English

Albana Vokshi: Ilir Beqaj "kërcënon" shëndetin publik

Në përgjigje të deklaratës për media më herët gjatë ditës së sotme të Deputetes së Partisë Demokratike, znj. Albana Vokshi, në të cilën, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj akuzohet për modifikimin e kritereve të tenderit në kundërshtim me ligjin, çka sipas pretendimeve fatkeqësisht dashakeqe, i hapka rrugën abuzimeve dhe kërcënon shëndetin publik, duke ndërhyrë në tenderin e barnave për përdorim spitalor për interesa klienteliste, Ministria e Shëndetësisë, bën njoftimin e mëposhtëm:

Së pari, dëshirojmë të bëjmë me dije se znj. Vokshi është, në rastin më të mirë, tërësisht e painformuar apo e keqinformuar në lidhje me nismat dhe projektet që ka ndërmarrë ministria e shëndetësisë për përmirësimin e shëndetit publik dhe sigurimin e furnizimit ritmik me barna dhe gatishmërisë së pajisjeve mjekësore për të përmirësuar sadopak situatën katastrofike që trashëguam nga keqmenaxhimi dhe makutëria e qeverisjes së kaluar në këto tetë vjet.

Kështu, për shembull, është e kotë t’i kujtojmë znj. Vokshi, se përveç situatës mjerane ku e gjetëm shëndetësinë shqiptare, na duhet që të përballemi ende me rekuperimin e dëmeve të keqqeverisjes së kaluar. E gjetëm sistemin shëndetësor, përveç të tjerash, me mbi 40 milionë USD borxhe në formë faturash të pashlyera, një barrë që vazhdon të rëndojë në shpatullat ende të brishta të sistemit të shëndetësisë publike shqiptare. Dhe kjo është një faturë, që pavarësisht se nuk e kemi shkaktuar ne, e kemi marrë përsipër në kuadrin e planit të përgjithshëm të qeverisë për të shlyer edhe borxhet e prapambetura të trashëguara nga keqqeverisja e tetë viteve të shkuara.

Së dyti, Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sqarojë edhe një herë opionin publik se çdo nismë apo projekt që është ndërmarrë në këto shtatë muaj të parë të qeverisjes, ka pasur në qendër të vëmendjes qytetarin, dhe vetëm interesin e qytetarit, duke qenë të vetëdijshëm se do të duheshin përpjekje titanike për shndërrimin e sistemit shëndetësor që trashëguam në mjerim dhe bjerrje të plotë, për shkak të paaftësisë, praktikave abuzive dhe klienteliste.

Kështu, dëshirojmë të ritheksojmë se importi dhe regjistrimi i barnave ka qenë deri para pak kohësh një proces tërësisht i kompromentuar dhe i mbyllur, me një mungesë të theksuar transparence, duke lënë, kështu, shteg për praktika abuzive dhe klienteliste në treg. Interesi i Ministrisë së Shëndetësisë për barnat për përdorim spitalor, ka qenë që, pa cënuar aspak cilësinë dhe efektin që këto barna duhet të kenë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor për pacientët, si dhe me të njëjtën sasi parash të mund të blejë më shumë barna, për t'ja lënë njëherë e përgjithmonë të kaluarës, dukurinë e mungesës kronike të barnave në shërbimet tona spitalore.

Furnzimi i vijueshëm me barna është siguria më e mirë që mund t’i japim qytetarit shqiptar. Dhe në këtë kuadër, është ndërmarrë edhe kjo nismë e fundit për të mundësuar që për barnat për përdorim spitalor, pa cënuar aspak cilësinë dhe efektin që këto barna duhet të kenë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor.

Në listën e miratuar për barna spitalore për vitin 2014, e hartuar në bazë të kërkesave të shërbimeve spitalore universitare, të spitaleve rajonale dhe spitaleve të tjerë, janë më shumë se 50 barna që nuk janë regjistruar në Shqipëri. Dhe kjo është një dukuri normale e plotësimit të nevojave të shërbimit spitalor me barna që ka ndodhur edhe vitet e mëparshme.

Lista spitalore e vitit 2014 përmban 525 barna, përkundrejt 327 që përfshiheshin në listën e vitit 2013 – pra numri i barnave është rritur me 198. Por kjo listë, përmban edhe barna që jaëë të vetëm të regjistruar. Këtë situatë, de facto monopol, ministria e shëndetëtsisë është e vendosur ta hapë drejt konkurencës së ndershme.

Dëshirojmë të bëjmë me dije gjithashtu, se për tre procedurat e para të tenderimit të realizuara deri tani, nëse krahasojmë çmimet e ofertuara në këto procedura me çmimet e kontraktuara në vitin 2013, rezulton një ulje në vlerën prej 84,890,000 lekë (ose 22% më pak se vitit të kaluar).

Prandaj, dëshirojmë të theksojmë se shëndeti për ne nuk është biznes. Ne duam të ofrojmë përkujdesje shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë, jo vetëm për ata që kanë mundësi të paguajnë. Në këtë pikëvështrim, pavarësisht prishjes së disa interesave klienteliste, reforma që kemi ndërmarrë po funksionon dhe qytetarit jo i shërbehet më mirë.

Sigurojmë qytetarët shqiptarë se institucionet përgjegjëse të farmakovigjilencës janë të aftë të garantojnë plotësisht cilësinë edhe efektshmërinë e barnave me të cilat do të furnizohen spitalet për vitin 2014 e në vijim.

KOMENTE