English

Asnjë rrugë të rë. Do të perfundohen projektet në proçes (VİDEO)

Autoriteti Rrugor i Shqipërisë për vitin 2014, ka në dispozicion një buxhet i cili nuk mjafton për të mbyllur të gjitha rrugët që janë në proces ndërtimi. Kjo do të thotë që do të kryhen 80 % të punimeve në disa nga akset kryesore, por asnjë prej tyre nuk do të arrijë të përfundojë plotësisht brenda këtij viti. Janë 9.5 miliardë lekë që Autoriteti i Rrugëve ka në dispozicion për projektet ekzistuese, një shifër kjo gati tre herë më pak se nevojat. Sipas të dhënave, mësohet se për vitin 2014 është parashikuar që të shkojnë drejt përfundimit 5 nga rrugët kryesore të Shqipërisë. Ndërkohë që do të punohet edhe në akset e tjera. Por nuk pritet që të ketë projekte të reja, pa siguruar më parë fondet. Duke raportuar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, drejtori i rrugëve shpjegoi se ka nevojë të ndërhyhet në 80 % të sistemit rrugor për mirëmbajte. Në total Autoriteti i Rrugëve ka nën zotërim një rrjet prej 3700 KM rrugë, pa përfshirë këtu rrugët dytësore që i kanë bashkitë dhe komunat. Pjesa më e madhe e rrjetit kombëtar e ka kaluar garancinë prej 10 vitesh dhe pas këtij afati ka nevojë për mirëmbajtje.

Dashamir Xhika, drejtor i përgjithshëm i autoritetit, që administron rrugët nacionale, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, ka shpjeguar se përse u zgjodh kjo strategji nga qeveria.

“Rrugët e hapura dhe në ndërtim janë të shumta, ndërsa buxheti prej 5 miliardësh lekë nuk mjafton. Një tjetër shkak që nuk do të hapen fronte të reja rrugësh janë edhe borxhet e larta që janë trashëguar”, ka thënë Xhika. Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e investimeve do të orientohen drejt sinjalistikës rrugore dhe mirëmbajtjes, ndërsa çështjen e shpronësime e ka cilësuar si gangrenë. Ai u ka dhënë përgjigje pyetjeve të shumta të anëtarëve të komisionit të veprimatrisë prodhuese se në qendër të investimeve për këtë do të jenë akse nacionale të rëndësishme si rruga Lezhë–Fushë Krujë, riveshja e rrugës Milot –Lezhë, segmenti Plepa -Rrogozhinë, rruga Lushnjë- Berat, rruga Lin-Pogradec do të bëhet e kalueshme brenda këtij viti, gjatë muajit prill do të nisin punimet për ndërtimin e by passit të Fierit dhe pas pak muajsh edhe për atë të Vlorës. Ndërsa 1 miliard lekë të reja do të shkojnë për mirëmbajtjen e tunelit të Thirrës dhe atij të Elbasanit.
2105

KOMENTE