English

Rama: Shqipëria drejt rritjes ekonomike

Edi Rama ndërsa i ka cilësuar si gënjeshtra akuzat e opozitës për ulje të të ardhurave, theksoi se gjatë gjashtë muajve të qeverisjes ka ulur taksat për 97% të shqiptarëve. Rama iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për borxhin e deklaruar nga qeveria duke theksuar se shifrat janë reale.

Por seanca plenare e kësaj të enjte në Kuvendin e Shqipërisë ka përplasur në debate të ashpra mazhorancën dhe opozitën.
Palët nuk kanë mundur asaj kësaj here ti qëndrojnë strikt pikave të përcaktuara për shqyrtim në rendin e ditës, duke vendosur në qendër të diskutimeve nivelin e borxhit ekonomik në vend dhe policinë e shtetit.


Fjala e Kryeministrit Edi Rama, sot në Kuvend:

Zoti kryetar ka kaluar ora 1 e pasdrekës dhe jemi akoma në kushtet kur s’ka filluar seanca e parlamentit. Dhe pse më duhet ta them, sot, është hera e parë që opozita bëri një përpjekje për të mos folur përçartë. Përpjekje për t’u inkurajuar. Ndërkohë që, besoj, duhet të gjejmë një rrugë që të mos vazhdojmë të rrimë mbi rregulloren dhe mbi sensin normal të bashkëjetesës këtu, në këtë sallë, duke qenë të detyruar të ndjekim opozitën që kap foltoren jashtë çdo lloj norme të rregullores.

Mbase do të ishte më e udhës të konsideronim kthimin e normës së 60 minutave në fillim të seancës. Kështu që as opozita të mos ndjehet në vështirësinë për të gjetur rrugë që të kapë foltoren, as Parlamenti të mos bëhet qesharak për shkak të opozitës dhe as ne të mos humbasim kohë të paparashikuar për, thjesht dhe vetëm, të pritur që opozita të kthehet në realitet përmes këtij procesi të përçartjeve, të çdo të enjteje, këtu në Parlament.

Dëgjova dhe shumë shkurt dua të bëj disa nënvizime. Para shumë pak kohësh kam pasur mundësinë të shoh një studim lidhur me legjislacionin dhe shkallën e implementimit të ligjit në Bashkimin Evropian dhe është shumë interesante që vendet me ligjshmëri më të lartë janë vendet që kanë më pak ligje dhe vendet me ligjshmërinë më të ulët janë vendet që kanë më shumë ligje. Ideja që një Qeveri quhet që punon shumë kur bën shumë ligje, i takon pikërisht vendeve kur ligjshmëria është problemi kryesor dhe ku rritja e numrit të ligjeve nuk sjell, në asnjë mënyrë, rritjen e ligjshmërisë. Kështu që, ne këtë e dimë, kjo është qasja jonë, ne nuk jemi këtu për të prodhuar sa më shumë ligje, por jemi këtu për të prodhuar sa më shumë ligjshmëri.

Padyshim, kemi sjellë dhe do të sjellim projekte ndryshimesh ligjore për të bërë ato reforma rrënjësore që ka nevojë vendi dhe muajt e mbetur të kësaj pjesë të parë të katërvjeçarit do të jenë pikërisht muaj për të diskutuar dhe për të votuar reformat rrënjësore.

Është e habitshme sesi pretendohet që të ardhurat nuk janë rritur. Është e habitshme sesi njerëz që kanë qenë në qeverisjen e vendit dhe të financave të vendit mund të flasin ashtu siç flasin këtu. Është e habitshme sesi vazhdohet të mendohet nga një parti, - që në 23 qershor mori një mesazh shumë të qartë, - që “populli mund të trajtohet si budalla dhe rruga më e mirë për të bërë politikë është budallallepsja e popullit”. Shqiptarët janë shumë më tepër se kaq dhe e treguan këtë edhe në 23 qershor. Të ardhurat janë rritur për të njëjtën periudhë, as më shumë e as më pak, por 150 milionë dollarë. Këtu ka vetëm një element që mjafton për ta ndarë këtë çështje, që është pikërisht Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore si huadhënës. Si mundet që Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore të na japin ne huanë, në qoftë se performanca jonë do të ishte kjo që pretendohet nga opozita?! Si mundet që Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore ta konsiderojnë këtë marrëdhënie të vendosur nga qeveria në programin e ri, si një marrëdhënie që funksionon plotësisht, bazuar pikërisht tek realizmi i të gjithë parametrave, në rast se ne do të ishim këtu në kushtet që nuk do të kishim realizuar të ardhurat?!

Kjo është një gjë që çdo shqiptar e kupton. Sikundër, çdo shqiptar kupton edhe një gjë tjetër, që taksat në Shqipëri, për 97 % të atyre që paguajnë taksa, janë ulur, nuk janë rritur. Këtë nuk e themi ne, nuk e thonë as shifrat, por e thonë shqiptarët. Merrini në pyetje, ju kam thënë sa herë më është dhënë mundësia që pyetini shqiptarët. Pyetini shqiptarët me metodat shkencore të njohura botërisht dhe mos pyesni vetëm ata që rrinë të oborri i SHQUP-it, sepse merrni të dhëna të gabuara dhe futeni në rrugë pa krye. Shqiptarët e dinë, edhe ata që votojnë për ju, kur pyeten për çështjen e taksave, thonë që: Taksat janë ulur.

Ka një të dhënë tjetër shumë të rëndësishme, që përsëri ju mund ta merrni në rrugë shkencore, që është konsumi. Konsumi i shtresës së mesme dhe të ulët është rritur. Por me çfarë është rritur konsumi i shtresës së mesme dhe të ulët? Me se? Si mund të rritet konsumi i shtresës së mesme dhe të ulët në qoftë se nuk ka rritje të fuqisë blerëse?!

Kreditë e këqija;

Kreditë e këqija i latë në gjendje jashtëzakonisht alarmante, mbi 25 %, me tendencë për të shkuar 26 %. E, vini e flisni këtu për kreditë e këqija. Kreditë e këqija erdhën si rezultat i bllokimit që i bëtë ju ekonomisë. Është e kotë që diskutoni shifrën që ne kemi dhënë, 720 milionë dollarë borxh i akumuluar dhe i fshehur. I akumuluar për shkak të atyre gërshërëve dhe të shiritave, dhe i fshehur për shkak të një kuptimi të politikës që e çoi qeverisjen tuaj dhe Shqipërinë në atë derexhe që e çoi dhe që ju bëri të merrni atë që morët në 23 qershor. Mirë ne, po FMN-ja dhe Banka Botërore si mund ta njohin për të mirëqenë një shifër që nuk qenka e vërtetë?! Si mundet që mbi bazën e asaj shifre të ndërtojnë gjithë marrëveshjen dhe marrëdhënien e huasë me Shqipërinë?! Ato janë institucione financiare, të cilët i numërojnë qindarkat e tyre një më një dhe kurrë nuk mund të gabojnë, sepse s’kanë gabuar kurrë kur vjen puna te numërimi i lekëve të tyre. Atëherë si ia japin Shqipërisë atë hua, bazuar mbi këto të dhëna, kur këto të dhëna nuk qenkan të vërteta?!

Energjia;

Si ka mundësi, si është e mundur që të diskutoni këtu për energjinë, si diskutoni përditë dhe t’i bini gjoksit që keni bërë sukses në politikën energjetike, ndërkohë që i keni lënë shqiptarëve në qafë një situatë që është katastrofike, përtej borxhit 1 miliardë dollarë mes kompanive dhe mes kompanive e bankave, i keni lënë një kompani shpërndarje në faliment, CEZ-in.

Kush bëri që të ikte kompania që ju e morët, me një privatizim që jua thamë atëherë, ju është thënë këtu në Kuvend nga opozita e mëparshme, ju është thënë, nga ne në të gjitha rrugët, “mos e bëni këtë privatizim se është i dështuar”. Janë faktet. E bëtë. Kompania CEZ iku para 23 qershorit apo pas 23 qershorit? Ky konflikt i hapur mendoni se është çështje politike apo është çështje financiare. Këtë konflikt të hapur për një çështje të madhe financiare që e keni krijuar ju dhe që jua keni lënë shqiptarëve në formën e një fature skandaloze. Kush ka përgjegjësinë? E kemi ne, që e gjetëm si minë me sahat kompaninë? Apo e keni ju që e latë si minë me sahat? Po përgjegjësinë për ato koncesionet ku i keni dhënë të drejtën privatëve për të ndërtuar? Ia keni dhënë si ia keni dhënë? Kjo është histori më vete, -duke i marrë përsipër që shteti në vazhdimësi për dhjetëra vite t’ua u blejë energjinë me një çmim fiks që e keni caktuar ju, pavarësisht çmimit të tregut. E duke bërë që shteti të hyjë në një situatë, ku të akumulojë borxhe, deri në pikën ku të mos jetë në gjendje të përgjigjet. E sot që flasim, tundja e kokës, tregon në rastin më të mirë që nuk kuptonit se për çfarë flisni e në rastin më të keq, diçka tjetër që unë nuk po jua them, por ajo që unë po ju them është se pse atëherë, meqenëse këto koncesione kanë qenë të rregullta, meqë marrëveshjet që keni bërë ju kanë qenë të sakta, pse atëherë trashëguam ne gjithë këto borxhe të papaguara këtyre kompanive që kanë hyrë në marrëdhënie koncesionare me shtetin përmes jush. Pse? Në qoftë se nuk do të ishte kështu siç themi ne, nuk do të kishte borxhe. Nuk duhet të kishte kompani që kanë ndërtuar hidrocentrale, bazuar në ato koncesionet tuaja, që të rrinin sot me lakun e borxheve në fyt dhe t’i kërkonin borxhet një shteti që në sistemin energjetik ka lakun e borxheve në fyt.

Atëherë këto janë fakte, nuk janë interpretime, nuk janë opinione, nuk janë programe për të ardhmen. Janë fakte dhe faktet flasin.

Ashtu sikundër është fakt, rënia ekonomike nën zero e tremujorit të tretë. Nuk është fakt që e themi ne. Është fakt i pranuar botërisht. Është fakt do ta shikoni në ditët në vijim, kur Shqipëria do të rivlerësohet pozitivisht nga agjencitë e raitingut ndërkombëtar. Edhe ky është fakt dhe do ta shikoni kur të vijë vlerësimi. E kjo, për shkak të politikës që ne kemi ndërmarrë. Është një politikë që jo vetëm nuk ka lidhje me asnjë lloj politike shtrënguese dhe recesive, por është një politikë që ka filluar të fusë dhe të rifusë Shqipërinë rrugën e rritjes ekonomike. Edhe ky është fakt.

Është fakt po ashtu që sot janë mbi 200 milionë dollarë të paguara mbrapsht, borxhe që i latë ju. Synimi ynë është që deri në fund të qershorit të paguajmë të gjithë pjesën e parë që është pjesa e këtij viti dhe të përgatisim një skenar alternativ për të shkuar dhe më tutje, duke qenë se jemi të bindur se deri në qershor auditimi i marrëveshjes nga FMN-ja do të na nxjerrë faqebardhë.

Ajo që kemi bërë ne dhe që e pohojnë të gjithë ekspertët ndërkombëtarë, e që e morëm me kënaqësinë më të madhe si një pohim konsensual të të gjithë përfaqësuesve të ekspertizës më të lartë ndërkombëtare sot, që ne sot i kemi në Këshillin Ekonomik Kombëtar, është që marrëveshja me FMN është një marrëveshje model për nga fleksibiliteti dhe nga mundësia që i kemi dhënë vetes që të negociojmë mbi bazë rezultatesh.

Sigurisht edhe ata, e kemi pranuar ne, që mbi bazë rezultatesh të negociojmë. Pra, në qoftë se ne nuk i arrijmë rezultate e parashikuara, sigurisht që do të ketë kosto. Por në qoftë se ne do të arrimë rezultate e parashikuara, do të mund të shkojmë më tutje dhe do të mund të lehtësojmë shumë më tepër atë kornizë që ka marrëveshja sot. Për gjithë këtë Shqipëria sot është në kushte krejt të reja. Ky është fakt.

Ndërkohë që mos e përmendni më këtë punën e Partive Popullore, të djathtës europiane, e të gjitha këto. Por për t’u ndihmuar, kini parasysh që ata sot jetojnë në fazën e një keqardhje për gjendjen tuaj dhe ju presin që të ktheheni me këmbë në tokë dhe të kuptoni që jeni në opozitë. Besojeni këtë. Ju presin që të kuptoni që jeni në opozitë dhe që të bëni opozitën. Mos i shpërdoroni kot nëpër fjalime, miqtë tuaj në Bruksel, të djathtës europiane. Edhe mos i gënjeni, mos i thoni broçkulla, që ndërrohet Kushtetuta me vendim qeverie, e këto historira, sepse pastaj kur shikojnë faktet, vihen në pozitë të vështirë e në fund fare detyrohen të thonë edhe ata, atë që themi ne “Epo mirë s’kanë faj, tani sa kanë dalë në opozitë, të kapin veten”. Kështu që kapeni veten. Ne jemi këtu plotësisht mirëkuptues. Edhe ne ishim në opozitë. E dimë çdo të thotë të jesh në opozitë.

Mos kini fare merak, për sa i përket çështjeve të ekonomisë. Ashtu siç mos keni merak fare për sa i përket çështjes së punësimit që është sfida më e madhe, pa as më të voglin dyshim. Por është absolutisht qesharake të më thoni kanë humbur 44 mijë vende pune. Është si puna e asaj shifrës kur thoni janë hequr 8 mijë nëpunës civilë ose janë hequr 800 nga Ministria e Drejtësisë, kur ka 424 gjithsej. Kjo është matematikë që mund të ndihmojë...- kanë llogaritur të burgosurit. Keni drejtë, bashkë me të burgosurit mund të bëhen aq.

Faleminderit!

KOMENTE