Me mbështetjen e Ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito dhe organizimin e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, u zhvillua dje tryeza e rrumbullakët me temë “Perspektiva Europiane e Shqipërisë”. Të pranishëm në tryezë ishin ambasadori i Greqisë në Tiranë, z. Leonidas Rokanas dhe ambasadori i Italisë z. Massimo Gaiani.
E konceptuar në dy panele diskutimi, kjo tryezë e drejtuar nga Ministrja Harito u fokusua në diskutimet mbi risitë që sjell zbatimi i ligjit të ri për nëpunësin civil dhe mundësitë që ofron presidenca greke e Bashkimit Europian në lidhje me reformimin e administratës publike në Shqipëri, si dhe perspektiva që do të ketë presidenca italiane e BE, përgjatë periudhës Korrik – Dhjetor 2014 për Shqipërinë.
Në fjalën përshëndetëse Ministrja Harito theksoi se ligji për nëpunësin civil sjell dy risi thelbësore, të domosdoshme për krijimin dhe vijimësinë e një administrate të konsoliduar. Në këtë kontekst, Ministrja shpjegoi se tashmë do të ndryshojë rrënjësisht mënyra e rekrutimit në administratën publike, duke i hapur rrugë funksionimit të sistemit të karrierës. “Për të gjithë pjesën bazë të administratës, ajo që krijon vazhdueshmërinë e shtetit, aksesi do të jetë vetëm në nivel specialisti. Kjo do të thotë që hyn në funksion, në mënyrë të qenësishme, sistemi i karrierës. Pra, në administrate do të fillohet si specialist dhe do të ngrihen shkallët e karrierës gradualisht.” u shpreh Znj. Harito.
Ministrja Harito vuri theksin gjithashtu tek rëndësia e vecantë që merr Shkolla Shqiptare e Administratës Publike, për trajnimin dhe kualifikimin e punonjësve të administratës dhe përgatitjen e tyre për sfidën e integrimit të vendit në BE. “Administrata jonë ka kapacitete të mëdha, por punonjësit duhet të trajnohen, në mënyrë që të ngrenë nivelin dhe që të kuptojnë se janë pjesë e një sfide të përbashkët, që është sfida jonë për tu integruar në Europë.” u shpreh Ministrja.