “të bëhesh një polici i mirë duhet të jesh një qytetar i mirë”. – theksoi Z.Didi.
Gjatë këtij takimi kandidatët u njohën me procedurat e zhvillimit të testimit me shkrim dhe procesin e konkurrimit. Pas procesit të verifikimit përfundimtar të dokumentacionit të paraqitur nga aplikanët do të testohen për Shkollën Bazë të Policisë 9845 shtetas shqiptarë, nga të cilët 1369 Aplikante Femra dhe 8476 Aplikantë Meshkuj, të cilët plotësojnë kriteret. Çdo ditë do të testohen dy grupe me 1230 aplikantë për secilin grup.
Për herë të parë, është evidentuar një interes kaq i lartë i qytetarëve për të aplikuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë, gjë që dëshmon besimin e tyre tek transparenca e këtij procesi dhe shanset e barabarta të ofruara çdo aplikanti për t’u përzgjedhur për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit. Njëherazi është tregues i besimit në rritje të qytetarëve shqiptarë tek Policia e Shtetit dhe tek puna madhore e saj për të garantuar sigurinë publike.

KOMENTE