English

Basha: “Rama bllokon se s’ka çfarë të ofrojë”. Edi Rama rrit taksat dhe po bëhet gati të vendosë taksa të tjera mbi qytetarët

Basha: “Rama bllokon se s’ka çfarë të ofrojë”

Banorët që jetojnë përgjatë rrugës së Kokonozëve nuk do të përjetojnë më pluhurin e verës dhe baltën e dimrit. Për herë të parë, kjo rrugë është asfaltuar dhe sjellë në standardet më të përparuara. Përveç rrugës i është dhënë fund edhe erës së keqe dhe burimit të infeksionit që ishte kanali i ujrave të zeza, që për shumë vite kërcënonte jetën e banorëve. Siç tregojnë banorët, për vite me rradhë, ish - kryebashkiaku e premtonte por asnjëherë nuk e shndërroi në realitet, edhe pse iu besuan 3 mandate në drejtim të Tiranës.

“Ne asnjëherë nuk do të harrojmë se si ka qenë kjo zonë, për vite e vite me radhë. Pamë për 11 vite rresht se si u rritën fëmijët tanë në shoqërinë e atij kanali famëkeq, këtu poshtë, në shoqërinë e baltës, sëmundjeve, minjve. Sot, jemi shumë të lumtur që ky kapitull ka përfunduar njëherë e mirë. Falënderojmë kryetarin e Bashkisë, z. Basha, për premtimin e mbajtur dhe një falënderim të veçantë për firmën e cila ka kryer një punë shumë cilësore” - deklaroi një banor i zonës.

Me një investim prej 79.4 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës i ka dhënë një standard të munguar kësaj zone. Rruga e Kokonozëve është një segment që lidh rrugën “Dalip Topi”, deri në rrugën “Marie Kraja”, në njësinë bashkiake nr.3, Tiranë, me gjatësi 790 metra linearë. Në këtë rrugë janë ndërtuar rrjetet e kanalizimeve të ujrave të zeza dhe të bardha, janë vendosur 39 shtylla të ndriçimit rrugor, janë mbjellë 115 pemë. Në inaugurimin e kësaj rruge, kryebashkiaku Basha ka shprehur kënaqësinë e një premtimi tjetër të shndërruar në realitet.

“Më vjen mirë që pas më shumë se një dekade harrese, neglizhence por pse jo edhe gënjeshtrash ndaj banorëve, më në fund Bashkia e Tiranës ka marrë përgjegjësitë e saj para këtyre qytetarëve, para këtyre taksapaguesve dhe u ka dhënë një infrastrukturë moderne dhe europiane, në çdo parametër të saj, me trotuarë, kolektorë, fibra optike, ndriçues modernë dhe me gjelbërim, mbi 150 fidanë pemësh janë mbjellë dhe besoj se herën tjetër do të jemi këtu për shijuar një kafe, në një nga lokalet e këtij mini-bulevardi, bashkë me banorët e lagjes” - u shpreh kryebashkiaku Basha.

Kryebashkiaku Basha ka shprehur keqardhjen e tij për përpjekjet e vazhdueshme të kryeministrit për të bllokuar punët e nisura dhe të munguara për shumë vite në Bashkinë e Tiranës.

“Në këto punë, për fat të keq, gjithnjë e më shumë Bashkisë së Tiranës po i vihen “shkopinj nën rrota”. I është shpallur një luftë politike dhe po has bllokime në çdo cep, që nga varrezat tek buxheti apo siç e patë dje. Unë e ndoqa nga Brukseli, për fat të keq, ku ndodhesha në detyrën time si kryetar i PD, për të lobuar për statusin kandidat pranë partive simotra, pranë partisë së Angela Merkel dhe partive të tjera, për t’u dhënë shqiptarëve që e meritojnë statusin kandidat, ndërkohë që këtu kishte një shfaqje tërësisht jo europiane, bllokimi i bulevardit të Tiranës. Është bllokimi i fundit, në serinë e bllokimeve që Edi Rama i bën Bashkisë së Tiranës të cilën vetë e ka udhëhequr për 11 vite, si kryetar i Bashkisë.” – deklaroi z. Basha.

Kryebashkiaku Basha ka kërkuar nga Edi Rama të heqë dorë nga bllokimi, nuk i vlen askujt. Zoti Basha i ka kërkuar kryeministrit të heqë dorë sa nuk është vonë nga bllokimi, pasi qytetarët e gjithë Shqipërisë do të dinë fare mirë t’i japin atë që meriton.

“Bllokimi u vlen vetëm atyre që nuk kanë ofertë për qytetarët e Tiranës, nuk kanë ofertë për qytetarët e Shqipërisë, u vlen atyre që nuk kanë asnjë punë për të treguar dhe që xhelozohen me punët e tjera të mira që po kryhen, u vlen atyre që nuk kanë ofertë për vendin. Qytetarët kërkojnë punë, Edi Rama po shkatërron vende pune, nuk po krijon të reja. Qytetarët duan qetësi, Edi Rama krijon konflikt të përditshëm, në Parlament dhe jashtë Parlamentit. Qytetarët duan siguri, Edi Rama thotë: - “kriminelët të vrasin njeri-tjetrin!”. Qytetarët duan mirëqenie, Edi Rama rrit taksat dhe po bëhet gati të vendosë taksa të tjera mbi qytetarët. Kur ke këtë bilanc zero, normalisht që i vërsulesh punës së të tjerëve, sepse është “halë në syrin tënd”.

Sot, dua t’i kthej këtë përgjigje zotit kryeministër, jo në emrin tim personal, as në emër të PD por në emër të Bashkisë dhe qytetarëve të Tiranës: - Hiq dorë nga bllokimi dhe lufta politike kundër Bashkisë së Tiranës! Po lufton qytetarët e këtij qyteti, po lufton mirëqenien e tyre, po lufton veprat që u shërbejnë atyre. Hiq dorë, sa nuk është vonë, përndryshe qytetarët e Tiranës, qytetarët e gjithë Shqipërisë do të dinë fare mirë t’i japin atë që meriton, njeriut që nuk u shërben qytetarëve, njeriut që merr ata peng, të ardhmen e qytetarëve! Njeriu që përpiqet çdo ditë për interesa të ngushta personale, të marrë peng fatin, mirëqenien e qytetarëve, do ta ketë përgjigjen e qytetarëve.”

KOMENTE