English

5 vjet në NATO. Mirënjohje të thellë ndaj të gjithë atyre që e mundësuan këtë arritje unikale

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e 5vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO:

Fort të nderuar të pranishëm,

Të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, në mënyrë të veçantë,

Po mbushen 5 vjet që historia e Shqipërisë është pasuruar me një ndër datat më të rëndësishme të saj. Anëtarësimi i vendit tonë në NATO, më 1 prill 2009, shënon padyshim një ndër ato ngjarje që historia i numëron për rëndësinë e tyre krejt të veçantë.

Përvjetori i pestë i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është edhe rasti më i mirë, për të shprehur mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë atyre që e mundësuan këtë arritje unikale.

E në radhë të parë, mirënjohja u përket të gjithë qytetarëve të këtij vendi, popullit shqiptar, që në harmoni me vokacionin e përhershëm evropian mbështeti në mënyrë plebishitare, projektin e integrimit euroatlantik të vendit, duke u afirmuar kështu, pa asnjë ekuivok, njëri ndër kombet më euroatlantikë, ndër ata që dolën nga robëria e perandorisë komuniste, pas rënies së perdes së hekurt.

E njëjta mirënjohje u përket padyshim të gjitha kombeve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, që e mbështetën projektin e madh të integrimit të Shqipërisë dhe mundësuan që siguria e Shqipërisë të shndërrohet edhe në një çështje e tyre.

E po ashtu, mirënjohjen e respekt të thellë meritojnë të gjithë ata shqiptarë, ndër Forcat e Armatosura, administratën shtetërore, shoqërinë civile, radhët e politikës pa dallim që realizuan në praktikë reformat e mëdha, të cilat ishin parakusht për anëtarësimin.

Pa dashur aspak që të klasifikoj shkallët e mirënjohjes sonë, të qeverisë shqiptare ndaj vendeve dhe qeverive mike dhe aleate, mendoj se një fjali krejt e veçantë mirënjohjeje ndaj popullit e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e pashmangshme, sa herë që Shqipëria e shqiptarët do të gëzojnë ditë dhe data si kjo, apo do të reflektojnë e do të veprojnë për çështje të ekzistencës së tyre kombëtare.

Natyrisht që mirënjohja jonë ndaj NATO-s nuk kufizohet vetëm tek anëtarësimi. Mirënjohja shqiptare ndaj NATO-s lidhet ngushtë edhe me rolin jetik që kjo aleancë e madhe e lirisë luajti në shuarjen e luftërave të reja në Ballkan dhe posaçërisht, në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Zgjerimi i hapësirave të lirisë në lindje të Evropës, pushimi i luftës, vendosja e paqes në Ballkan dhe liria e Kosovës mbeten një kontribut i pashlyeshëm i Aleancës, pas përballimit me sukses të plotë të Luftës së Ftohtë.

Duke bashkuar sigurinë tonë me atë të 27 vendeve të tjera të Aleancës së Atlantikut të Veriut, ne shqiptarët, kemi realizuar investimin më të madh për sigurinë tonë kombëtare. Me nënshkrimin e Traktatit të Uashingtonit, vendi ynë është bërë pjesë e aleancës më të fuqishme dhe padyshim më të pathyeshme në historinë e njerëzimit. Garancia për sigurinë tonë kombëtare ka mbërritur kësisoj, në nivelet më të larta të mundshme, të paimagjinueshme, vetëm pak kohë më parë, në të gjallët e të gjithëve në këtu.

Duke u integruar në aleancën e madhe, Shqipëria është bërë njëkohësisht, edhe pjesë e pandashme e përmbajtjes dhe e shprehjes së botës së lirë. Botës së vlerave të larta të demokracisë, lirisë dhe të drejtave njerëzore, ekonomisë së lirë dhe shtetit ligjor.

Anëtarësimi në NATO e ka rritur si kurrë më parë, rëndësinë dhe fuqinë politike të Shqipërisë si shtet, i cili tashmë është pjesë aktive e vendimmarrjeve më të rëndësishme për sigurinë, në rrafshin global.

Të nderuar pjesëmarrës,

Të gjitha përparësitë e jashtëzakonshme që shoqërojnë praninë tonë në NATO janë në të njëjtën kohë, pa më të voglin dyshim, edhe përgjegjësi po aq madhore për secilin ndër ne.

Në radhë të parë, me hyrjen në NATO, Shqipëria ka jo vetëm garantuar angazhimin e saj, por ka garantuar edhe angazhimin e gjithë aleatëve të saj për të mbrojtur edhe ushtarakisht integritetin dhe pavarësinë e saj. Dhe, nga ana tjetër, Shqipëria është angazhuar ligjërisht për të kontribuar në të njëjtën mënyrë, edhe për mbrojtjen e integritetit dhe të pavarësisë të çdo vendi, aleat me të. Ashtu sikundër, edhe për mbrojtjen e paqes, lirive dhe të drejtave kudo ku kjo aleancë e sheh eventualisht të bëhet e nevojshme.

Përgjegjësia për të mbajtur edhe barrën e të tjerëve përbën padyshim një ndër arsyet për të qenë sot, krenarë për Shqipërinë, por dhe një ndër detyrimet më të jashtëzakonshme për nga serioziteti, të vendit tonë në historinë e tij. Po ashtu, mbajtja e barrës përkatëse në të gjithë spektrin e angazhimeve operacionale të NATO-s kudo në botë, është sot pjesë integrale e detyrimeve të vendit dhe e detyrimeve tona ndaj vetë vendit. Mund të pohohet me krenari, në këtë pesë vjetor kaq të shënuar, se Shqipëria e ka plotësuar dhe vazhdon ta plotësojë me përgjegjësi të plotë dhe me sukses, çdo pjesë të përgjegjësive të saj në gjirin e kësaj Aleance të madhe.

Por përgjegjësitë e vendit, në kuadër të Aleancës nuk janë thjesht dhe vetëm ushtarake. Dhe këtë, çdo shqiptar, secili ndër ju, të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, por në radhën më të parë, secili ndër përfaqësuesit e popullit shqiptar, pa dallim, qeveria në radhë të parë nuk duhet në asnjë mënyrë ta harrojnë. Sepse në radhë të parë, Shqipërisë i kërkohet të përmbushë me dinjitet, aspirata e pritshmëri në rrafshin politik nëpërmjet realizimit standardeve më të larta të demokracisë e shtetit ligjor dhe të ekonomisë së tregut të lirë. Janë këto standarde dhe respekti për parimësinë dhe për vlerat e demokracisë, që është në themelin e kësaj Aleance të madhe ushtarake.

Angazhimi ynë për ti përmirësuar më tej këto standarde, në mënyrë të vazhdueshme, këmbëngulëse dhe të pandalshme dhe për ti dhënë vendit tonë prestigjin më të lartë në Evropë dhe në botë, duke i dhënë po ashtu edhe seriozitetin më të lartë në tryezën e vendimmarrjes të madhe të NATO-s, mbetet gjithnjë prioritar.

Të nderuar miq!

Jetojmë në një botë që provon çdo ditë se sa largpamëse ka qenë ideja për ti dhënë jetë kësaj Aleance dhe sesa aktuale është çdo përpjekje për ta forcuar dita-ditës këtë Aleancë. Zhvillimet e fundit në Ukrainë, ndër të tjera, shërbyen edhe njëherë tjetër për ta sjellë para syve tanë, rëndësinë e jashtëzakonshme të vlerave dhe parimeve të botës, së cilës i kemi dhënë përkatësinë dhe padyshim çështjen e sigurisë, si një çështje që është çdo ditë në rendin e ditës, sado e sigurt që të duket bota nga hapësira ku ne jetojmë dhe nga këndi prej ku ne e shohim.

Turbullirat e rrezikshme në një vend si Ukraina, shkëputja prej andej e Gadishullit të Krimesë nga Rusia, ndryshimi arbitrar i kufijve shtetëror, - ilustrojnë në mënyrën më brutale, domethënien e madhe të përpjekjes për siguri dhe nga ana tjetër të mungesës së sigurisë nëpër botë. Ukraina është një tjetër provë, më e freskëta e për këtë dhe më e dhimbshmja e ditëve tona që tregon se, siguria nuk mundet dhe nuk duhet të zbresë kurrë më poshtë, nga kreu i prioriteteve të botës sonë, të botës së kësaj Aleance të madhe dhe padyshim të një shteti që është pjesë e kësaj Aleance, siç është dhe Shqipëria e vogël.

E ndërgjegjshme për këtë, qeveria e Shqipërisë, krahas inovacionit dhe progresit të vazhdueshëm e ka sigurinë, moton qendrore të përpjekjes saj për të ecur më shpejt drejt rilindjes, në interes të garantimit të sigurisë në të gjitha përmasat e saj, nga siguria më e vogël por po kaq e rëndësishme e të përditshmes të çdo individi në raport me shtetin e vet këtu në Shqipëri, tek siguria më e madhe, por po aq e rëndësishme në cilësinë e vet, e shtetit tonë krah për krah me të gjitha shtetet e Aleancës ku jemi pjesë, ne po punojmë për realizmin e një programi të tërë transformimi rrënjësor të instrumenteve të sigurisë kombëtare.

Hartimi i dokumentit të parë të strategjisë së sigurisë kombëtare, pas anëtarësimit të vendit tonë në NATO; reforma e thellë ligjore dhe strukturore e institucioneve të sigurisë; modernizmi i vazhdueshëm i forcave të armatosura, policisë së shtetit, shërbimeve inteligjente dhe strukturave te tjera ligj zbatuese janë sot, prioritete të dorës së parë dhe janë sot në rendin e ditës së punës sonë me mish e me shpirt, si qeveri e Shqipërisë për një Shqipëri evropiane, për një Shqipëri serioze dhe gjithnjë të përgjegjshme në tryezën e madhe të vendimmarrjes së Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Të nderuara zonja,

Të nderuar zotërinj,

Javën që shkoi Presidenti Barack Obama tha: “Situata në Ukrainë na kujton se “Liria nuk është falas” “Freedom is not free””, -kjo thirrje lakonike ndeshet shpesh gjatë historisë në fjalime e po ashtu në refrene këngësh. Ajo duket se kërkon të na kujtojë se të gjithë ne, duhet të jemi të gatshëm të paguajmë çmimin e lirisë sonë në çdo përmasë dhe nga çdo kënd. Lirinë, askush, asnjë individ, asnjë komunitet, asnjë popull dhe padyshim edhe një Aleancë e madhe si kjo, nuk mund ta ketë falas.

Përvjetori i 5-të i anëtarësimit të vendit tonë në NATO, na kujton gjithashtu se për fatin tonë më të madh, ne tashmë e kemi bashkuar të ardhmen me popuj të lirë, me popuj të mëdhenj, me popuj që çmimin e lirisë e kanë paguar dhe e paguajnë pa as më të voglin ngurrim, si çmimin e mirëqenies dhe të sigurisë për të sotmen dhe për gjeneratat që vijnë.

Pjesëmarrja në këtë Aleancë e bën barrën tonë shumë më të lehtë, sigurinë tonë shumë më të lartë, çmimin e lirisë sonë shumë më të merituar. Por megjithatë liria nuk mund të jetë falas. E në këtë përvjetor të anëtarësimit tonë në NATO, gjaku i dëshmorit tonë, kapiten Feti Voglit dhe gjaku i shumë djemve dhe vajzave ushtarakë dhe ushtarake, në gjirin e forcave aleate, në frontet ku kjo Aleancë lufton për lirinë dhe sigurinë, janë dëshmia më kuptimplotë e çmimit të lirisë, por janë dhe prova më e padiskutueshme e forcës së besëlidhjes sonë të madhe euroatlantike.

Faleminderit të gjithëve! Gëzuar 5 vjetorin e pjesëmarrjes në NATO, në Aleancën e madhe euroatlantike të popujve të lirë, të popujve që çdo ditë paguajnë çmimin e lirisë se tyre, për mirëqenien e tyre dhe për sigurinë e gjeneratave të tjera dhe të botës ku jetojmë.

Edhe një herë faleminderit dhe gëzuar!

KOMENTE