English

Rumania, mbështetje konkrete për Shqipërinë në rrugën e integrimit europian

Kryeministri Rama mirëpriti sot në takim Kryeministrin rumun Viktor Ponta dhe delegacionin që e shoqëronte. Pas ceremonisë zyrtare dhe takimit ndërmjet dy delgacioneve të nivelit të lartë dy homologët dhanë një konferencë të përbashkët për median.

Më poshtë deklarata e përbashkët për media e dy kryeministrave:

Kryeministri Rama: Përshëndetje të gjithëve.

Sot ishte një ditë e shënuar sepse një mik i shtrenjtë i yni, por edhe një kryeministër që është kthyer në një pikë referimi për ne dhe shumë të tjerë si ne, për arsye të suksesit në ekonomi, kryeministri i Rumanisë erdhi të na vizitojë. Por jo vetëm për atë që përfaqëson Viktor Ponta, por dhe për atë që përfaqëson kryeministri i Rumanisë, ne jemi sot më se të lumtur që ta kemi mes nesh se bashku me delegacionin, si përfaqësinë e një vendi me të cilin na bashkon një histori e gjatë dhe e një vendi që ka një pozicion të posaçëm në spektrin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.

Rumania është një vend mik me të cilin na lidh historia dhe na lidh kultura. Janë të shumtë emrat e njohur emrat familjarë për shqiptarët që dëshmojnë këtë lidhje të thellë dhe të vjetër historike dhe kulturore me Rumaninë. Nëse ju flet shqiptarëve për Jorgon, për Emineskun, për Cezareskun, flet për emra shumë familjarë. E nga ana tjetër të gjithë e dimë se çfarë influence pati Rumania tek Asdreni, tek Lasgush Poradeci, tek Dora D’istria e me radhë. Nga ana tjetër jo më pak me rëndësi është lidhja që kanë garantuar në vite me Rumaninë, studentët që shkojnë e vijnë mes vendeve qysh në vitet ’30, por dhe shumë studentë shqiptarë që gjatë gjithë këtyre viteve kanë studiuar dhe vazhdojnë të studiojnë në Rumani. Edhe në delegacionin shumë të ngushtë mikpritës ne kishim dy të tillë.



Folëm me kryeministrin për domosdoshmërinë e forcimit të marrëdhënieve në të gjitha planet. Forumi ekonomik mes Shqipërisë dhe Rumanisë i zhvilluar së fundi, është për ne një hap pozitiv, por kërkon me patjetër një shtysë të fortë dhe të dyanshme për të rritur shifrat e bashkëpunimit tonë ekonomik. Rumania është për ne një pikë referimi, po ashtu si një vend anëtar i BE, prej të cilit kemi shumë për të mësuar nga eksperienca në rrugën e integrimit evropian.



Kryeministri Ponta me shumë zemërgjerësi na ka ofruar që të bëhemi pjesë e eksperiencës duke bërë një shkëmbim në nivel ekspertësh në fushën e integrimit evropian. Një nga çelësat e suksesit ekonomik të qeverisë së Viktor Pontës është zhbllokimi pikërisht i shumë fondeve të lidhura me BE. Padyshim, që eksperienca rumune dhe ekspertiza rumune në këtë drejtim, do të jetë dhe për ne një mbështetje e fortë që të përfitojmë në mënyrë sa më të strukturuar dhe sa më efikase nga instrumentet e integrimit evropian. Një tjetër histori suksesi në Rumani është lufta me krimin e organizuar dhe, edhe në këtë drejtim pa asnjë dyshim, ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur që na ofrohet një ndihmë e drejtpërdrejtë për të rritur më tutje cilësinë e kapitalit njerëzor, që është në Policinë e Shtetit dhe që merret drejtpërdrejtë me krimin e organizuar.

Përpara se t’i jap fjalën me shumë kënaqësi mikut tonë dhe mikut tim të shtrenjtë, dëshiroj që të them diçka shumë të rëndësishme në fund. E lashë në fund sepse për mua është gjëja më e rëndësishme e këtij takimi.

Duke i shprehur në tërësi mirënjohjen për të gjithë mbështetjen e jashtëzakonshme që na ka dhënë qeveria rumune dhe kryeministri, qoftë në procesin e integrimit, qoftë në gjithë procesin e ndërtimit të konceptit të programit dhe të rrugës sonë qeverisëse, në të njëjtën kohë edhe aleatë të familjes socialiste evropiane, dua t’i shpreh mirënjohjen në emër të të gjithë shqiptarëve për pozicionin e tij në raport me Kosovën. Qëndrimi i kryeministrit është një qëndrim që na jep një shpresë të madhe dhe të plotë, se në një kohë jo të largët edhe Rumania do t’i bashkohet familjes së vendeve që e kanë njohur plotësisht Kosovën. Ndërkohë që, mbështetja që qeveria rumune i ka dhënë çdo procesi që ka të bëjë me përmirësimin e cilësisë së jetës dhe të marrëdhënieve të Kosovës në nivel institucionesh financiare, ndërkombëtare apo institucionesh të tjera, meriton një falenderim të veçantë.

Fjala i takon mikut të nderit të ditës së sotme kryeministrit Viktor Ponta.



Kryeministri rumun Ponta: Dua të falenderoj zotin Kryeministër Edi Rama, për pritjen shumë të ngrohtë që na ofroi. Dua t’i uroj sukses në rrugën shumë të vështirë që ka nisur, kjo pas vendimit demokratik të popullit shqiptar në zgjedhjet e fundit. Jemi me të vërtetë miq dhe gjatë viteve të fundit kemi qenë edhe kolegë opozite. Tani si populli shqiptar dhe ai rumun vendosën të na japin detyrën e vështirë, të qenit kryeministër dhe të dy do ta konfirmojmë faktin se vërtet e kemi merituar këtë besim.

Në radhë të parë gjendem sot këtu për të takuar një mik dhe një partner për Rumaninë.

Ju e dini shumë qartë që qeveria rumune mbështet, që në muajin qershor, që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Rumania është prej 7 vitesh anëtare e Bashkimi Europian dhe në mënyrë konstante, pozicioni ynë ka qenë një pozicion i mbështetjes për të gjitha vendet e rajonit përsa i përket integrimit evropian. Ka vende europiane të cilat mbështesin faktin që Shqipëria akoma nuk është e përgatitur për të hyrë në Bashkimin Europian. E njëjta gjë u tha edhe për Rumaninë, për shumë kohë. Por Rumania beson se Shqipëria, me një status shumë të qartë, me një kalendar shumë të qartë, me objektiva shumë të qarta mund dhe duhet të bëhet sa më shpejt pjesë e familjes evropiane.

Për të prekur sa më shpejt këto objektiva, diskutova me zotin Kryeministër Rama, mënyrat sesi Rumania mund ta mbështesë në mënyrë konkrete këtë përpjekje të qeverisë shqiptare. Ka dy fusha në të cilat dëshirojmë dhe mund të ofrojmë asistencë. Në radhë të parë, në thithjen e fondeve evropiane; Duam t’i ndihmojmë miqtë shqiptarë të mos bëjnë gabimet të cilat i bëri edhe Rumania në 5 vitet e para, pas integrimit në Bashkimit Evropian. Të kalojë shumë herë më shpejt sesa ne e kaluam atë periudhë pesëvjeçare dhe të arrijë në të njëjtën mënyrë që Rumania ishte në vitin 2013, në vend të parë përsa i përket thithjes dhe përdorimit të fondeve evropiane. Populli shqiptar duhet të ndjejë në mënyrë konkrete, cilat janë avantazhet për integrimin evropian dhe ne dëshirojmë t’ju ofrojmë të gjithë mbështetjen dhe eksperiencën tonë në këtë drejtim.

Fusha e dytë, për të cilën diskutuam me Kryeministrin Rama, është një fushë në të cilën institucionet e Rumanisë, të paktën deri tani, kanë pasur deri tani një sukses shumë të madh. Bëhet fjalë për luftën kundër krimit të organizuar. Këtu, të gjitha njohuritë e institucioneve tona, shërbimi informativ, polici, drejtësi janë në dispozicion të partnerëve tanë shqiptarë, sepse lufta kundër krimit të organizuar është një objektiv bazë për çdo qeveri demokratike dhe mund t’i sigurojë mirëqenie vendeve tona, si dhe besim në institucionet demokratike.

Pra, në këto dy fusha, qeveria rumune do t’i japë një mbështetje konkrete qeverisë shqiptare.

Sot, gjatë drekës u bë edhe Forumi Ekonomik Rumuno-Shqiptar, ku morën pjesë shumë kompani të rëndësishme rumune. Besoj se ka një potencial raportesh ekonomike, të cilin nuk e kemi përdorur deri tani dhe kërkova ndihmën e Qeverisë Shqiptare përsa i përket çdo projekti konkret të një kompanie rumune në Shqipëri.

Diskutova edhe përsa i përket çështjes Kosovë. Ashtu si edhe zoti Kryeministër Rama e di, është një temë e cila edhe momentalisht në Rumani lind polemika. Pozicioni përfundimtar i Rumanisë do të përfundojë në momentin e një bashkëpunimi midis Presidencës, Qeverisë dhe Parlamentit. Unë mund të flas në emër të qeverisë. Mund të them se në të gjitha rastet, qeveria rumune ka mbështetur zhvillimin e institucioneve në Kosovë dhe nga pikëpamja e qeverisë së Rumanisë, një Serbi dhe një Kosovë, anëtare të Bashkimit Europian, do të jetë zgjidhja më e mirë. Në fakt, kjo është edhe ardhmja për të gjithë rajonin.

Edhe një herë do të doja të falenderoja zotin Kryeministër Edi Rama për ftesën. Do ta siguroj sërish për miqësinë time dhe për mbështetjen e qeverisë rumune. Është hera e parë që gjendem në Shqipëri dhe shpresoj që të vij sërish, në një rast tjetër. Duhet të kisha ardhur deri tani, zoti Kryeministër, sepse familja e gjyshit ka ikur nga Voskopoja drejt Rumanisë. Por është mirë që erdha tani. Sigurisht, besoj dhe shpresoj që vizita e ardhshme të zgjasë më shumë dhe të kemi mundësinë të bisedojmë akoma edhe më shumë, për temat e përbashkëta.

I uroj edhe një herë shumë sukses zotit Kryeministër, në detyrën e vështirë, por shumë të rëndësishme që ka.

Kryeministri Rama: Shumë faleminderit. Është kënaqësi e shumëfishtë që kemi pritur sot edhe një nip nga Voskopoja dhe jemi të gatshëm për t’ju përgjigjur pyetjeve.

Përgjigjet e pyetjeve

Kryeministri Ponta: Mesa shikoj punët në Shqipëri, midis zotit Kryeministër dhe zotit President, ecin më mirë se në Rumani. Por dua të shpreh një opinion shumë të qartë përsa i përket situatës në Rumani. Bëhet fjalë për një nen të Kodit Penal, i cili sanksionon mediat përsa i përket shpifjeve. Sapo bisedoja tani që mund t’i ofrojmë Shqipërisë një model përsa i përket lirive të Bashkimit Evropian dhe në mënyrë të veçantë lirinë e shtypit. Kështu që unë mendoj se parlamenti mori vendimin e duhur duke mos e konsideruar si krim atë që diskutohet në shtyp. Shpresoj që kjo nismë të rivotohet në parlament. Sidomos duke menduar se krijohen shumë situata, të cilat nuk i dëshiron askush. Dje, Gjykata e Lartë dha një vendim, i cili u kritikua shumë nga ana e shtypit të zotit President Basescu dhe nuk doja që kjo shtyp të inkriminohej penalisht. Besoj se liria e shtypit duhet të respektohet, edhe kur komentohet qeveria. Njerëzit politikë dhe unë e dimë që e kemi detyrim që të mos komentojmë asnjëherë vendimet e drejtësisë, por shtypi duhet të jetë i lirë. Prandaj besoj se zoti President ka gabuar, në momentin kur ka dërguar në parlament për rivotim, atë nen. Shpresoj të kem qenë i qartë për shtypin rumun. Ndërsa përsa i përket zotit Kryeministër, do t’ia shpjegoj më vonë se për çfarë bëhet fjalë. Por jam i bindur që ndan me mua mbështetjen për lirinë e shtypit.

Kryeministri Rama: Këtë ligj që ju në Rumani s’e keni votuar akoma, ne e kemi votuar në Shqipëri. Ju jeni në Bashkimin Evropian, ne s’jemi akoma. Edhe kjo është një arsye që të na mbështesni edhe më fort që të bëhemi edhe ne pjesë e Bashkimit Evropian.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin bëri një paralelizëm ndërmjet Krimesë dhe Kosovës. A qëndron një paralelizëm i tillë?

Kryeministri Ponta: Jo! Nuk e mbështes paralelizmin, besoj se ka diferenca themelore. Besoj se është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet e Bashkimit Evropian të kenë një pozicion shumë të qartë për atë që tashmë përfaqëson një krizë, në mënyrë të padiskutueshme në të gjithë Evropën dhe ajo që mund të çojë në të ardhmen në atë që ka qenë një Luftë e Ftohtë.

Situatat nuk ngjajnë midis tyre. Nga pikëpamja jonë besoj se duhet mbështetur Ukraina, ashtu si Moldavia dhe Gjeorgjia në rrugën e tyre demokratike drejt integrimit evropian. Ashtu si dhe thashë më parë, Rumania beson se kjo zonë e Ballkanit Perëndimor do të jetë e sigurt dhe e mirëqenë vetëm në momentin kur të gjitha vendet e këtij rajoni do të jenë anëtare të Bashkimit Evropian.

Kryeministri Rama: Besoj që përgjigja e Kryeministrit Ponta, si dhe përgjigja e gjithë botës demokratike, edhe përgjigja e Shqipërisë, në përmasën dhe në vendin që na takon, nuk lë vend për asnjë ekuivok. Paralelizmi është tërësisht pavend. Sikundër, edhe vetë ndërhyrja ruse shkon në sensin e kundërt të historisë.

Faleminderit!

KOMENTE