“Nuk e kam të qartë a e keni të pamundur ta kuptoni apo nuk doni ta kuptoni, që gjithçka ju thamë për çështjen e mushkonjave është tërësisht e vërtetë dhe lidhet plotësisht me gjendjen ku ju jeni katandisur. Por, dua të them diçka lidhur me seriozitetin, sepse u ripërsërit këtu lajtmotivi; “Të jemi serioz se kjo është një çështje serioze”.
Besoj, që kjo qeveri është aq serioze sa që, pavarësisht numrave që shumica ka, është këtu në Kuvend çdo të enjte, e plotë në prezencë. E kush mungon, mungon vetëm sepse nuk ndodhet në Shqipëri. Kjo tregon që ne jemi shumë seriozë dhe jemi tërësisht të përkushtuar ndaj opozitës çdo të enjte. Për ne Kuvendi është i opozitës, nuk është i qeverisë. Për këtë arsye jemi këtu që çdo të enjte të përgjigjemi për çfarëdo qoftë ngrihet prej jush, kuptohet ashtu siç e shohim ne.
Nuk kemi absolutisht, çdo ditë tjetër të javës për ju. Ja u tha Ministrja e Mbrojtjes, po jua përsëris dhe unë. Është mirë ta dëgjoni të gjithë. Ne nuk merremi me ju gjatë javës. Ne gjatë javës kemi punët tona të tjera. Puna jonë është të bëjmë detyrat e shumta që kemi. Detyra juaj është që çdo ditë të merreni me ne. Por, harrojeni se ne jemi ata 100 të mençurit që nuk nxjerrin dot gurin që hedh budallai në lumë. Kjo nuk ndodh! E sa herë ju hidhni gurët e budallallëkut tuaj, mos prisni që ne të vijmë pas jush dhe të themi prisni t’u sqarojmë.
Tani, Ministrja e Mbrojtjes foli shumë qartë. Foli edhe më qartë për ata që për shkak të detyrës duhet t’a dinë fare mirë se kush janë kufijtë e një Ministri Mbrojtjeje kur flet publikisht për një çështje të tillë. Por një gjë është e sigurt që vullneti ynë si qeveri për të nxitur hetimin lidhur me këtë akuzë është i plotë. Absolutisht mbi bazën e të gjitha të vërtetave që tha këtu Ministrja e Mbrojtjes, ne jemi shumë të gatshëm që të jemi pjesë e këtij hetimi. Ashtu sikundër nga ana tjetër nuk besoj se ka opozitë në botë, që të jetë kaq qesharake sa që ta ndërtojë të gjithë procesin e komunikimit me qeverinë, si një proces gjëegjëze: Thoni këtu, “keni a s’keni”.
Unë e kuptoj pse. Ministrja e Mbrojtjes e tha. Ne e dimë pse, se e dimë hallin. Ne e dimë kush e ka hallin. Ne e dimë se ai hall mund të çojë deri në pikën, që jo vetëm mushkonjat t’i bësh avionë që ulen e ngrihen mbi Divjakë, por edhe avionët madje t’i bësh të ulen në rrugën Levan -Tepelenë, ku dhe mushka mund të thyejë këmbën, e jo më rrotat e avionëve, ‘për të marrë drogë e për të lënë para’. Tanimë ju ka mbetur vetëm që të thoni se “Nëndetësja 105” fluturon fushë më fushë, mbledh drogë dhe hedh para. Nuk do të çuditem fare sepse jua dimë mirë hallin. Vetëm në një pikë nuk ju vë faj unë juve. Ju jeni absolutisht në të drejtën tuaj që të vini dhe të akuzoni, për sa kohë si të akuzuar, nuk do të jeni përpara prokurorit e përpara drejtësisë për të dhënë llogari se çfarë i keni bërë ushtrisë shqiptare.
Replikë e parë e Kryeministrit Rama në parlament:
Duke dëgjuar që doktorit i shkojnë sms që “çdo natë avionët ulen mbi Divjakë”; Nuk janë avionë, janë mushkonjat që kanë 25 vjet, qysh se doktori mori shtetin në dorë, që nuk i gjëmon më njeri, nuk iu hedh më asnjeri asnjë lloj helmi dhe kështu që janë kthyer si avionë të droguar, që pickojnë vazhdimësisht opozitën sot. Dhe opozita, me drogën që merr nga mushkonjat, vjen këtu e pickuar dhe përpiqet të pickojë opinionin publik. Por është stina e fundit kjo, sepse javën që vjen fillon dezinfektimi për herë të parë pas 25 vjetësh, ku e kthyet kunupin e bëtë aeroplan, si në kohën e atij mbretit tuaj që e keni aq për zemër. Kështu do të mbarojë edhe historia e drogës me bazat ushtarake; edhe historia e mushkonjave që u bënë avionë; edhe historia e pickimeve që juve ju vijnë nga mushkonjat e droguara dhe ju kthejnë në një “mushkonjë” të madhe të droguar këtu në Kuvend, që pickoni përditë opinionin publik me këto lloj marrëzirash.
Replikë e dytë Kryeministrit Rama në parlament:
Të sqarohemi edhe një herë, sepse duhet t’a përsëris, se kur zgjohesh i pickuar nga mushkonja, do kohë ta kapësh veten. SMS –të kanë ardhur pikërisht kur nuk kishte nisur spërkatja dhe mushkonjat u bënë avionë nga mungesa e spërkatjes. Spërkatja fillon javën e ardhshme. Që t’ua sqaroj, ua thashë më parë dhe po ua them prapë; Spërkatja fillon javën e ardhshme. Kjo është një gjë që vërtetë duhet t’a përshëndesni. Se sa ishit ju në pushtet, i hapët rrugën kunupit dhe e bëtë linjë ajrore për drogë. Tani përshëndeteni dhe me këtë rast shpëtoni edhe ju nga fobia që avionë me drogë ulen e ngrihen nga Shqipëria.