Fjala e Kryeministrit Rama, mbajtur në bashkëbisedimin me banorë të Paskuqanit diten e djeshme 26 Mars 2014:
Ju falënderoj që keni ardhur këtu.
Para pak orësh, në mbledhjen e Qeverisë miratuam ndryshimet në themel që i kemi bërë ligjit të legalizimeve. Këto ndryshime do t’i kalojnë për miratim përfundimtar Parlamentit dhe do të na garantojnë që ne t’i qëndrojmë atij zotimi që ju kemi dhënë dhe që ju, edhe si ju mbi 200 000 familje që presin prej vitesh pa fund legalizimin, të mund të bëheni pronarë legjitim të shtëpive tuaja. Shtëpitë tuaja të mund të kthehen nga kapitale të vdekura, siç janë sot, që nuk ekzistojnë në letrat e shtetit, në kapitale të qarkullueshme që do të ndihmojnë ekonominë e familjes suaj.
Ne kemi pasur një plan shumë të qartë për legalizimet dhe dua ta kujtoj, sepse besoj është me rëndësi që unë personalisht, së bashku me Artan Lamen dhe disa të tjerë kemi qenë të parët në Shqipëri që kemi folur për legalizimet. Kemi qenë të parët në Shqipëri që kemi bërë një plan konkret legalizimesh kur ishim në Bashkinë e Tiranës, në fillim të rrugëtimit tonë për të transformuar Tiranën. Plani ynë pësoi një ndryshim të rëndësishëm në fund të fushatës sonë, kur duke dëgjuar njerëzit, duke ballafaquar ato që dëgjonim me informacionet që merrnim nga brenda ALUIZNI-t dhe raporteve të njësive vendore, u përballëm me faktin që familje të panumërta në 8 vitet e fundit kishin përgatitur letra, dokumente, dosje, deri dhe tre herë. Kishin paguar dhe stërpaguar për të marrë më në fund shërbimin. Në 8 vjet, 160 mijë familje që i kishin kryer këto procedura nuk kishin marrë kurrë asnjë lloj përgjigje dhe nuk u kishte trokitur njeri në derë t’u thoshte “erdhëm të verifikojmë se çfarë keni deklaruar dhe çfarë keni ndërtuar realisht”. Atëherë, vendimi ynë ishte shumë i qartë. Si mund të kërkojmë ne nesër, si Qeveri, lekë për legalizimet. Si mundet ne t’u themi njerëzve të vazhdojnë të paguajnë për një procedurë pa fund, ndërkohë që shteti të rri mbyllur në zyrë?! Dhe jo vetëm të rri mbyllur në zyrë, por t’i presë hallexhinjtë që vijnë për të legalizuar, siç pret gjahtari prenë që i del tek prita.
Për këtë arsye, ne morëm vendimin që gjithë procesin e legalizimit ta bëjmë falas. Sot kemi ardhur këtu për t’ju thënë se pikërisht këtë parashikon edhe ndryshimi themelor që i kemi bërë ligjit ekzistues, jo vetëm, duke mos kërkuar më asnjë lekë, nga asnjë familje për procesin e legalizimit, por duke u organizuar që shteti të vijë tek ju dhe jo ju të shkoni tek shteti. Tani e kuptova pse të gjithë po dëgjonin gjysmë të ngrirë se çfarë do na dali tani, aq më tepër që Artani vajti dhe ju kujtoi atë plakun, që ju tha - “Edi Rama është armiku juaj dhe po ja dhatë votën do t’ju thotë ikni nga keni ardhur”. Në fakt, unë po vij ku keni ardhur dhe jo për t’ju thënë “ikni nga keni ardhur”, por të thënë “rrini këtu ju dhe të rrinë aty ku janë të gjitha ato familje që kanë lënë vendin e lindjes për një jetë më të mirë”. E për të gjitha ato familje që kanë lënë vendin e lindjes për një jetë më të mirë e që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre, ne ndiejmë detyrimin e madh që t’u japim një dorë pas kaq shumë vite talljesh, gënjeshtrash e zhgënjimesh dhe ta bëjmë këtë rrugë së bashku, për t’u ndarë në fund të rrugës me dokumentin që pronën tuaj e kthen në pronë të njohur nga shteti.
Nga ana tjetër, dua t’ju them se përveç hallit të parë që është zvarritja pa fund për të marrë legalizimin që s’erdhi kurrë, halli i dytë, që përveç pagesës së shtetit ju është dashur të paguani edhe faturën e pushtetit, kemi konstatuar dhe hallin e tretë, që dy vitet e fundit janë hapur një numër i pafund gjyqesh për shkak të legalizimeve kuturu. Ajo që është më e rëndësishme dhe më e turpshmja për ata, të cilët deri dje e morën sa herë që deshën votën tuaj dhe ju kanë lënë sot në mes të rrugës, është që shumica dërrmuese e këtyre legalizimeve të bëra janë legalizime korruptive. Janë legalizime jo të shtëpive të njerëzve të varfër, por janë legalizime të njerëzve që kanë ndërtuar për qëllime fitimi, hotele, restorante, bare, duke zënë tokën publike dhe duke zënë akset e rrugëve. Nuk kanë pasur as kohë, e jo më dëshirë, të merren me ju, por janë marrë me ata të cilët nuk duhet të legalizoheshin. Dhe nëse ne do të bëjmë të gjithë procesin e legalizimit falas për ju, ne do të marrim lekët një më një për të legalizuar ata që kanë ndërtuar pa leje për qëllime fitimi dhe që nxjerrin fitime nga ato ndërtime. Në qoftë se duan t’i mbajnë ato ndërtime, duhet të paguajnë. Ky është ndryshimi. Ne e njohim legalizimin si detyrim për të gjithë ata që kanë ndërtuar një shtëpi për të futur kokën, me sakrifica të jashtëzakonshme, që secili nga ju mund të tregojë këtu. Dhe jo për të legalizuar krime të bërë mbi atdheun tonë të përbashkët. Ky është ndryshimi.
Po ashtu siç e kemi thënë dhe në fushatën tonë elektorale edhe i qëndrojmë asaj, ne nuk do të marrim para për procesin e legalizimit nga ata që kanë ndërtuar një shtëpi, por sigurisht, ata që kanë dy shtëpi, shtëpinë e dytë do ta paguajnë, siç ata që kanë tre shtëpi e kështu me radhë. Kjo do të thotë që kush ka një shtëpi në Tiranë dhe kush ka një vilë në plazh pa leje, në rast se ajo vilë nuk dëmton projektin e rehabilitimit apo projektin e rindërtimit, apo projektin e transformimit të asaj zone, do të legalizohet dhe do të legalizohet me faturë të plotë. Legalizimi bëhet, në radhë të parë, si një borxh ndaj gjakut, sakrificave dhe mundeve të pafundmë të atyre që janë sot pronarë të një shtëpie, ku kanë hedhur gjithçka që kanë patur, siç jeni ju këtu, siç janë qindra mijëra si ju, që gjithçka çfarë kanë kursyer e kanë hedhur tek muret e shtëpisë. Për ata është bërë legalizim, pastaj të tjerët, të rrinë në radhë dhe të paguajnë.
Paketa jonë është bërë shumë e plotë, por unë dua t’ju them vetëm disa aspekte sot. Ju jeni bërë juristë - profesionistë që të gjithë për të lexuar ligjin e legalizimeve, e dini atë përmendesh. Me siguri, kur të lexoni ndryshimet do ta kuptoni fare lehtë se si kanë ndryshuar të gjitha gjërat.
E para që ndryshon është që skema e veprimit kthehet në të kundërt. Pra nuk është qytetari, nuk është familjari që shkon tek shërbimi, por është shërbimi që vjen tek familja.
E dyta, skema e vlerësimit të trojeve. Dhe këtu, tek trojet, do të flas më pas se ka tre kategori të ndryshme. Skema e vlerësimit të trojeve, përsa i përket atyre trojeve që janë me pronarë dhe për sa i përket atyre trojeve që janë shtetërore do të ndryshojë, sepse nuk mund të ketë të njëjtën vlere toka si në Tiranë edhe në Kukës. Nuk mund t’i kërkosh një familjeje që ka ndërtuar shtëpi në Kukës, të paguajë tokën sikur të jetë në Tiranë.
Nga ana tjetër, ne kemi ndryshuar rrënjësisht skemën e dokumentacionit. Kush do të bëjë dokumentacionin, që nuk e ka kryer sigurisht, se ata që e kanë kryer dhe që quhet dokumentacioni i plotë, siç janë këtu disa, do të marrin sot letrat dhe do ta mbyllin. Po jo letra si ato që kanë marrë disa dikur, për të dalë në televizor në fushatë, “Shaban-tapitë”, se me “Shaban-tapitë” mund të dilje në televizor, por në hipotekë nuk futeshe kurrë. Me letrat që do merrni ju sot dhe që do vazhdojnë të marrin përditë, përditë, përditë njerëzit në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë, do të shkoni në hipotekë e do të bëheni pronarë të shtëpisë suaj, përfundimisht.
Për të tjerët, skema do të jetë më e lehtë. Kush e ka bërë dokumentacionin thotë “aman më jep letrat, se s’po qaj më se çfarë kam hequr”. Kështu që hoqët çfarë hoqët, e hoqët se e mbajtët gjatë në kurriz atë që mbajtët edhe ajo është fatura. Këta të tjerët që po hyjnë tani në proces, që s’do ta kenë Qeverinë në kurriz, por do ta kenë Qeverinë në krah, do ta kenë më të lehtë. Ky është dhe ndryshimi që ka sjellë 23 qershori. Pa dashur të bëj politikë këtu, siç tha Lamja, sepse këtu ka shumë që nuk na ka dhënë votën, dhe nuk ka asnjë problem, ne do t’u japim tapinë. Edhe kjo është arrije tjetër, që votën s’e jep, tapinë e merr. Jo siç thoshin ata “më jep votën, që unë të vij ta masë shtëpinë”. Siç thoshte Shabani - “më jep votën, pastaj që të vij ta masë prapë”. Vinin vetëm e masnin për të marrë votën dhe merrnin votën e pastaj harronin metrin.
Një element tjetër. Ka shumë familje në zonat informale, se ne këtë proces e kemi të përqendruar tek zonat infomale, që të jemi të qartë, jo tek ata që kanë ndërtuar një shtëpi pa leje në qendër të Tiranës. Ai është një trajtim tjetër. Në zonat informate kanë shumë familje që janë në vështirësi ekonomike. Familje që jetojnë me ndihmë ekonomike apo familje që s’kanë mundësi të paguajnë. Edhe për këto familje do të ketë trajtim të posaçëm. Do t’jua shpjegoj më pas sesi do trajtohen në mënyrë të posaçme. Nuk do të trajtohen njësoj, sepse ne duam ta mbyllim këtë proces, nuk duam ta mbajmë zvarrë. Ne duam që kushdo që ka ndërtuar një shtëpi dhe shtëpia legalizohet, sepse nuk është e ndërtuar kuturu, diku që zë rrugën, por është diku në një lagje infomale, në një zonë informale dhe është e legalizueshme, ne duam që të mbyllim procesin dhe të japim në dorë letrat. Sesi do të ndodhë kjo për kategori të ndryshme, pak do t’a shpjegoj unë sot, por ju do ta lexoni dhe do ta kuptoni shumë qartë tek ndryshimet e reja. Sepse siç jua thashë, siç e dini ju dhe e di dhe unë, ata që janë marrë me këtë proces, dhe në çdo familje dikush është marrë me këtë proces, janë juristët më të mirë të legalizimeve në Shqipëri. Kështu që e kuptoni vetë nga ligji.
Këtu shoh njerëz që janë edhe më në moshë. Nuk janë vetëm të rinj, por janë pak më në moshë dhe besoj janë njerëz që e kanë ndjekur procesin që në fillim. Ju kujtohet kur patëm një debat ne socialistët me ata, demokratët? Kështu po i quajmë, për të kuptuar se për kë e kemi fjalën, se vetëm demokratë nuk janë. Ne thoshim se nuk mund të bëhet legalizimi thjesht dhe vetëm në formën “hajde t’ju japim letrat”, por duhet shoqëruar me urbanizim. Këta njerëz që kanë ardhur në periferitë e Tiranës dhe kanë lënë vendlindjen e tyre që nga Tropoja, Kukësi, Dibra apo Librazhdi, Korça, Mallakastra, kanë ardhur për të jetuar në qytet dhe nuk kanë ardhur të ndërtojnë një fshat afër qytetit. Po të ishte për fshat, fshatin e kanë shumë më të bukur atje ku e kanë, me ajër shumë më të pastër, me lëndina, me bagëti, me zogj, me kuaj e gjithçka dhe jo një fshat me beton e me baltë, ngjitur me qytetin. “Jo, - thoshin ata, - kjo do me thënë që doni t’i mbani peng”. Talleshin me ju. Në atë kohë edhe ju nuk ishit bërë kaq ekspertë sa ç’jeni bërë sot për këtë çështje. Shumica nga ju i dëgjuan ata dhe gjendja sot është ajo që ju jetoni. Fëmijët e atyre që anë ardhur 15-20 vjet përpara, sot janë bërë 15-20 vjeç. Ju nuk erdhët që t’i rrisnit fëmijët mes të baltës, pa një shkollë, pa një park sado të vogël e kështu me radhë. Kështu që ne do ta lidhim procesin e legalizimeve edhe me urbanizimin, por jo duke ju kushtëzuar juve. Fare!
Por dua vetëm t’ju them që ky është vetëm fillimi i një udhëtimi, që unë mendoj do ta kemi bashkë, më të gjatë se katër vjet, për të bërë nga njëra anë legalizimin dhe ju shpinë ta ktheni jo vetëm në një kështjellë që nuk vjen fadroma ta shembi, por ta ktheni në kapital të qarkullueshëm, ta përdorni për kolateral, të shkoni në një bankë të merrni një kredi, të hapni një biznes, të mbështesni studimet e fëmijëve, në mënyrë që të mos rrini me sytë nga qielli “o punë në shtet, o s’ka punë”, por të bëheni ju sipërmarrës të vegjël, të ndihmoni fëmijët të marrin shkollë më të mirë e kështu me radhë. Ky është kthimi i gjithë këtyre ngrehinave në kapital, futja e gjithë këtyre ngrehinave në ekonomi. Kjo gjë, do të shihni se nuk është fantazi, por është realiteti juaj i pas disa viteve. Se kur të hiqni këtë hallin e parë, që ju zgjati 20 vjet - do legalizohemi, s’do legalizohemi, do na i prishin, s’do na i prishin, do vijë Edi të na kthejë andej nga kemi ardhur, a s’do vijë Edi, - shumë më shpejt do futeni në logjikën tjetër, që me këtë tapi, me këtë pronë mund t’i drejtohem institucioneve bankare e të marr një kredi për të bërë një aktivitet timin si familje. Kështu ka ndodhur kudo, në gjithë ato vende e në gjithë ato zona të varfra, se nuk jemi të parët ne që e kalojmë këtë proces, kur ky kapital i vdekur, - siç quhet kur është i palegalizuar,- kthehet në kapital që qarkullon.
Dua t’ju bëj një përmbledhje të gjërave që ju i dini, por që vlen të rikujtohen për të qenë të qartë, më konkretisht se çfarë do të bëjmë ne. Çfarë kam parasysh unë kur them se shteti, shërbimi do vijë te qytetari, do vijë te dera juaj dhe jo ju të shkoni prapë t’i bini derës dhe të prisni si do shkojë kjo punë.
Do të thotë që administrata, ata që do kenë këtë [dokumentin e identifikimit] në qafë, pa këtë mos i besoni, madje shiheni mirë, se në Shqipëri s’ka gjë që nuk falsifikohet, pra, administrata do të vijë e do të merret me gjithë procedurën e dokumentacionit tuaj, do të bëjë të gjithë matjet e nevojshme. Vetëm në një muaj e gjysmë, - Artani tha dy muaj, por jo dy muaj, një muaj e gjysmë, se për vit të ri nuk ka ardhur njeri të bëjë matje, - mbi 5 mijë objekte janë verifikuar. Vetëm në një muaj e gjysmë! Dhe në hall të madh, sepse ALUIZNI, megjithëse duhet të ishte institucioni më i pasur në Shqipëri, sepse nga kontributet tuaja në ligj funksionon, është një trokë që juve nuk e imagjinoni dot, me borxhe, me rrëmujë, me letrat tuaja rrugëve. Është dashur më shumë se një muaj për të mbledhur letrat nëpër rrugë, nëpër korridore, nëpër dhoma, nëpër banja.
ALUZINI do të bëjë përllogaritjen e vlerës së truallit sipas kategorive, do të bëjë certifikatën gati, do të bëjë faturën e shërbimit, do të bëjë noterinë, do të bëjë kontratën e kalimit të pronësisë, në rast kur është pronësi që nuk është e juaja, sepse mos harrojmë një gjë, janë 67 mijë familje që kërkojnë legalizim e që janë në tokën e tyre. Dhe këto 67 mijë nuk kanë lidhje fare me asnjë lloj pagese, as trualli. Zero! Ndërsa të tjerët, sigurisht do të paguajnë vetëm për truallin, për të vazhduar me fondin e kompensimit të pronarëve, sepse as ne, as ju dhe askush s’e ka të drejtën të mos e bëjë këtë gjë. E ne kemi qenë shumë të qartë, pavarësisht se janë përpjekur të spekulojnë me ne. Kemi qenë shumë të qartë, ne do bëjmë falas legalizimin, ndërsa trualli, kur është i yti, s’ke asgjë fare për të paguar, kur s’është i yti, duhet të japësh një kontribut, sepse të intereson t’i japësh qëndrueshmëri, përgjithmonë, pronës që ke dhe jo të marrësh një “shabantapi” prapë.
Atëherë, juve keni pasur përpara, deri sot, një ligj që ju detyronte të paguanit tarifën e shërbimit për legalizim, të paguanit penalitet për vonesë në vetëdeklarim, të paguanit taksë ndikimi në infrastrukturë dhe vlerën e parcelës. Për vlerën e parcelës do të flas më mbrapa, se është një skemë komplet e re dhe jam i bindur se që të gjithë do të ngelen plotësisht të kënaqur.
Të parën, e thashë, të gjitha do t’i paguajmë ne. Asnjë lek nuk do paguani ju.
Të dytën, ne do t’i falim të gjitha penalitetet, - e kemi shkruar në ligj, - që janë krijuar deri më sot dhe që nuk janë paguar akoma nga ju. Janë shumë, por ne do t’i falim të gjitha. Nuk do t’ju kërkojë më njeri të paguani penalitetet.
Taksa e infrastrukturës nuk është një taksë që e merr qeveria, por është një taksë që e merr njësia vendore. Ne e kemi hequr nga ligji i legalizimeve. Pra, nuk e kemi hequr si taksë, sepse është një taksë që e merr njësia vendore, do të riorganizohet ndryshe në kohë, por nuk do të jetë kusht për legalizimin.
Ju nuk do ta paguani për t’u bërë pronarë të shtëpisë suaj. Ky është koncepti i ri.
Tek parcela dua të nënvizoj disa elementë. Njëri nga elementët, që është shumë i rëndësishëm, është që për parcelën, ne do të kemi edhe zbritje të llojeve të ndryshme, edhe përjashtime të plota. Duke u nisur gjithmonë nga ky fakt, kush ka ndërtuar pa leje në tokën që është e tij, ne s’kemi punë fare me parcelën e tij dhe nuk do të paguajë asgjë, as për tokën. 67 000 familje. Ndërsa kush ka ndërtuar në tokë të tjetrit, s’mund t’i kërkojë kurrë Qeverisë dhe ne nuk mund ta bënim kurrë që t’i falim një pasuri që s’është e jona, por është e të gjithë shqiptarëve dhe e pronarëve, në mënyrë të veçantë.
Atëherë, për të gjitha objektet që janë në këtë lloj parcele, deri në 3-fishin e banesës, -në qoftë se banesa është 200 metra, deri në 600 metra, - çmimi i tokës do të jetë çmim favorizues për ju, pra, i tokës. Mbi 3-fishin e sipërfaqes do të kalojmë në një çmim tjetër, me çmim tregu, sepse të mbash edhe një park afër shtëpisë, për atë s’mund të paguash me çmim favorizues. Siç e thashë, objektet me qëllim fitimi, si dyqane, firma, lokale, etj., do të legalizohen duke e paguar vlerën e truallit, siç është deri më sot.
Siç thashë, banesa e dytë, kush ka deklaruar dy banesa, ose kush ka një banesë në Tiranë dhe një për pushime, do të legalizohen përsëri me vlerën e truallit, siç janë deri më sot. Nuk do të ketë rritje, siç kanë qenë deri më tani.
Vazhdojmë tani me legalizimin konkret të banesave, kur trualli nuk është i yti;
E para, qytetari mund të paguajë faturën me letra me vlerë, 30-50 %. Kjo praktikisht e ul detyrimin 20 %.
E dyta, nëse qytetari do që ta paguajë detyrimin të gjithë menjëherë, do t’ia ulim edhe 20% të tjera. Praktikisht shkon në gjysmën e çmimit fillestar.
Familjet që janë në skemën ndihmës ekonomike do të përfitojnë përgjysmim të drejtpërdrejtë të detyrimit, nga 30-50%, sipas rastit, sepse na duhet të bëjmë edhe pastrimin e të gjithë skemës. Se nuk mund të pranojmë të quhen skemë ndihme ekonomike, familje që kanë 2 vetura.
Ndërsa familjet që kanë pjesëtarë paraplegjikë ose tetraplegjikë, nuk janë pak, nuk do të paguajnë asgjë, edhe kur nuk janë në tokën e tyre. Këtë pjesë do ta marrë përsipër plotësisht shteti.
Nëse qytetari hyn në një nga këto faza, i dorëzohet dokumenti që e bën pronar. Nëse qytetari, edhe pas gjithë këtyre zbritjeve që ka mundësi t’i bëjë dhe ta mbyllë këtë histori dhe të bëhet pronar, deklarohet se prapë nuk paguan dot, atëherë objekti përsëri do të legalizohet dhe do të regjistrohet në Hipotekë me emrin e qytetarit, por me kufizim hipotekor. Kufizim hipotekor do të thotë që ti ke një detyrim dhe detyrimi është aty, që e kufizon pronën tënde. Ti me atë pronë nuk mund të bësh çfarë të duash. Ti mund ta shesësh, por kufizimin hipotekor do t’ia kalosh blerësit. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që, në qoftë se nuk paguan dot menjëherë, do të bësh legalizimin pa asnjë lek, do që ta fusësh në kufizimin hipotekor, kur të paguash nuk do të përfitosh nga 20 % i uljes që përfiton sot. Do ta paguash me vlerë të plotë, siç i takon atyre që nuk paguajnë menjëherë. Kush paguan menjëherë i ulet 20 %, plus letrat me vlerë.
Nëse edhe pas 1 viti e ke legalizuar, e ke lënë me kufizim hipotekor dhe përsëri nuk e ke paguar, atëherë nuk do të përfitosh më as nga letrat me vlerë. Vlerën e ke të plotë. Të gjitha përfitimet e tjera, që marrin ata që shkojnë më shpejt, të hiqen. Përsëri e theksoj, shtëpia është e jotja e në këto kushte lirisht shitet, blihet, jepet me qira, çohet edhe në bankë, merret edhe kredi, por kufizimi asnjëherë nuk është pozitiv në afatgjatë. Për më tepër pastaj, llogariteni që të vijë një qeveri tjetër e të thotë ta rrisim vlerën e kufizimit. Kjo është llogari që e bëni ju.
Praktikisht janë të gjitha kushtet, miqtë e mi, që ne ta mbyllim këtë proces me faqe të bardhë, të dyja palët. Qeveria ta mbyllë me faqe të bardhë këtë proces që është bërë “zhele” gjithë këto vite, duke ju kujtuar sa herë ka zgjedhje dhe duke ju kthyer kurrizin, edhe duke bërë korrupsion me këtë ëndërr tuajën. Por edhe ju dilni faqebardhë me fëmijët tuaj, sepse kurorëzoni më në fund, pas gjithë këtyre viteve një aspiratë që familjes t’i jepni jo thjeshtë një strehë, por t’i jepni pronën e ndërtuar me gjak, me djersë, me sakrifica që vetëm ju mund t’i tregoni.
Besoj që na takon të dy palëve të hyjmë në këtë proces dhe na takon që ta mbyllim me faqe të bardhë këtë proces. Ne jemi gati. Kush është gati nga ju, thjesht duhet të ndjekë procesin dhe të marrë tapinë në dorë. Këtë di unë!
Ka edhe një element tjetër që është shumë i rëndësishëm dhe duhet t’jua them hapur që të jemi dakord.
Ka një gjë në këtë shtet, të cilës ne ia kemi hequr në mënyrën më barbare vlerën dhe ndërkohë që askush nga ju, askush nga ne, edhe sikur të jetë duke vdekur për ujë, nuk shkon dot në dyqan ta marrë një shishe ujë e të thotë nuk po e paguaj, kur vjen puna tek energjia elektrike është një vjedhje kolektive e paparë. Është një vjedhje që na turpëron të gjithëve si shoqëri, na turpëron si vend dhe që, përveçse na turpëron, na rrezikon jashtëzakonisht shumë të ardhmen tonë. Sepse vidh e vidh e mos paguaj, kemi akumuluar një borxh kolosal.
Dua të jem shumë i drejtpërdrejtë me ju. Kam pasur një debat. Një debat shumë i fortë që praktikisht dhe ka zgjatur jo pak, por rreth 1 muaj, në nxjerrjen e këtij projektligji që nxorëm sot. Debati ka qenë: - Dakord, falas, s’ka problem. Dakord, përfitimet me ulje, me letra me vlerë, 20 % më pak, s’ka problem. Dakord, s’do të paguash, do të të legalizoj përsëri, me kufizim hipotekor. Thjesht do humbasësh në dy vjet privilegjet që ke, që ta marrësh më lirë dhe do ruash një gjë atje që mund të të pengojë të bësh veprime në pronën tënde, sepse ligjërisht, ti mund ta shesësh, por tjetri thotë që nuk ta blej me kufizim hipotekor, se do shtëpinë dhe nuk do që të marrë përsipër borxhet e tua. Dakord edhe kjo. Por një gjë ka qenë debat i madh. Një pjesë kanë insistuar që të vihet kusht pagesa e detyrimeve të papaguara ndaj sistemit energjetik. Pjesa tjetër, ndër të cilët edhe unë personalisht, kemi qenë kundër kësaj. Po ju them diçka krejtësisht të vërtetë dhe duhet të jeni shumë të bindur që ne punojmë si skuadër. Ne nuk jemi si ata të tjerët, që çdo ministër kishte atë “parcelën” e vet , të punonte atë “prasin” e vet atje dhe kryeministri shihte ke çdo “parcelë” të merrte ndonjë “pras” për shtëpinë e vetë dhe shteti ishte bërë zhele, siç e shihni edhe vetë ju, gjendjen ku e kemi marrë. Ne punojmë të gjithë si skuadër dhe argumentojmë. Nuk ka rëndësi është Ministri, është Kryeministri, është Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t në këtë rast, duhet të nxjerrim produktin më të mirë.
Dhe kemi arritur përfundimisht në këtë konkluzion: Jo, ne nuk do t’ju kërkojmë juve detyrimet e papaguara në këtë proces. Nuk do t’jua kushtëzojmë legalizimin me “më paguaj lekët që i ke borxh kompanive të energjisë CEZ, KESH”. Por ne do të vendosim për çdo tapi një barrë hipotekore 10 %. Por jo se ju do të paguani tani. Pra, në qoftë se ju do të paguani 400 mijë lekë, pak a shumë për legalizimin, gjithmonë kur nuk është toka jote, atëherë do t’ju marrim 360 mijë lekë. Dhe 40 mijë lekëshin do ta lëmë barrë hipotekore. Do ta lëmë barrë hipotekore që ju do ta hiqni pas 2 vjetësh, kur ju të tregoni faturat e energjisë për dy vitet e ardhshme. Kjo është vlera. Pra, nuk do t’ju themi që paguajeni që tani energjinë për dy vjet, por për shumën e legalizimit do t’ju marrim 40 mijë lekë më pak (400 mijë lekë të vjetra më pak) do t’jua lëmë ato që të paguani energjinë elektrike dhe do t’jua lëmë barrë atje. Që të mos thoni se ku do t’i gjejmë lekët, do t’jua lëmë ne lekët. E rëndësishme është që të gjithë të paguajnë energjinë elektrike, e rëndësishme është që të gjithë të futemi në sistem, e rëndësishme është që fatura e energjisë elektrike të jetë një detyrim që nuk diskutohet fare. Se nuk mund t’i mësojmë fëmijët tanë hajdutë, që ndize dritën, mos e paguaj. Kjo nuk mund të ndodhë.
Ky është legalizimi. Legalizimi është proces integrimi, proces shoqërizimi, proces ndërtimi i një shoqërie më të fortë, ku të gjithë kontribuojmë për njëri-tjetrin dhe së bashku kontribuojmë për shoqërinë. Së në fund të fundit, miqtë e mi, të jemi realist tani, kjo mbaroi. Ju nuk mund të keni më dyshime që “Edi Rama çfarë do të bëjë me ne?”. Kjo mbaroi. Unë, Qeveria, “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim e mbajtëm zotimin ndaj jush, sot do të fillojmë t’ju japim tapitë.
Sot është dita për ta thënë që në këtë proces vërtet shoqëria, ata të cilët nuk kanë ndërtuar shtëpi pa leje po marrin përsipër një barrë solidariteti, se të gjithë këto heqje procedurash, heqje taksash, heqje lekësh edhe për energjinë janë barrë që e merr shoqëria. Ama, edhe secili nga ju, si çdo qytetar tjetër, duhet të marrë barrën e vetën për shoqërinë. Ky është solidariteti dhe dinjiteti që do të na bëjë ne ta bëjmë Shqipërinë ashtu siç e keni ëndërruar ju jetën tuaj, kur jeni nisur për në Tiranë, pavarësisht se ju ka dalë më e vështirë pastaj. Por ëndrrën e keni pasur shumë të bukur, kur jeni nisur nga zonat më të vështira dhe më të varfra.
Siç ju sot po bëheni pronarë dhe po i trashëgoni fëmijëve tuaj një shtëpi të ndërtuar në 20 vjet, të gjithë ne sëbashku do t’i trashëgojmë gjeneratës tjetër një Shqipëri të ndërtuar mbi bazën e kontributit të secilit, për aq sa i takon.
Tani jam i bindur, siç ju thashë, projekti do të jetë publik shumë shpejtë. Ju do ta lexoni, do t’i verifikoni një për një fjalët e mia dhe do të kuptoni që gjithë sa thamë nuk janë më as program elektoral, as program qeveritar, por janë realitet për çdo njërën nga ato që thashë. Kush do t’i paguajë menjëherë ato që ka detyrim, do të përfitojë shumë më tepër, me një ulje drastike. Kush do ta lërë për më vonë, do ta paguajë me një çmim që përsëri është çmimi më i ulët që ka pasur ndonjëherë për një legalizim dhe që ka të bëjë vetëm me rastin kur parcela nuk është e jotja. Në atë moment je shlyer përfundimisht dhe nuk ke më njeri të të vijë tek dera, as ty, as djali yt, as nipi yt, të të thotë “shiko këtu, se kjo është e imja”.
Kjo është e juaj dhe kjo punë merr fund me votimin e këtij ligji, miqtë e mi. Votimi i këtij ligji do të ndodhë brenda muajit prill. Dhe nuk ka “top” që e lëviz këtë ligj.
Bashkë me Artanin patëm edhe një diskutim tjetër, sepse këtu janë përgatitur edhe një numër i konsiderueshëm dokumentesh të legalizimit, që ta bëjmë apo mos ta bëjmë. Por vendosëm ta bëjmë, sepse në fakt këto janë letrat e para të legalizimit që jepen, të tjerat janë “Shabantapi” që ju mund t’i mbani në shtëpi, t’ua tregoni fëmijëve dhe t’u thoni “kështu na rrejti shteti dikur. Kështu pastaj shtetit i “erdhën mend” dhe pastaj na i dha”.
Faleminderit!
***
Kryeministri Rama zhvilloi sot pasdite një takim me qytetarë të Paskuqanit, një ndër zonat me ndërtime informale, të cilët i njohu me paketën e ndryshimeve në ligjin për legalizimet, të miratuar sot nga qeveria.
Kryeministri theksoi se me ndryshimet themelore që iu bënë ligjit i hapet rruga legalizimit të 200 mijë banesave në zonat informale, që i kthen ato më pas, në kapital të qarkullueshëm. Duke shpjeguar në detaje aspekte të paketës së ndryshimeve, Kryeministri nënvizoi se procesi i legalizimit do të bëhet falas, një përmbushje e premtimit të dhënë nga kjo mazhorancë.
Kryeministri Rama dorëzoi edhe disa nga certifikatat e para të legalizimit.
“Me shumë krenari për këtë qeveri që në gjashtë muaj po fillon të bëjë realitet, atë që nuk u bë realitet në 20 vjet, unë po jap këtë dokument të parë, titull i pronësisë mbi tokën. Me këtë dokument gjithë sakrificat kthehen në titull pronësie dhe gjithsesi, koha do të tregojë çdo gjë, sepse e thashë, janë ndarë edhe më përpara letra, por kjo është letër me vlerë,” – u shpreh Kryeministri teksa i dorëzoi një qytetari dokumentin.
“Sot jam shumë i kënaqur dhe kjo tregon një vlerësim shumë të madh që bën qeveria për sa i përket legalizimit. Ne duhet të kemi shumë besim se kjo punë do marrë drejtimin e duhur,” – u shpreh një qytetari, i cili nga sot bëhet pronar i shtëpisë së tij.
“I kemi paguar lekët që në vitin 2006 dhe na thanë se për dy muaj do ju japin tapitë. Tani falënderoj të gjithë punonjësit dhe Kryeministrin që na i dha,” – u shpreh një tjetër qytetar, ndërsa Kryeministri Edi Rama i dorëzonte titullin e pronësisë.