English

Bozdo: “Rama i paaftë dhe xheloz. Kërkon sërish të bllokojë bulevardin e ri”

Vetëm një ditë pas vendimit të gjykatës që urdhëroi rifillimin e punimeve për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës, Edi Rama ka urdhëruar përsëri bllokimin e kësaj vepre strategjike. Edhe kësaj radhe, në mënyrë absurde dhe të paligjshme ka urdhëruar shkeljen e ligjit për pushtetin vendor, duke imponuar në mënyrë të paligjshme “ngrirjen” e fondit për shpronësimet në bulevardin e ri.

Edi Rama nuk i duron dot veprat. Paaftësia e tij si kryeministër dhe xhelozia për këtë kantier të madh të kryeqytetit, i vetmi ku punohet sot në Shqipëri, e shtyjnë atë drejt këtyre veprimeve antiligjore. Nën këtë kllapi xhelozie dhe revanshi, Edi Rama ka një dhe vetëm një objektiv: bllokimin e projekteve të Bashkisë së Tiranës me çdo çmim.

Bllokoi buxhetin, bllokoi shpronësimin për varrezat publike, bllokoi kreditë për të pastrehët, bllokoi bulevardin, uli në mënyrë të jashtëligjshme të ardhurat e Bashkisë së Tiranës dhe po bën gjithçka për të penguar mbarëvajtjen e punëve në kryeqytet.

Bashkia e Tiranës e ka informuar zyrtarisht prefektin, se “ngrirja” e fondit për shpronësimet në bulevardin e ri është në kundërshtim të ligjit: “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”.

Urdhëruesi i këtij veprimi antiligjor dhe konfliktual, Edi Rama po skalit çdo ditë e më fort emrin e tij si kryeministri i bllokimit, paaftësisë dhe dufit ndaj qytetarëve të Tiranës.

KOMENTE