Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e zhvilluar dje me Drejtorë të Drejtorive dhe të Zyrave Arsimore të vendit:
E para gjë që dëshiroj të them është se jemi përballë një sfide që sapo ka filluar, për ndërtimin e kapaciteteve të duhura institucionale dhe përmirësimin e domosdoshëm të kompetencave profesionale të punonjësve dhe sigurisht, në radhë të parë, të mësuesve në të gjithë sistemin e arsimit parauniversitar. Nga ana tjetër, është e domosdoshme që të ecim shumë më shpejtë me rritjen e transparencës dhe standardet e performancës së çdokujt që kontribuon në sistemin parauniversitar, bashkëlidhur me domosdoshmërinë që hap pas hapi të sigurohet vazhdimësia e karrierës së çdo mësueseje dhe mësuesi, konform rezultateve dhe vlerësimit të bërë, jo vetëm nga drejtuesit dhe drejtoritë, por edhe nga komuniteti i prindërve.
Sfida jonë e madhe është; Shkolla si qendër komunitare.
Dokumenti strategjik për standardet e shkollës si qendër komunitare është miratuar, rrjeti i koordinatorëve që do të mbulojë shkollat pilot është ngritur. Vazhdon intensivisht puna nga Ministria e Arsimit për të siguruar mbështetjen e nevojshme të donatorëve. Nga ana tjetër, informacioni për zbatimin e dokumentit strategjik duhet të jetë jo vetëm në disponimin e të gjithë atyre shkollave që janë përcaktuar si shkolla pilot, por edhe të gjithë drejtuesve në shkollat e tjera, sepse ky është një proces i cili dëshirojmë që të marrë një shpejtësi në rritje të vazhdueshme.
Nga ana tjetër, është e rëndësishme të nënvizohet se në Fondin e Zhvillimit të Rajoneve i është akorduar një masë e konsiderueshme financimi, praktikisht, e gjithë masa e financimit të kërkuar, Ministrisë së Arsimit, duke vlerësuar shumë lart projektin e inovacionit për gjithë sistemin arsimor parauniversitar. Praktikisht, në vend se të investohej në një numër të kufizuar shkollash, në tulla dhe në llaç, 5 apo 6 shkolla, do të investohet në gjithë shkollat e Shqipërisë për të ndërtuar platformën e përbashkët dixhitale. Për të hedhur, kështu, themelin e një transformimi rrënjësor që do të jetë transformimi i viteve të ardhshme dhe që do të garantojë bashkimin në një platformë të gjithë nxënësve, në të gjitha skajet e vendit dhe të gjithë mësuesve po ashtu, kudo ata japin kontributin e tyre, duke bërë që cilësia e marrjes së informacionit dhe po ashtu e gjithë procesit të mësimdhënies dhe llogaridhënies të jetë e barasvlefshme, në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ky është një projekt që ne e konsiderojmë një gur themeli për një epokë të re për shkollën. Është një projekt që është, po ashtu, një gur themeli për të ndërtuar mbi një bazë shumë të qëndrueshme dhe shkollën si qendër komunitare, pasi është një platformë që do të bashkojë jo vetëm të gjithë njerëzit brenda sistemit, qoftë drejtuesit, qoftë mësuesit, qoftë nxënësit, por edhe qeverinë dhe prindërit.
Duke bërë të mundur realizmin e një sërë programesh të reja, siç është regjistri elektronik dhe me radhë, të cilat do t’i japin mundësi në kohë reale jo vetëm drejtuesve që të njihen me ecurinë e përditshme të çdo shkolle, por edhe prindërve që të njihen me ecurinë e përditshme të fëmije në shkollë, por edhe qeverisë që të nxjerrë nga kjo ecuri e përditshme të gjitha të dhënat e nevojshme për të ndërtuar një material statistikor jashtëzakonisht inovativ dhe jashtëzakonisht të vlefshëm për procesin të mirëqeverisjes së shkollës.
Ju jeni të gjithë në dijeni për ecurinë e punës me maturën shtetërore. Jemi të inkurajuar nga rezultati i organizimit të maturës shtetërore, për faktin se 51 mijë maturantë bënë aplikimet online dhe si asnjëherë tjetër aplikimet u kryen brenda afatit dhe pa ankesa të bazuara e mosfunksionimi i procesit në segmente të ndryshme të tij. Nga ana tjetër, edhe rikonceptimi i një sërë elementësh të maturës shtetërore në një fazë që, siç e dini dhe ju, konsiderohet një fazë tranzicioni në reformën e maturës shtetërore, si dhe përfshirja e gjuhës së huaj si një provim i ri, bashkë me ndryshimin e datave të zhvillimit të testimeve, janë elemente që janë përfshirë si rezultat i një komunikimi të vendosur tanimë me mësuesit, në të gjithë territorin e Shqipërisë. Për këtë dëshiroj që të falënderoj secilën dhe secilin prej jush, për kuptimin e drejtë të një procesi drejtimi të shkollës që është një proces i bazuar në një filozofi të re dhe në një qasje të re, ku mësuesi është në qendër të vëmendjes dhe jo vetëm kaq, por edhe një pikë e patjetërsueshme referimi për dialogun e brendshëm për përmirësimin e procesit të mësimdhënies.Sikundër, duhet të jetë gjithmonë e më shumë edhe prindi, dhe padyshim edhe nxënësi.
Pikërisht, falë kontributit të mësuesve në të gjithë Shqipërinë kemi dhe një ristrukturim të qenësishëm të politikës së Altertekstit. Hartimi i udhëzimit të ri dhe katalogu i ri nuk përfshin rreth 150 tekste të s’kualifikuara nga mësuesit. Përsëri është fare e qartë sesa e paçmuar është qasja ndaj mësuesit si një burim informacioni dhe si një burim këshillimor për të gjithë politikat në sistemin e arsimit. Bashkëpunimi me mësuesit dhe thithja e mendimit të mësuesve nga ana e të gjithëve ju dhe pastaj garantimi i një sistemi ku opinioni i mësuesit është i sigurt si një opinion që filtrohet dhe lexohet ashtu siç duhet, na japin mundësinë që të jemi shumë të inkurajuar sot, sesa vetëm 6 muaj më parë, lidhur me draftin e kornizës kurikulare.
Dëshiroj ta theksoj se është bërë një punë e shkëlqyer nga Ministria edhe nga Ministrja personalisht për të ecur me shpejtësi drejt unifikimit konceptual të sistemit arsimor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Është një proces që besoj, pa dashur që të bëj diferencime, e dallon në gjithë periudhën pas mbledhjes së përbashkët në Prizren Ministrinë e Arsimit si një institucion lider në zbatimin e objektivave të lëna në mbledhjen e përbashkët. Jemi shumë optimist për këtë dhe besojmë që në një kohë shumë të shkurtër do të kemi jo vetëm kornizën e përbashkët, gjë që do të konfirmohet nga Ministrja në ditët në vijim në takimin e saj me homologun e qeverisë së Kosovës, por edhe do të shihet fare mirë nga të gjithë sesa përfitueshmëri të lartë do të ketë ky proces për vetë sistemin tonë arsimor dhe për vetë nxënësit dhe komunitetin e mësuesve në Shqipëri.
Duke mos dashur të zgjatem më tutje, dëshiroj të vë theksin te domosdoshmëria që në këtë fazë përfundimtare të një viti shkollor dhe nga ana tjetër, fazë të parë të një procesi reformimi rrënjësor të sistemit të arsimit në Shqipëri, të arsimit parauniveritar, të rritet maksimalisht vëmendja ndaj çdo komuniteti, duke shkuar me shpejtësi dhe vendosmëri drejt afirmimit të atij trekëndëshi të domosdoshëm për të jetësuar politikën tonë të re në arsim, mes qeverisë dhe gjithë skuadrës drejtuese të arsimit në rang Republike përmes jush, trupës së mësuesve e të nxënësve dhe të komunitetit të prindërve. Është e domosdoshme që të përmirësojmë me shpejtësi të gjithë mekanizmat që bëjnë të mundur bashkërendimin mes këtyre 3 palëve apo faktorëve të pazëvendësueshëm dhe të patjetërsueshëm, pa njërin nga të cilët procesi, padyshim, është shumë i çalë. Edhe fillimi i një sistemi të ri komunikimi me prindërit, përmes informimit në mënyrë sistematike të çdo prindi për ecurinë e çdo fëmije në shkollë, ka nevojë të përmirësohet dhe të sistematizohet, në mënyrë që të jetë në të gjithë Republikën një informacion i standardizuar dhe plotësisht i vlefshëm, qoftë për prindërit, qoftë edhe për gjithë skuadrat drejtuese në nivel qarku apo në nivel zyrash arsimore.
Këto ishin pikat mbi të cilat unë dëshiroj që të hapim këtë takim, duke falënderuar edhe njëherë tjetër skuadrën drejtuese të Ministrisë së Arsimit për punën e shkëlqyer që po bën; duke falënderuar secilën dhe secilin prej jush për përpjekjet dhe rezultatet që në tërësi janë shumë inkurajuese dhe duke kërkuar që të gjithë sëbashku të jemi të vetëdijshëm se ky është vetëm fillimi dhe se puna më e madhe, sigurisht, mbetet për t’u bërë. Sikundër, shenjat inkurajuese të rezultateve të para të një qasjeje të re, bazuar në filozofi të re të qeverisjes së arsimit duhet të na vlejnë për t’u motivuar shumë më tepër që të shmangim një orë e më parë dhe kudo, në gjithë territorin e Shqipërisë, të gjitha ato fenomene negative të trashëguara dhe që vazhdojnë të rëndojnë në sistemin tonë të arsimit parauniveristar dhe që janë sfida jonë më e madhe; për të garantuar që burimet tona njerëzor, ato më cilësoret, të jenë në dispozicion të sistemit dhe për të siguruar që karriera e çdo mësuese dhe mësuesi të jetë e siguruar nëpërmjet rezultateve të matura objektivisht dhe standardeve të performancës që, pa asnjë dyshim, do të shkojnë duke u konsoliduar.