English

Igli Totozani flet për vdekjen e Ilir Karelit në burgun grek

“Djali donte drejtësi jo vetëgjyqësi”, - është shprehur Resmija, nëna e të burgosurit shqiptar Ilir Karelit i cili pas vrau gardianin e burgut Malandrinos ku vuante dënimin në Greqi u rrah brutalisht dhe më pas ka vdekur në qeli.

Lidhur me vdekjen e shqiptarit menjëherë ka reaguar avokati i popullit Igli Totozani, i cili i nisi një letër ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, po ashtu një letër edhe homologut të tij në Greqi.

Ndërsa dje Igli Totozani ka pasur një lidhje telefonike me kryeredaktorin Pandi Gjata, gjatë Revistës televizive të Mbrëmjes për televizionin Top-Channel.

Pandi Gjata: Nisur nga letrat që iu keni dërguar ministrit Bushati dhe homologut tuaj grek, a prisni që ky rast me të burgosurin shqiptar; që humbi jetën, sipas raportit mjekësor, nga dhuna e ushtruar dhe jo për arsye natyrale; të zbardhet deri në fund, pasi po t’i referohemi shumë ngjarjeve apo incidenteve të mëparshme një lajmi të tillë i kanë kushtuar vetëm 2-3 ditë dhe asnjëherë nuk i kanë shkuar deri në fund.

Igli Totozani: Natyrisht që unë besoj se kjo ngjarje do të shoqërohet me hetime të thelluara nga organet kompetente greke. Republika greke është një republikë demokratike dhe besoj se një ngjarje e tillë është një ngjarje që, jo vetëm në Greqi por kudo, konsiderohet si një ngjarje që duhet t’i shkohet domosdoshmërisht deri në fund, për shkak se ka humbur jetën një njeri që presupozohej në kushtet e sigurisë së lartë dhe të privimit të lirisë. Domosdoshmërisht do të gjenden autorët e kësaj ngjarjeje.

Pandi Gjata: Çfarë prisni nga Tirana zyrtare, çfarë duhet të bëjë ajo konkretisht?

Igli Totozani: Sigurisht që Republika e Shqipërisë ka një detyrim kushtetues ndaj shtetasve të saj, kudo ku ata ndodhen, qoftë përkohësisht apo qoftë në formë rezidenciale, pra dhe në rastin konkret Republika e Shqipërisë duhet të mbrojë qytetarët e saj kudo që ndodhen. Në këtë kuptim, pres që Tirana të jetë vazhdimisht në kontakte me palën greke, të informohet dhe të synojë deri në fund mbrojtjen e të drejtave të njeriut në këtë rast, pasi bëhet fjalë për zbulimin e së vërtetës. Pres që të ketë një interes të vazhdueshëm dhe konkret pranë organeve kompetente greke, pranë homologëve grekë. Nuk bëhet fjalë për homologun tim, sepse homologia e Ministrisë sonë të Jashtme është Ministria e Jashtme e Greqisë dhe më tej është shteti grek.

Pandi Gjata: Po nga Avokati i Popullit të Greqisë, çfarë prisni?

Igli Totozani: Instrumentat që ka Avokati i Popullit në Greqi janë pak a shumë të ngjashme me ato që ka Avokati i Popullit në Shqipëri. Ai në Greqi ka gjithashtu një mekanizëm për parandalimin e torturës, që është ngritur në kuadër të Konventës CAT. Nëpërmjet këtij mekanizmi, por edhe nëpërmjet sistemit të trajtimit të ankesave për ngjarje të rënda, që ndodhin brenda vendeve të privimit të lirisë, pres që të ushtrojë ato kompetenca që ushtron edhe Avokati i Popullit në Shqipëri. Pra, të ushtrojë gjithë presionin e duhur ndaj organeve kompetente që hetojnë atje, të kërkojë informacione të nevojshme, të jetë i pranishëm në hetimet që zhvillohen, për faktin e thjeshtë se bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur në një vend të privimit të lirisë, ku Avokatët e Popujve apo Ombudsmanët, shqiptari dhe greku, kanë kompetenca shumë të mëdha.

Pandi Gjata: Zoti Totozani, ju falënderoj për ndërhyrjen dhe komentet. Padyshim që kjo është një ngjarje që në ditët në vijim do të ketë zhvillime të reja.

Igli Totozani: Do të doja të shtoja edhe një gjë në fund. Aty kemi të bëjmë me dy ngjarje të rënda. Nuk duhet të harrojmë edhe humbjen e jetës së gardianit të pafajshëm grek, një familjar për të cilin shkojnë edhe mendimet e lutjet tona. Kjo është e rëndësishme, por nga ana tjetër duhet të kuptojmë se është një ngjarje shumë e rëndë, sepse nuk është e lehtë të humbasë jetën një njeri në kushtet e sigurisë. Aq më tepër që në rastin konkret bëhet fjalë për një shtetas shqiptar, për të cilin ne kemi detyrim që të interesohemi deri në zbardhjen e së vërtetës, deri në fund. / Top Channel

KOMENTE