English

Rama: Do të bëjmë gjithçka për të tërhequr investimet gjermane në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur dje pasdite në Berlin, Gjermani, ku do të zhvillojë një vizitë zyrtare me ftesë të Kancelares Angela Merkel.

Sigurisht, takimi më i rëndësishëm për Kryeministrin Rama në këtë vizitë është ai me Kancelaren Merkel, e cila i rezervon Kryeministrit të Shqipërisë një pritje të nivelit më të lartë protokollar. Në orën 12.00, Kryeministri Rama u prit në Kancelarinë gjermane nga Kancelarja Merkel, ku pati një ceremoni të nderimit ushtarak. Më pas takimi dypalësh mes zotit Rama dhe zonjës Merkel, që pasua nga një drekë pune mes dy delegacioneve.

Pas takimit të dy zyrtarët kanë dalë në një konferencë për shtyp. Kancelarja Merkel tha se, po ndjekin me intensitet zhvillimet në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, ku sipas saj gjërat po shkojnë për mirë. Merkel theksoi se, çështja nuk qëndron nëse Shqipëria do ta marrë statusin e kandidatit, por kur do ta marrë.

“Ne jemi informuar rreth angazhimit dhe entuziazmit që ndiqen këto procese, ndërtimi i një procesi juridik dhe pavarësia e drejtësisë. Ne po i ndjekim me intensitet këto zhvillime në Gjermani. Nuk është shumë e thjeshtë të ndjekësh një rrugë të tillë dhe kryeministri Rama na bëri shumë të qartë dhe na shpjegoi se kanë ndryshuar shumë gjëra”, tha Merkel.

E pyetur rreth marrjes së statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, Merkel tha se, pret që njihet dhe me raportin më të fundit të Komisionit Europian që pritet të bëhet publik në muajin qershor.

“Vendeve të Ballkanit Perëndimor i kemi dhënë perspektivë dhe në fund të një rruge të gjatë do të kemi integrimin e plotë të tyre. Ne i trajtojmë vendet sipas raporti të KE-së. Hapi tjetër është që ne në qershor të marrin një raport të ri dhe presim që komisioni të ketë shkruar për arritjet e vendit, dhe ne do ta vendosin në një vështrim pozitiv për statusin. Kryeministri më ftoi për vizitë dhe unë i thash që do ta respektoj këtë ftesë dhe nëse më pyesni pas një viti, unë do të kem qenë në Shqipëri”, tha Merkel.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen gjermane, theksoi se në takimin me Merkel foli lidhur me ecurinë e punëve të Shqipërisë dhe rolin e saj për ta cuar më tutje projektin e madh të integrimit Europian.

"Ishte një rast shumë i mirë për të vënë theksin te domosdoshmëria e rritjes së bashkëpunimit ekonomik", tha Rama.

Kryeministri theksoi se e kishte siguruar kancelaren se Qeveria është plotësisht e vendosur për të ecur në rrugën e modernizimit të reformave që do të garantojnë cilësinë e jetës dhe cilësinë e shërbimeve.

"Ky fillim i mbarë i njohur prej të gjithëve është vetëm nisja e një procesi, ku Shqipëria kërkon të ecë më shpejt drejt Europës, por duke konsideruar integrimin europian një proces të patjetërsueshëm", tha Rama.

KOMENTE