Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, z. Arian Kraja paraditen e sotme ka marë pjesë në certifikimin e grupdepove në Guak, Skrapar dhe të Mbreshtanit, Berat. Pas pastrimit, këto reparte u janë dorëzuar pushtetit vendor. Operacioni për pastrimin e këtyre grupdepove u bë i mundur nga efektivët e Rajonit të Beratit, të Brigadës Logjistike.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin: zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Viktor Berdo si dhe përfaqësusesit e zyrës së CUBIC.
Në grupdepot e Mbreshtanit u certifikuan 12 tunele, të cilat u pastruan për një periudhë dymujore nga 4500 ton municione. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, z. Arian Kraja ka falenderuar efektivët e grupdepove të Mbreshtanit për punën e kryer si dhe në emër të ministres së Mbrojtjes u ka përcjellë vlerësimet maksimale për punën e tyre. Ai theksoi se: “Objektivat janë ende në vazhdim dhe do vazhdojë operacioni i pastrimit të gjithë territorit të Shqipërisë nga municionet e tepërta”.
Ndërsa zëvendësshefi Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Viktor Berdo u shpreh se ky është një nga operacionet më të vështira me të cilët u përballën efektivët e këtij rajoni si dhe i falenderoi ata në emër të Shtabit të Përgjithshëm të FA për punën e vështirë që kanë bërë.
Ndërsa në grupdepot e Guakut u certifikuan 12 tunele nga të cilat u pastruan 5000 ton municione. Edhe në këto grupdepo përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe SHPFA falenderuan efektivët që morën pjesë në këtë operacion.
Për vitin 2014 janë certifikuar në total 10 grupdepo në zona të ndryshme, ku mbaheshin të magazinuara këto municione të dala jashte përdorimit.