Të hënën, shefi i diplomacisë kosovare ka takuar Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë të Selisë së Shenjtë, Monsignor Dominique Mamberti, të cilin e ka njoftuar për zhvillimet e fundit në Kosovë, të arriturat dhe sfidat, si dhe fuqizimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj ka ripërsëritur kërkesën për njohjen e Kosovës në një të ardhme të afërt nga Vatikani.
“Gjatë ditës së sotme kam takuar Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë të Vatikanit, Monsignor Mamberti. Ka qenë një takim miqësor dhe shumë i përzemërt. Qëllimi kryesor i takimit ka qenë ta informojë për zhvillimet kryesore në Kosovë, ndërsa në këtë takim kam ripërsëritur kërkesën për njohjen e Kosovës nga Selia e Shenjtë, në një të ardhme të afërt”, ka thënë Hoxhaj.
Shefi i diplomacisë kosovare ka vizituar edhe më herët Selinë e Shenjtë në përpjekje për të shtyrë përpara agjendën lobuese dhe siguruar njohjen nga Vatikani.
Gjatë qëndrimit në Itali, ministri Enver Hoxhaj do të takojë edhe zyrtarë të lartë të Qeverisë së re të këtij shteti.