English

Së shpejti nis shpërndarja e banesave sociale Tiranë

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo i shoqëruar nga drejtues të Bashkisë së Tiranës ka parë nga afër kushtet në kompleksin e banesave sociale. Zoti Bozdo ka bërë të ditur se janë gati dhe do t’i propozohen në mbledhjen më të afërt për vendimmarrje Këshillit Bashkiak kriteret për vendosjen e qerave minimale dhe maksimale të banesave sociale.

“E kemi marrë në dorëzim këtë qendër shumë vonë, për arsye se ka pasur problematikë të akumuluar, zhvendosja e linjës 110 KW të tensionit të lartë, mos furnizimi i banesave me ujë dhe me energji elektrike në mënyrë të rregullt, dhe për më tepër pastaj na u desh edhe të paguanim të gjitha borxhet e akumuluara për këtë projekt nga administrata e kaluar, TVSH-ja, kostot lokale por edhe pagesat për energjinë elektrike dhe për ujin është përballuar nga administrata e Bashkisë Tiranë.

Pas marrjes në dorëzim, pa humbur kohë, Bashkia ka punuar me një ritëm të lartë dhe sot ne i kemi propozuar Këshillit Bashkiak kriteret thelbësore për vendosjen e qerave minimale dhe maksimale, dhe vendosjen e të ardhurave minimale dhe maksimale për të gjithë ata qytetarë të Tiranës që duan të marrin këtë shërbim dhe përfitojnë nga këto banesa sociale. Ka dy nivele qeraje, të cilat shkojnë në logjikën e nivelit të të ardhurave të banorëve. Por më lejoni t’ju them që e reja që ne kemi futur është gjithashtu që ky program i banesave sociale të bashkërendohet në të njëjtën kohë me programin e subvencionimit të qerasë. Pra, në qoftë se kemi një familje me të ardhura të ulëta që nuk kap nivelin minimal të të ardhurave, atëherë përfiton qeranë më të ulët duke u subvencionuar nga Bashkia. Pra, kemi të bëjmë me një konvergjencë të dy programeve dhe kjo është arsyeja që unë mendoj që ky program gjithashtu do të jetë shumë i suksesshëm” –deklaroi nënkryetari Bozdo.

Zoti Bozdo ka theksuar se pas marrjes në dorëzim rreth një muaji më parë të banesave sociale ka nisur punën për përfundimin e te gjitha modaliteteve që do të çojnë në shpërndarjen sa më parë të tyre. Aktualisht, po shqyrtohet dokumentacioni i 1200 aplikimeve.

“Jemi plotësisht të gatshëm që 385 apartamentet t’i shpërndajmë në më shumë se 1200 aplikime të marra deri më sot nga qytetarët e Tiranës, duke filluar që nga viti 2007 kur u premtuan për herë të parë.

Me këtë rast u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë aplikuar të rifreskojnë dokumentacionin, sepse është kërkesë ligjore. Ne kemi një staf plotësisht në dispozicion të tyre, të këshillimit të dokumenteve që duhet të sjellin, por nga ana tjetër sapo dosjet e para të jenë gati, me miratimin e vendimit në Këshill Bashkiak, ne do të fillojmë menjëherë dhënien e banesave sociale për qytetarët e Tiranës, dhe veçanërisht sipas pikëavarazhit të caktuar për shtresat në nevojë”-përfundoi nënkryetari Bozdo.

KOMENTE