English

Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon akses në kontrollin e tatimeve? Braçe: Nuk mund të ndodhë (VIDEO)

Me ligjin e ri qe pritet te miratohet se shpejti, Kontrolli i larte i shtetit, nuk do te auditoje koncensionet, dhe nuk do te kete shume hapesire për te marre informacion tek Tatimet. Ajo çka i mbetet KLSH-se eshte te kerkoje, zbatimin e rekomandimeve.
Raportin e vështirë me organet tatimore, Kontrolli i lartë i shtetit ka mundësi të mos e zgjidhë as me ligjin e ri. Pretendimet e kryetarit, të auditit të jashtëm, janë përtej kufijve ligjorë.
E ndërsa raporti me tatimet ngjalli debat, auditimi i zbatimit të koncesioneve të dhëna nga shteti u hodh poshte në komisionin e ekonomisë, pasi sipas tyre bie ndesh me kushtetutën, auditimi i aktiviteteve private.
Gjatë diskutimit të projektiligjit të KLSH-së, drejtuesi i këtij institucioni i kërkoi kuvendit të detyrojë institucionet të zbatojnë vendimet e klsh-së. Sipas Leskajt, me ardhjen në pushtet të qeverisë së majtë, zbatueshmëria e vendimeve të KLSH-së ka rënë nga 70% në masën 50%.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, i kërkoi komisionit të Ekonomisë të përfshinte në projektligj të drejtën e KLSH-së për të audituar procesin e mbledhjes së të ardhurave publike. “Në rast se ju doni ta përfundoni me sukses këtë proces, tregohuni korrekt me parimet dhe standardet ndërkombëtare të auditimit. Ky nen për vet problematikën që shqetëson vendin, të ardhurat publike në Shqipëri, duhet të jetë i shprehur në mënyrë shumë të qartë, që asnjë drejtor tatimesh apo ministër financash nuk mund të pengojë KLSH-në të auditojë procesin e mbledhjes së të ardhurave publike”, deklaroi Leskaj. Kreu i KLSH-së sqaroi se nuk kërkojmë të auditojmë subjektet private.

“Nuk është në filozofinë e punë sime. Unë kërkoj të auditoj vlerësimin tatimor”, theksoi ai. Leskaj kërkoi po ashtu që intitucionet qendrore e vendore të jenë të detyruara të zbatojnë vendimet e KLSH-së që kanë të bëjnë me ndëshkimin e zyrtarëve që abuzojnë me detyrën. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, tha se propozimi i sjellë nga KLSH-ja që kërkon të shkojë deri te personi fizik, deri te privatët nuk mund të miratohet. Por, Leskaj tha se unë kërkoj të auditoj vlerësimin tatimor dhe jo vetëdeklaratën tatimore. Braçe sqaroi se vlerësimi tatmor nëse auditohet nga KLSH do të kërkojë të krahasohet me deklaratën tatimore. “Kjo nuk duhet të ndodhë”, deklaroi Braçe.

Ridvan Bode propozon që KLSH të ketë akses tek deklaratat e subjekteve private, por me dy kufizime.

"Kufizimi i parë që nuk duhet të bëjë dhe nuk mund të bëjë vizita fiskale tek subjektet dhe kufizimi tjetër, që në rekomandime nuk mund të përfshihen rekomandime për subjektet private, që kanë të bëjnë me rivlerësime apo më rritje të të ardhurave", tha Bode.

Çështja me tatimet duket se do të mbetet një pikë e nxehtë e draftit dhe një shqetësim i madh publik, për atë se cili do të jetë kontrollori i kësaj pike tepër të nxehtë dhe shpesh konfliktuale.
2098

KOMENTE