English

Kruja: që kur qeveria erdhi në pushtet zyrtarët demokratë, objekt i sulmeve të rënda

Pas ngjarjes së rëndë të goditjes me antitank të Fatbardh Plakut dhe familjes së tij, deputeti Kruja bën përgjegjëse qeverinë që nuk siguron rendin dhe qetësinë në vend.


"Një akt i rëndë terrorist është është kryer sot ndaj Kryetarit të Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku, dhe familjes së tij, kur banesa e tij është goditur me anti-tank në orët e para të mëngjesit.

Partia Demokratike e dënon ashpër këtë ngjarje, dhe gjendet sot në krah të Bardhit dhe familjes së tij.

Partia Demokratike e konsideron këtë ngjarje, si një sulm burracak ndaj një të zgjedhuri vendor, ndaj një zyrtari demokrat të votuar nga qytetarët, që është njëkohësisht kryetar i shoqatës së komunave të Shqipërisë.

Partia Demokratike është e shqetësuar se prej 7 muajsh, qysh se kjo qeveri ka ardhur në pushtet, të zgjedhurit dhe zyrtarët demokratë kanë qenë vazhdimisht objekt i sulmeve të rënda që kanë kërcënuar jetën e tyre dhe të familjeve të tyre

Por kjo ngjarje e rëndë është më shumë se sa një sulm banditesk ndaj një të zgjedhuri demokrat. Kjo ngjarje është dëshmi e qartë e kapitullimit të rendit dhe të aftësisë së kësaj qeverie për të siguruar jetën dhe pronën e qytetarëve.

Atentati ndaj kryetarit të Komunës më së paku e bën qeverinë përgjegjëse që nuk arrin të sigurojë rendin dhe qetësinë në vend, por përkundrazi ka krijuar rrethana të favorshme për krimin, dhe goditjen e zyrtarëve demokratë.

Partia Demokratike kërkon zbardhjen e menjëhershme të kësaj ngjarjeje, zbulimin e autorëve dhe mbështetësve të tyre.

Ne i bëjmë të ditur sot autorëve, dhe nxitësve të tyre, që nuk trembemi, dhe nuk tërhiqemi nga misioni ynë, përballë kësaj dhune çnjerëzore", është shprehur deputeti Kruja.

KOMENTE