English

Rama biznesit fason: heqja e gjithë taksës së punës për të punësuarit e rinj, për një periudhë të caktuar kohore

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në inaugurimin e një fabrike të biznesit fason, “Alba shoes group” , në Kamzë. Në këtë fabrikë me cikël të mbyllur, e cila ka filluar punën rishtazi janë punësuar 450 punonjës të rinj.

Në takimin me sipërmarrësit dhe punonjësit, kryeministri prezantoi, disa prej masave konkrete që qeveria do të ndërmarrë për të ridimensionuar një hapësirë krejt të re të këtij sektori, në ekonominë e vendit.

Ndër 42 masa të reja, të paketës për fasonët, të cilat reflektojnë kërkesat dhe sugjerimet e këtij biznesi, kryeministri veçoi realizimin e uljes së nivelit të riskut në doganë, duke kaluar kështu nga dy-tre ditë, në disa orë. “Ne, në paketën që kemi për fasonët, pjesën e doganës do t’a trajtojmë në mënyrë specifike me risk të ulët dhe kështu që, nga një ditë e dy ditë do kalojmë në pak orë.” - u shpreh ai. Kjo masë u prit me interesim të veçantë nga sipërmarrësi, i cili u shpreh se zbatimi i saj do të ndihmonte shumë.

Një risi po kaq të rëndësishme për sipërmarrësit, paraqiti edhe fakti se kontributet e tyre përmes tatim-fitimit, do të kthehen sërish tek ta, për të nxitur trajnimet profesionale dhe shtimin e punonjësve të rinj. “Të ardhurat që, ne do të marrim nga kontributi juaj përmes tatim-fitimit do t’i bashkojmë me një fond tjetër të nxitjes së punësimit dhe do t’i kthejmë prapë tek ju për të nxitur trajnimet profesionale, për pjesën që ka të bëjë me punët më të sofistikuara në proces, për të mbështetur marrjen e punonjësve të rinj.” -shpjegoi për ta Kryeministri.

Duke qenë se qeveria e sheh të lidhur ngushtë biznesin fason me punësimin, Kryeministri nënvizoi se një ndër lehtësitë në ndihmë të këtij biznesi do të jetë heqja e gjithë taksës së punës për të punësuarit e rinj, për një periudhë të caktuar kohore “ Të gjithë pjesën e sigurimeve do t’a marri përsipër shteti në mënyrë që, t’i japim një shtysë akoma më të fortë dhe të shkojmë në shifra të paarritura më parë të punësimit në këtë sektor.” -u shpreh Kryeministri Rama.

Nga ana e tyre, sipërmarrësit mirëpritën këto masa të reja, duke theksuar se tashmë ndihen më të sigurt për zhvillimin me sukses të biznesit të tyre. Ata u shprehën ndër të tjera se edhe rimbursimi i cili dikur ka qenë problem për ta, tashmë nuk paraqitet si i tillë. Gjithashtu garantuan se grupi “Alba Shoes Grup” brenda 6 mujorit shtator-tetor do të arrijë në 2000 punëtorë nga 1650 punëtorë që ka deri më tani ky grup në fabrikat e Durrësit, Laçit dhe Kamzës. “Ne ju garantojmë që grupi “Alba Shoes Grup” që, ka aktualisht 1650 punëtorë, brenda 6 mujorit shtator-tetor arrin 2000 punëtor. I arrin pa problem sepse lehtësitë që po na krijohen tani me doganat, me rimbursimin sepse dikur ka qenë shumë problem. Tani në momentin që bëjmë kërkesën për rimbursim i kemi organet tatimore që të vihen direkt.” -u shpreh sipërmarrësi. Për sa i përket kësaj çështje Kryeministri theksoi se “Rimbursimi do të jetë automatik brenda 60 ditësh për të gjithë.”

Sipërmarrësit e informuan Kryeministrin se biznesi i tyre do të zgjerohet edhe në Vlorë, ku do të punësohen të paktën 300-400 punëtorë, nga shtatori e në vijim. Kryeministri e mirëpriti këtë nismë, duke nënvizuar se qeveria do të nxisë e mbështesë zhvillimin e çdo biznesi vendas, njësoj si edhe për investimet e huaja. “Ne do t’a bëjmë menjëherë procedurën dhe do të krijojmë mundësi për zgjerimin sepse ajo që kemi bërë për të nxitur investimet e huaja nuk diskutohet që vlen edhe për të gjithë ata që investojnë këtu në Shqipëri.”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Edi Rama në këtë vizitë shoqërohej edhe nga Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.

KOMENTE