English

Bylykbashi:Sërish dëshmitarë të një thyerje flagrante të rregullores

Prononcimi i deputetit Bylykbashi pas ndryshimit të papritur të axhendës së komisionit të ligjeve.

Sot u bëmë sërish dëshmitarë të një thyerje flagrante të rregullores nga ana e Kryetarit të Komisionit të Ligjeve dhe maxhorancës në këtë komision. Janë dy çështje bashkë; çështja procedurale dhe një çështje substance. Vetëm dy ditë më parë miratuam kalendarin siç e kërkon rregullorja dhe pa asnjë paralajmërim, kryetari i komisioni ka ndryshuar rendin e ditës pa një njoftim të përshtatshëm dhe në kohë për anëtarët e komisionit për avancim në axhendë të çështjes të shqyrtimit të kandidaturave për komisionerë të Avokatit të Popullit. Në aspektin procedural kjo është një thyerje e vazhdueshme e fundit në radhë e cila në vetvete nënkupton një shembull dhe një provë të arrogancës të maxhorancës të cilës nuk i intereson procedura, nuk i intereson rregullorja. Mesa duket, më kot u ankuan vite rresht për hapësirë të munguar për opozitën në Parlament nga maxhoranca sepse pikërisht ditën që mori pushtetin, edhe pse kemi rregullore të ndryshuar tashmë me konsensus, kjo maxhorancë nuk e respektoi. Nuk e respektoi në rastin e ILDKP-së ku nuk u la nen i rregullores pa u thyer nga Komisioni i Ligjeve dhe nga seanca plenare, nuk u respektua në rastin e AMA-s ku në mënyrë të rrufeshme u kalua në këtë komision me një ndryshim që shkel çdo lloj standardi. Pra nuk është gjë tjetër veçse një ngushtim arrogant i hapësirave që opozita duhet të ketë në Parlament.

Ndërsa në aspektin e substancës, sot diskutoheshin kandidatura të një institucioni shumë të rëndësishëm kushtetues, siç është Avokati i Popullit. Mesa duket maxhoranca e ka mbledhur mendjen me kandidatura të selektuara tashmë prej saj, e kanë përcaktuar se kush do të jetë dhe nuk u intereson asnjë lloj debati i informuar në komision për të vënë në pah aftësitë por edhe të metat e kandidaturave të propozuara. Sigurisht nuk është gjë tjetër veçse një farsë, por e mbuluar me pak vello procedure në Parlament si ajo me të cilën miratuan Avokatin e Popullit. Kështu që në këtë thyerje që bëjnë, nuk kishin pse të mundoheshin dhe të prisnin mbledhjen e komisionit por mund ti zgjidhnin kandidaturat në selinë e Partisë Socialiste me Avokatin e Popullit që sot është në detyrë. Unë besoj se kjo nuk është prova e fundit dhe me siguri do të vazhdojnë, por ne do ta denoncojmë sërish shkeljen e rregullores sepse mendojmë se rregulli për ta nuk vlen për sa kohë që ata kanë siç thonë, votën. Në fakt, çdo ditë e më tepër i faktojnë të gjithëve se u vlen vetëm pushteti pavarësisht se si e kanë marrë.

Pyetje: Fakti që u shty ligji për nëpunësin civil, çdo të thotë kjo për Partinë Demokratike?

Edhe kjo është një thyerje e procedurës. Në fakt Komisioni i Ligjeve nuk e kishte për asnjë moment në kalendarin e miratuar pardje, këtë çështje. E për rrjedhojë nuk mund të diskutohej në seancë plenare e parashikuar për nesër, pa u shprehur komisioni përgjegjës. Kjo është një shkelje flagrante dhe nga ana tjetër Edi Rama përpiqet që ta shesë si një si konsensus ose si një kartë mirëbesimi në pritje të diskutimeve konsensuale. Edhe në këtë rast i intereson mesazhi fals që i japin publikut por ndërkohë që e vërteta është krejt e ndryshme. Në lidhje me çështjen e nëpunësit civil, i vetmi konsensus që vlen është ai i datës 30 maj 2013. Çdo gjë tjetër është thyerje e saj. Ishte thyerje antikushtetuese akti normativ por edhe ky projektligj është thyerje, sepse ringjall aktin normativ në lidhje me shtyrjen e hyrjes në fuqi. Nga ana tjetër bën një sërë ndryshimesh pa asnjë lloj konsensusi të një numri dispozitash, që më parë ishim dakord. Kemi një ligj që nuk ka filluar ende zbatimin dhe në mënyrë qesharake ndryshohet pa bërë një muaj nga zbatimi. Qëllimi i vetëm është shpartallimi i administratës dhe mbushja jo vetëm me militante por edhe me klientë politikë që paguan për vjedhjen e votave dhe sot ne po i denoncojmë përditë e që janë me afera korruptivë e penalë e që të gjithë janë dëshmitarë për këtë.

KOMENTE