English

Vorpsi: Rama mbron drejtuesit e dënuar nga gjykatat

Zëdhënësja Vorpsi publikon vendimet e gjykatave për drejtuesit e CEZ në Durrës dhe Zyrës së Punës në Korçë, dhe denoncon përpjekjet e Ramës për të mbuluar të shkuarën e rilindasve të tij.

Ne deklaraten e saj ajo shprehet:
Po paraqesim sot para publikut dy vendimet e gjykatave të Durrësit dhe asaj të Korçës, për dy funksionarë të lartë në këto rrethe, të dënuar më parë për vepra të rënda penale.

Ja vendimi i Gjykatës së Durrësit që e dënon Plator Mehmetin, i caktuar sot nga rilindja kryeinxhinier në CEZ, me 10 muaj e 15 ditë burgim e 267 mijë lekë gjobë, për shpërdorim detyre dhe shkelje të pabarazisë në tendera.

Ja vendimi i Gjykatës së Korçës që e dënon Florenc Tabakun, kreun e zyrës së punës me 6 muaj burg dhe 250 mijë lekë gjobë për falsifikim dokumentesh.

Qeveria, dhe Kryeministri Rama, jo vetëm se nuk marrin masat e duhura, por bëjnë përpjekje të dëshpëruara, për të mbrojtur me cdo kusht këta persona dhe për të mbuluar të shkuarën e tyre.

Partia Demokratike është e shqetësuar për kapjen e administratës nga persona me të kaluar të dyshimtë.

Kjo dukuri bëhet edhe më shqetësuese, kur Edi Rama dhe Ministrat e tij, në mes të dhjetëra e ndoshta qindra socialistëve, apo të mijëra të rinjve e të rejave të vendit të arsimuar dhe pa probleme me drejtësinë në të shkuarën, zgjedhin njerëz me precedentë penalë për t’u dhënë pushtet e privilegje.

Është e qartë se kjo rilindje është vetëm e Edi Ramës dhe e të dënuarve, të cilët i kanë blerë zyrat që drejtojnë, sepse sot nuk ka meritë, nuk ka garë reale, nuk ka konkurse, nuk ka shanse të barabarta për të gjithë.

KOMENTE