English

Dhoma Kombëtare e Tregtisë, ide e re, për një realitet të ri të sipërmarrësve

Dje është themeluar Dhoma Kombëtare e Tregtisë, një iniciativë kjo e Kryeministrit Edi Rama e mbështetur dhe nga Kryeministri i Kosovës z. Hashim Thaçi.

Marrëveshja e themelimit të saj u nënshkrua, në Kukës, nga presidenti i “Biznes Albania” z. Luan Bregasi dhe kryetari i “Aleancës Kosovare të Bizneseve” z. Agim Shahini, në prani të Kryeministrit Rama, Kryeministrit Thaçi dhe të ftuarve të tjerë.

Duke e vlerësuar themelimin e saj si një ngjarje të shënuar në një ditë të shënuar, Kryeministri Rama theksoi se Dhoma Kombëtare e Tregtisë është një ide e re, për një realitet të ri të sipërmarrësve.

Edhe Presidenti i “Biznes Albania” e cilësoi tepër të rëndësishëm themelimin e Dhomës Kombëtare të Tregtisë, në funksion të krijimit të një mjedisi më të mirë dhe të promovimit të mëtejshëm për sipërmarrjet private. “Kjo është një ditë shumë e bukur për ne sipërmarrësit shqiptar, pasi së bashku me vëllezërit tanë të Kosovës, “Aleancën Kosovare të Bizneseve” dhe me sipërmarrësit nga Mali i Zi, Maqedonia e Presheva celebrojmë themelimin e Dhomës Kombëtare të Tregtisë. Sigurisht, ajo ka gjetur një mjedis shumë të përgatitur, sepse ne sipërmarrësit bashkëpunojmë, por nevojitej edhe një institucion që të krijojë një mjedis më të mirë për sipërmarrjet private, për të na lehtësuar nga barrierat, për të na lehtësuar taksat dhe për të promovuar sipërmarrjen në të dy palët”, - u shpreh Bregasi.



Në fjalën e tij, Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve” z. Agim Shahini përshëndeti këtë iniciativë të dy kryeministrave, tashmë të bërë realitet dhe nënvizoi se themelimi i Dhomës Kombëtare të Tregtisë do të fuqizojë edhe më shumë bizneset shqiptare në të gjitha trevat.

Në përfundim të ceremonisë nga Presidenti i Klubit të Futbollit të Kukësit dhe anëtarë të klubit, Kryeministrave Rama dhe Thaçi j’u dorëzuan fanellat e dedikuara të Klubit të Futbollit të Kukësit.

Themelimi i Dhomës Kombëtare të Tregtisë kulmoi edhe axhendën e aktiviteteve të sotme kushtuar 15 vjetorit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës

KOMENTE