Nje nga ekspertët më të njohur në botë për përdorimin e teknologjisë dhe metodave inovatore në përmirësimin e shërbimeve publike, Dominic Campbell, ka mbërritur në Tiranë me kërkesë të PNUD-it.
Ai thotë se vendimmarrja për shërbimet që shteti ofron për komunitetin nuk duhet të jetë më një ekskluzivitet i institucioneve.
“Mënyra më e mirë për të përmirësuar shërbimet publike është të punosh me qytetarët. Të kuptosh se si ata e jetojnë jetën e tyre, cilat janë nevojat apo pritshmëritë që kanë. Shërbimet publike nuk duhet të jenë më thjesht një vendimmarrje ekskluzive që u përket institucioneve publike, qofshin këto qëndrore apo lokale. Janë vetë qytetarët ata që përcaktojnë më mirë se për çfarë shërbimesh kanë nevojë dhe se si duhet të ofrohen këto shërbime”, deklaroi Campbell.
Përfshirja e qytetarëve por edhe përdorimi i internetit jo vetëm që mund t’i përmirësojnë shërbimet që qeveria ofron për publikun, por sipas Campbell do të ulte dhe kostot si për buxhetin ashtu dhe vetë familjet.
“Flasim për shërbime publike me cilësi të mirë, por edhe me më pak kosto për qytetarët dhe buxhetin. Duket si e pamundur, por kjo mund të arrihet. Interneti u ka krijuar qeverive mundësinë për të fuqizuar qytetarët dhe për t’i bërë ata pjesë në vendimmarrjen për shërbimet komunitare. Dhe nëse zbatohet kjo mënyrë e re e vendimmarrjes, kostot ulen. Ka disa vende që po e bëjnë këtë në mënyrë të suksesshme si Britania e Madhe apo Australia. Ajo që nevojitet është thjesht një mënyrë e re të menduari ndryshe, krejtësisht ndryshe në menaxhimin e shërbimeve publike si mbrojtja e fëmijëve, apo dhe menaxhimi i mbetjeve”, nënvizoi Campbell.
I renditur në listën e 50 inovatorëve më të mëdhenj në botë, Campbell ka punuar për shumë vite si konsulent i Bashkisë së Londrës.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri ai do të këshillojë zyrën e PNUD-it se si të ndihmojë qeverinë në përmirësimin e shërbimeve publike, të cilësuara nga Banka Botërore si një nga problemet më të mëdha të qeverisjes në Shqipëri, që prek jo vetëm jetën e përditshme të qytetarëve, por edhe për kostot që i shkaktojnë buxhetit në Shqipëri./TCH/