Dje eshtë zhvilluar tryeza e tretë me sipërmarrës dhe investitorëve të huaj në Shqipëri.
Pa tryezave me biznesin italian dhe turk sot Kryeministri Rama dhe disa prej ministrave të kabinetit qeveritar, kanë bashkëbiseduar me sipërmarrës dhe investitorë grek. Në Shqipëri janë 300 kompani greke që operojnë në sektorë të ndryshëm. Kryeministri kërkoi rritjen e prezencës së investitorëve nga shteti fqinj.
Në bashkëbisedimin e zhvilluar me ta, kryeministri i siguroi se Qeveria shqiptare do të jetë në krah të tyre për të mbështetur dhe inkurajuar çdo investim dhe për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që çdo sipërmarrës i huaj të kultivojë eksperiencën e tij të suksesit, në Shqipëri.
Fjala e Kryeministrit Rama në takimin mbi ekonominë, mundësitë dhe problematikat me përfaqësuesit e biznesit grek në vendin tonë:
Shumë faleminderit, të gjithë të pranishmëve dhe në mënyrë të veçantë organizatorëve të këtij takimi, duke përfshirë këtu padyshim edhe mikun tim dhe kolegun tonë të palodhur, Eduard Shalsin, që është edhe kryetari i këtij grupi parlamentarësh që kujdesen posaçërisht për rritjen e volumit të investimeve greke në Shqipëri. Është një praktikë e re që ne e kemi futur pasi erdhëm në qeveri. Tanimë kemi tre grupe parlamentarësh shumë aktivë, me Italinë, Greqinë dhe Turqinë. Ndërkohë po përgatitemi për një grup të katërt që do të kujdeset në mënyrë të posaçme për investimet gjermane. Ne besojmë se do të krijohet bashkë me një konferencë të posaçme ekonomike që do të mbajmë në Berlin. Besoj në një kohë jo shumë të largët përpara vjeshtës. Jemi shumë të vetëdijshëm që ka ende shumë për të bërë lidhur me klimën e biznesit, lidhur me mjedisin ku operojnë në tërësi sipërmarrësit, por në mënyrë të veçantë, investitorët e huaj dhe, padyshim, me thithjen e investime të huaja, që janë një nga objektivat tanë më kryesorë.
Sot ne kemi marrë një lajm shumë të mirë që Standard & Poors ka konfirmuar atë që dimë prej disa ditësh në rrugë jo zyrtare, se Shqipëria ka kaluar nga niveli negativ, në nivel të qëndrueshëm si vend, për sa i përket gjendjes ekonomike. E kjo si rezultat i qeverisjes sonë. Në mënyrë të posaçme i programit që ne kemi adoptuar në bashkëpunim me FMN dhe i angazhimit tonë për të shlyer të gjitha borxhet ndaj sipërmarrjes dhe për të mos akumuluar më borxhe të tjera, në formën e një kreditimi të pavullnetshëm nga ana e sipërmarrjes, të qeverisë dhe të buxhetit të shtetit. Një kreditim i realizuar në mënyrë brutale, që ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë besimin e sipërmarrjes tek shteti, ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë edhe besimin tek Shqipëria të investitorëve të huaj dhe ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë, pa dyshim, edhe ekonominë e vendit.
Ne do t’i shlyejmë borxhet. Deri tani në kohë shumë të shkurtër kemi shlyer rreth 200 milionë dollarë. Objektivi ynë është që brenda muajit qershor të përmbushim të gjithë volumin e parashikuar për shlyerjet e këtij viti dhe po përgatisim një instrument financiar që do e diskutojmë pastaj me FMN-në për të rritur volumin e shlyerjeve në 6 mujorin e dytë. Sigurisht, duke u bazuar nga njëra anë tek përmbushja e gjithë objektivave që do t’i vendosim si realizime përballë FMN në fund të qershorit dhe tek rritja e kapaciteteve qeverisëse, që është e padyshimtë se janë në rrugë të mbarë.
Nga ana tjetër ne kemi marrë përsipër t’i japim fund edhe një historie shumë të dhimbshme për biznesin dhe për investitorët lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, që do të futet në rrugën e rimbursimit automatik brenda 60 ditësh. Pra, nëse deri dje një nga zërat më rëndues në volumin e borxhit të akumuluar dhe të pa regjistruar të 720 milionë dollarëve që trashëguam nga qeveria e kaluar, ishte TVSH-ja e parimbursuar, nuk ka më asnjë gjasë që TVSH të mos rimbursohet në mënyrë automatike. Ashtu sikundër është e sigurt që rimbursimi plotë i të gjithë vlerave të TVSH, të akumuluar në formë borxhesh, do të kryhet pikë për pikë.
Nga ana tjetër ne besojmë po ashtu se, siç e tha edhe ambasadori, se tendenca pozitive që ka filluar të ndjehet në ekonominë e Greqisë do të reflektohet në formën e rritjes së investimeve të huaja nga Greqia në Shqipëri. Ashtu sikundër besojmë se klima e biznesit në Shqipëri, që do të njohë përmirësime shumë të ndjeshme në harkun e këtij viti dhe jemi të bindur do të reflektohet vitin e ardhshëm në raportin e Doing Business, do të inkurajojë ju dhe gjithë grupin prej 300 kompanish dhe investitorësh grek në Shqipëri, që të rrisin volumin e investimeve të tyre. Sigurisht që, ka ende shumë për të bërë, por unë e vërej me kënaqësi që edhe nga ata që folën për të çelur këtë takim, në emër të sipërmarrësve grek edhe nga vet ambasadori, ashtu sikundër edhe nga shumë të tjerë më parë, nënvizohet me shumë kënaqësi krijimi i Këshillit Ekonomik Kombëtar, që është një instrument në dispozicion të sipërmarrjes dhe që është një hapësirë e munguar më parë për të të vendosur në një tryezë qeverinë në nivelin më të lartë, sipërmarrjen, bankat institucionet ndërkombëtare financiare. E pa asnjë dyshim kur them sipërmarrjen, jo vetëm sipërmarrjen vendase, por dhe përfaqësitë e investitorëve të huaj. Është një instrument që na ka dhënë mundësinë të diskutojmë në mënyrë të përmuajshme dhe të ndërtojmë një qasje sa më të thellë dhe të mirëkuptuar mes gjithë këtyre palëve në marrjen e hapave të rëndësishëm dhe të vendimeve strategjike të Qeverisë për ekonominë. Në këtë Këshill Ekonomik Kombëtar kemi fatin të kemi edhe një grup shumë të nderuar ekspertësh të ekonomisë dhe të financave të nivelit të lartë botëror që bashkohen me Këshillin një herë në tre muaj. Synojmë që këtë Këshill Ekonomik Kombëtar ta kthejmë edhe në një mekanizëm shumë efikas kundër korrupsionit dhe kundër arbitraritetit që shpeshherë ka qenë problemi më i madh i sipërmarrësve në Shqipëri, vendas apo të huaj. E kemi thënë dhe do ta themi sa herë që të na jepet mundësia se nga njëra anë ne do të bëjmë çmos që shërbimin ndaj sipërmarrjes në dogana dhe tatime ta çojmë në nivelet më të kënaqshme, sikundër po ndodh, por po ashtu ne kemi nevojë për bashkëpunimin, partneritetin, mbështetjen e sipërmarrjes për të luftuar të gjithë fenomenet negative në qasjen dhe sjelljen e shtetit ndaj sipërmarrjes. Për të mos lejuar që inspektorë doganash, inspektorë tatimesh apo inspektorë të çfarëdo agjencie që ka detyrimin t’i shërbejë sipërmarrjes, të kthehet në barrë në qafën e sipërmarrjes. Për të mos lejuar që nën uniformën e shtetit shqiptar të kërkohen bakshishe, të kërkohen ryshfete, të vendosen gjoba arbitrare, të trajtohet marrëdhënia me sipërmarrjen si një mundësi për ta kërcënuar dhe shantazhuar sipërmarrjen, siç ka ndodhur deri qershorin e kaluar. Të jeni të sigurt se cilido nga sipërmarrësit që do t’i adresojë sekretariatit të Këshillit Ekonomik Kombëtar një ankesë për gjithë sa thashë, jo vetëm që do të lehtësohet menjëherë nga barra e shkaktuar prej kujtdoqoftë në kurriz të tij, por do të japë një kontribut të rëndësishëm që mesazhi të jetë i qartë për të gjithë ata që duhet t’ju shërbejnë se; Kush cënon dinjitetin dhe qetësinë në punë të një kompanie, merr atë që meriton, largimin nga gjithë shërbimi publik shqiptar.
Ne kemi sot po ashtu arsye që të ndihemi të inkurajuar se nuk mund të përdor fjalën të kënaqur – sepse asnjëherë realisht nuk mundet dhe nuk duhet jemi të kënaqur, pasi rruga që kemi për të bërë është ende shumë e gjatë dhe e mundimshme, - por shumë të inkurajuar nga rezultatet në dogana dhe tatime. Unë jam krenar për punën e jashtëzakonshme të Drejtores së Përgjithshme të Tatimeve, që është me ne këtu sot, dhe të Drejtores së Përgjithshme të Doganave, të dy ekipeve drejtuese, sepse kemi arritur të rrisim me 150 milion dollarë të ardhurat, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti me parë dhe pa hyrë akoma në fuqi tatimi i fitimit mbi kompanitë, pra rritja nga 10 në 15 %, që siç e dini dhe ju fillon aktivizohet në muajin prill dhe mbi të gjitha pa gjoba.
Në shifrën që krahasojmë mes këtyre 6 muajve dhe 6 muajve të së njëjtës periudhë të një viti më parë, zëri i tretë në masën e të ardhurave të një viti më parë, ishin gjobat. Pra, parafytyroni vetëm një moment, se si mund të ndodhë që zëri i tretë në masën e të ardhurave të buxhetit të shtetit nga sipërmarrjet të jenë gjobat, të cilat zinin 10 % të volumit të përgjithshëm të mbledhur nga shteti. Është një shifër që mjafton për të kuptuar të gjithë, sepse ju e keni pësuar drejtpërdrejtë, siç e kanë pësuar të gjithë sipërmarrësit, vendas apo të huaj në Shqipëri që çfarë trysnie dhe në çfarë kushtesh ka punuar sipërmarrja shqiptare dhe ajo e huaj në Shqipëri. Se në çfarë stresi dhe në çfarë brutaliteti ka qenë e detyruar të jetojë çdo kompani përballë një shteti që në vend që të garantojë shërbim e ka parë gjobën si instrumentin për të rritur të ardhurat e veta në mënyrë artificiale dhe e ka parë çdo kompani nën kontratë si një burim kreditimi të pavullnetshëm, duke marrë përsipër ta kontraktojë, por nga ana tjetër duke mos i lënë asnjë shteg përballë nevojës për t’i marrë punën dhe për të mos i paguar paratë. Kjo është një epokë e mbyllur.
Rruga që kemi përpara nuk është fushë me lule, nuk është as një rrugë në zbritje. Është një rrugë në ngjitje, është një rrugë e vështirë, por është e vetmja rrugë, rruga e kthimit të figurës së sipërmarrësit, në një figurë të nderuar, të respektuar dhe të pacenueshme. Rruga e kthimit të suksesit në sipërmarrje, në një model suksesi për Shqipërinë. Siç është model suksesi për shoqërinë një sportist, një artist, nganjëherë dhe ndonjë këngëtar që thua si ka mundësi që e dëgjojnë këtë, - dhe nuk është model suksesi, fatkeqësisht, një sipërmarrës. Në sistemin e sipërmarrjes, në sistemin e lirisë së sipërmarrjes dhe të konkurrencës mes ideve dhe sipërmarrjeve, ne nuk e kemi sipërmarrësin një figurë model. Përkundrazi, ne jemi një vend, ku sot e gjithë ditën, fatkeqësisht, ende sipërmarrësit nuk i njeh kush. Ende sipërmarrësit nuk janë në qendër të mediave, nuk janë në qendër të gazetave të revistave. Nuk janë në qendër të atyre që organizojnë debatet apo intervistat, sepse frika se nga dalja në dritë të vjen një gjobë dhe të gjen belaja, ka bërë jo vetëm që të mos dalin gjëkundi sipërmarrësit, por edhe të ulin në mënyrë dramatike, reklamimin e produkteve të tyre dhe të kompanisë së tyre. Sepse të bësh reklamë –më tha diku një sipërmarrës- do të thotë të marrësh në kurriz të gjithë dynjanë; taksidarët që vinë dhe thonë, “ti ke para para për reklamë s’qenke i kënaqur nga gjoba që të kemi vënë, atëherë po ta shtojmë”. Nga ana tjetër krimin që të thotë “meqë qenke kaq i pasur, na jep dhe ne pjesën tonë”.
Ne do t’i japim sipërmarrësit gjithçka për ta vendosur në vendin që i takon. Sepse unë besoj që ne duhet ta ndryshojmë rrënjësisht edhe mendësinë e më të rinjve, lidhur me të ardhmen e tyre. Ne kemi gjithmonë e më shumë të rinj që duan të punojnë në shtet, e gjithmonë e më pak të rinj që ëndërrojnë të bëhen sipërmarrës. Një nga arsyet, përveç shumë të tjerave dhe ju që jeni jetoni apo keni jetuar në Greqi, e dini shumë mirë që në këtë pikë ngjajmë, -pra shumicë duan të punojnë në shtet, por një nga arsyet është padyshim mungesa e rolit frymëzues dhe e shembullit të suksesit të sipërmarrësve në shoqëri. Krijimi i një modeli tërësisht të deformuar të sipërmarrësit si përfaqësues i një bote të errët, interesash të errëta, lidhjesh të errëta, punësh të errëta, pra i një bote që nuk është bota ku një i ri apo prindërit e një fëmije do të donin ta shikonin fëmijën e tyre të bëhej pjesë. Kjo është një fatkeqësi e madhe e trashëguar nga regjimi i mëparshëm dhe nga rrënimi i shumë viteve me radhë në të ashtuquajturën qeverisje, të kohëve të së ashtuquajturës demokraci.
Që të kemi një demokraci funksionale, duhet të kemi një marrëdhënie që funksionon mes sipërmarrësit dhe shtetit si një marrëdhënie ku shteti është garanti i çdo sipërmarrje dhe i çdo sipërmarrësi dhe i marrëdhënies mes sipërmarrësve, dhe që krah për krah me sipërmarrësit marrin frytet e suksesit të merituar, është në luftë me informalitetin dhe me konkurrencën e pandershme. Kjo është ambicia jonë dhe jam i bindur që së bashku me të gjithë sipërmarrësit që me të drejtë marrin frytet e suksesit të tyre, ne mund t’ja dalim. Sepse në fund të fundit ne jemi të vetëdijshëm që jeni ju që e krijoni mirëqenien. Nuk është qeveria që e krijon mirëqenien. Është sipërmarrja që e krijon mirëqenien, është shoqëria që e krijon mirëqenien. Sipërmarrja krijon mirëqenien materiale, shoqëria krijon mirëqenien shpirtërore dhe qeveria duhet të krijojë kushtet që kjo mirëqenie të krijohet. Nuk i krijon shteti vendet e punës, i krijon sipërmarrja. Qeveria duhet të bëjë çmos që sipërmarrja të ketë kushte për të krijuar vendet e punës. Jam i bindur që sot ne edhe pse Greqia deri në vitin 2010 ka qenë vendi i parë për nga investimet e huaja në Shqipëri, nuk mund të jemi të kënaqur me vetëm 300 kompani. Janë shumë pak për lidhjet që ekzistojnë mes dy vendeve, që janë bërë shumë herë më të forta edhe falë pranisë së një numri jashtëzakonisht të madh emigrantësh shqiptarë në Greqi. Një pjesë e tyre janë kthyer dhe vazhdojnë të kthehen. Sjellin me vete sigurisht atë çfarë arrijnë mësojnë dhe çka arrijnë të kuptojnë. Padyshim, janë një rritje cilësore e burimeve tona njerëzore, siç është rasti i Eduart Shalsit, që nga emigrant u kthye dhe u bë figurë e njohur, apo dhe rasti im se dhe unë kam qenë emigrant. Nuk kam qenë në Greqi, kam qenë në Francë, por emigrantë kemi qenë që të dy. Dikur na e përmendnin si fatkeqësi që kemi qenë emigrantë, por besoj që tanimë të paktën në ketë pikë, kushdo që ka patur një eksperiencë emigracioni, ka të drejtën të mendojë se ka një pasuri më shumë në bagazhin e jetës së vet.
Faleminderit!