Organizimi i sistemit shëndetësor
Sistemi Shëndetësor në Shqipëri është kryesisht publik. Shteti siguron pjesën më të madhe të shërbimeve që i ofrohen popullatës si në fushën e promocionit, parandalimit, diagnostikimit dhe kurimit. Sektori privat është akoma në hapat e para dhe mbulon pjesën më të madhe të shërbimit farmaceutik, shërbimit stomatologjik dhe disa klinika diagnostikuese specialitetesh të cilat janë përqëndruar kryesisht në Tiranë.
Ne sektorin publik rolin e liderit e luan Ministria e Shendetesise e cila eshte hartuese dhe pergjegjese per politikat dhe strategjite e sistemit shendetesor, per rregullimin e tij si dhe per koordinimin e te gjithe aktoreve brenda dhe jashte sistemit.
Shërbimi shëndetësor diagnostikues dhe kurues është i organizuar në tre nivele: shërbimi parësor, shërbimi spitalor dytësor, dhe spitalor terciar.
Shërbimet e shëndetit publik dhe promocionit ofrohen në kuadrin e shëndetit parësor dhe mbështeten dhe mbikqyren nga ISHP
Krahas këtyre ofrojnë shërbimet e tyre edhe një sërë institucionesh nacionale si Qendra Kombetare e Transfuzionit të Gjakut, Qendra Kombetare e Mirërritjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Femijës, Klinika Stomatologjike Universitare, etj.
Në mbështetje të institucioneve shëndetësore funksionojne edhe Qendra Kombetare e Inxhinierise Biomjekesore dhe Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave.
Me përjashtim të Tiranës ku në kuadrin e një projekti pilot është riorganizuar shërbimi shëndetësor parësor dhe ështe krijuar ASHR–ja, në çdo distrikt funsionon një DSHP-Drejtoria e Shëndetit Publik e cila duhet të koordinojë te gjitha shërbimet shëndetësore të rrethit. Në 12 rrethet e medha (qendra të rajoneve) krahas DSHP-ve, funksionojnë si drejtori të veçanta Drejtoria Spitalore dhe Drejtoria e Kujdesit Shëndetësor Parësor. Ky organizim do të rishikohet me përfundimin e projektit pilot të ASHR-së duke synuar krijimin e autoriteteve rajonale që do të koordinojnë funksionimin e shërbimeve shëndetësore në rang rajoni.
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor
Sigurimi Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë është institucionalizuar në bazë të Ligjit “Për Sigurimet Shëndetësore në Republikën e Shqipërisë” (Nr. 7870), datë 13.10.1994. Ai është i tipit Bismarkian. Skema e Sigurimeve Shëndetësore ka hyrë në zbatim me 1 mars 1995 si një mekanizem i rëndësishëm në reformimin e sistemit shëndetësor, si në drejtim të menyrës së financimit dhe rritjes së burimeve për kujdesin shëndetësor, ashtu dhe të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve.
Institucione nacionale
Sistemi shëndetësor në Shqipëri mbështetet edhe nga një sërë institucionesh nacionale, të cilat varen direkt nga Ministria e Shëndetësisë.
Instituti i Shëndetit Publik
Institucioni më i larte teknik në fushën e shëndetit publik është Instituti i Shëndetit Publik i cili është një institucion nacional nën varësine direkte të Ministrisë së Shëndetësisë. Detyrat e tij përfshijnë studimin dhe monitorimin e faktoreve të riskut, survejancën e semundjeve ngjitëse, referencën laboratorike si edhe menaxhimin e programeve të vaksinimit. Zbatimi i mjaft programeve afatshkurtra me natyrë studimore apo promovuese të shendetit është gjithashtu pjesë e aktivitetit të tij. Instituti i Shëndetit Publik luan edhe një rol të rëndësishëm lidhur me trainimin në fushën e shëndetit publik.
Qendra Kombëtare Kontrollit të Barnave
Qendra është institucioni përgjegjës për kontrollin e çdo veprimtarie në fushën farmaceutike. Ajo ushtron kontroll mbi :
a) veprimtaritë e fabrikimin, mjediset dhe pajisjet e tij
b) tregtimin me shumicë dhe pakicë si dhe kushtet e ruajtjes së barnave,
c) lëndët e para medikamentoze dhe lëndët ndihmese ambalazhuese
d) barnat e importura nga të gjitha subjektet e licensuara.
Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut
Qendra Kombetare e Transfuzionit të Gjakut ka si qëllim sigurimin e gjakut dhe produkteve të tij për të plotësuar në mënyren me optimale kërkesat për transfuzione që nevojiten për, trajtimin e personave të aksidentuar, pacientëve që vuajne nga anemia e rende dhe kronike, pacientëve me kancer, pacientëve që do t'u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale, grave që kanë hemoragji të madhe gjatë lindjes.
Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit është i përbërë nga 29 banka gjaku, 3 banka gjaku në Tiranë dhe 26 në rrethe.
Qendra Kombëtare e Mirërritjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Fëmijëve Tiranë
QKMZHRF Tiranë është ngritur si Qender Kombëtare, Diagnostikuese, Trajtuese e Trainuese në vitin 2000, mbi bazën e spitalit distrofik Tiranë.
Misioni saj është përmirësimi i cilësisë së jetës së fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe mbështetja e familjeve të tyre, për ti pasur partnerë ato në rrugën e gjatë të rehabilitimit, kujdesit dhe edukimit të këtyre fëmijëve.
Qendra Kombëtare e Inxhinierisë Biomjeksore
Qëllimi i saj është profilaksia dhe mirëmbajtja e pajisjeve mjeksore me qëllim që pajisjet mjeksore të kombinuara me personelin e institucioneve shëndetësore (mjekë, specialistë, infermierë) t`i shërbejnë sa më mirë pacientëve, duke rritur cilësinë në shërbimin ndaj tyre.