Këshilli Ekonomik Kombëtar zhvilloi mbledhjen e tij të radhës. Çdo tre muaj në takimet e Këshillit ftohen të marrin pjesë ekspertë të njohur ndërkombëtarë, personalitete në fushën e ekonomisë dhe financave, por edhe përfaqësues të lartë të institucioneve ndërkombëtare.
Në takim, krahas anëtarëve të përhershëm të KEK, morën pjesë emra të njohur të ekonomisë si Stephany Griffith-Jone, Profesore në Universitetin e Columbias, Erik Berglof, kryeekonomist i BERZH, Leif Pagrotsky, këshilltar ndërkombëtar Suedi, Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Tahseen Sayed etj.
Kryeministri Rama vlerësoi prezencën ekspertëve të huaj në Këshill dhe i falënderoi për asistencën që kanë ofruar për Qeverinë shqiptare, edhe para fillimit të punës në muajt Gusht e Shtator. “Asistenca dhe bashkëpunimi me ta ka qenë një faktor tejet i rëndësishëm në procesin e negociimit dhe më pas në arritjen e këtyre marrëveshjeve të rëndësishme,” – u shpreh Kryeministri.
Në diskutimet e tyre, ekspertët e vlerësuan si në hap pozitiv përpara, arritjen e marrëveshjeve me FMN dhe BB, me një ndikim tejet të rëndësishëm në rritjen e kredibilitetit të vendit, garantimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe realizimin e reformave të rëndësishme strukturore, në kuadër të modelit të ri ekonomik të vendit. Shumë prej tyre vlerësuan se marrëveshjet shënojnë dhe një moment të rëndësishëm për vetë FMN, nga pikëpamja e filozofisë së marrëveshjes më qeverinë shqiptare. Modernizim të FMN-së dhe BB-së e kanë cilësuar ekspertët e huaj, negocimin dhe aprovimin e marrëveshjes së dizajnuar me parimin e rritjes së ekonomisë dhe zhvillimit, apo siç u vlerësua nga qeveria, një marrëveshje e hartuar mbi parimin e inovacionit, sigurisë dhe progresit për vendin dhe qytetarët.
Eric Berglof, kryeekonomisti i BERZH vuri theksin në përmirësimin e klimës së investimeve, çka përbën, sipas tij, një element të rëndësishëm edhe të Marrëveshjes me FMN.
“Në Marrëveshje ka disa elementë shumë të rëndësishëm. Disa prej tyre janë përmendur, por një që nuk është përmendur ka të bëjë me klimën e investimeve dhe BREZH-i po ashtu po luan një rol të rëndësishëm në këtë aspekt, në mënyrë që të ndihmojë të zbatohet kjo politikë. Duke arritur që të japim një zgjidhje për çështjet që kanë të bëjnë me klimën e investimeve, për çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin, po ashtu edhe me pengesa të ndryshme, qoftë hyrëse apo dalëse, për kompanitë. Këto janë çështje shumë të rëndësishme dhe tani kemi një kuadër për t’i trajtuar këto çështje dhe një axhendë e cila është tashmë në axhendën e FMN-së,” tha Berglof.
Ndërsa Stephanie Griftith Jones, Këshilltare ndërkombëtare, drejtuese për Tregjet Financiare në “Initiative for Policy Dialogue”, nga Universiteti Columbia në Neë York, veçoi si aspekte të rëndësishme që ofron Marrëveshja me FMN, stabilizimin afatmesëm të borxhit, e kombinuar kjo, me ruajtjen e rritjes ekonomike.
“Dëshiroj t’ju uroj ju dhe ekipeve tuaja, që keni arritur në fakt, një marrëveshje kaq të mirë, e cila kombinon nga njëra anë stabilizimin afatmesëm të borxhit, që është i rëndësishëm dhe i nevojshëm. Dhe, nga ana tjetër, mbrojtja sa më shumë që është e mundur, brenda rrethanave, e rritjes ekonomike të vendit e sidomos këtë vit që kemi pasur një ulje të rritjes ekonomike. Po ashtu, është shumë e rëndësishme dhe ky aspekt, fleksibiliteti. Fleksibiliteti, të cilin e përmendi Ministri, që këtu ne mbrojmë rritjen ekonomike, por edhe punësimin, i jep edhe besim sektorit, edhe biznesit dhe të investimeve. Kemi këtu një kuadër shume të mirë dhe një fillim të mbarë do të thosha.”
Edhe për Leif Pagrotsky, Këshilltar ndërkombëtar, disa herë Ministër në Suedi, Ministër i Tregtisë, Ministër i Transporteve dhe Industrisë dhe Ministër i Arsimit dhe Kulturës, Marrëveshja me FMN-në është një arritje për Shqipërinë, edhe për FMN-në, të cilën, ai e përcakton si “mentalitet modern i të arriturit të gjërave.”
“Unë, po ashtu kam të njëjtat mendime si ato që dëgjuam për Marrëveshjen me FMN-në, që është shumë produktive dhe jo vetëm që është një arritje për Shqipërinë, por në fakt është një arritje dhe për vetë FMN-në. Ndaj mendoj që është gjë e zgjuar që një pjesë kaq e madhe e kësaj huaje t’i jepet uljes së borxhit në fusha të tjera, duke i dhënë prioritet uljes së borxheve të prapambetura të qeverisë. Që do të thotë që kjo pjesë e huasë nuk e fut qeverinë më tej në borxh, por është një zëvendësim i huave. Kemi pasur kredi të këqija, pra, hua afatgjata me interes të ulët, ndërkohë na ka dhënë dhe një sinjal, siç u tha edhe më përpara, që kjo qeveri ka të bëjë me parashikueshmërinë, me transparencën, me shtetin e së drejtës, në emër të të gjithëve, të aktiviteteve të veta si agjenti i duhur në ekonomi. Unë mendoj që ky është një aspekt shumë i rëndësishëm, shumë i fortë, që shton dhe promovon rritjen. Gjë që ju keni arritur ta bëni me FMN-në. Do të thosha që ky është mentaliteti modern i të arritur të gjërave.”
Nga ana e tij, Clive Rumbold, Drejtori i Seksionit Politik, Ekonomik dhe Informacioni, në Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, përcolli mbështetjen për zbatimin e Marrëveshjeve, si dhe garantoi asistencë për auditin e jashtëm dhe trajtimin e çështjes së borxheve.
“Bashkimi Evropian mbështet FMN-në, huatë me FMN-në dhe me Bankën Botërore dhe në terma praktikë, po ashtu, ne japim mbështetje të drejtpërdrejtë për t’i komplementuar ato. Ne japim po ashtu, edhe mbështetje për auditin e jashtëm, për ta ndihmuar Shqipërinë që të trajtojë çështjen e borxheve të prapambetura, si pjesë e ndihmës që ne japin për shtetin e së drejtës dhe menaxhimin financiar. Edhe njëherë, ju keni mbështetjen tonë të plotë dhe ne po japim mbështetje praktike.”
Në përfundim të diskutimeve, Kryeministri Rama i falënderoi ekipin e ekspertëve për asistencën e tyre. Kryeministri shprehu optimizmin për ringritjen e ekonomisë, bazuar në performancën e administratës fiskale dhe rezultatet pozitive të këtij 6 mujori.
“Dua që t’i falënderoj sinqerisht, jo formalisht, të gjithë miqtë tanë, që na ndihmojnë me këshillat e tyre. Dua t’ju them me modesti, po me vërtetësi, që marrëveshja që ne arritëm me Fondin Monetar, pas një negocimi të vështirë është rezultat, pa asnjë dyshim, edhe i ndihmës suaj, i konsultimeve që kemi bërë. Kemi një performancë pozitive të administratës doganore dhe tatimore dhe praktikisht, pjesa më problematike që ne kemi pasur në diskutimin me Fondin ka qenë vendosja e tavaneve të të ardhurave, planit të të ardhurave, që na është dukur mbase më ambicioz seç duhet. Por deri tani dhe posaçërisht me realizimin e muajit mars, kemi arsye që të jemi të kënaqur me performancën e administratës, sepse tavani ka qenë i vendosur realisht lart dhe muajt nuk kanë qenë të lehtë. Në krahasimin 6 mujor me 6 mujor të një viti më parë, kemi 150 milionë dollarë më shumë,” – u shpreh Kryeministri.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj bëri një prezantim të detajuar të Marrëveshjes së Huasë së Politikave Zhvillimore. Një hua që synon modernizimin e sistemit financiar, ku krahas marrjes së një shume prej rreth 100 milionë dollarë, Qeveria shqiptare angazhohet të kryejë një sërë reformash të rëndësishme në sektorin financiar.
Ministri i Financave Shkëlqim Cani prezantoi marrëveshjen e arritur me FMN dhe axhendën e reformave ekonomike të Qeverisë, të mbështetura edhe nga kjo Marrëveshje. Objektivi kryesor, sipas Ministrit, mbetet fuqizimi i rritjes ekonomike dhe korrigjimi i disbalancave makroekonomike.