“Krishti u ngjall, vërtet u ngjall. Me këtë frazë, besimtarët e krishterë kanë pritur datën më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, ngjalljen e Krishtit”.
Besimtarët e krishterë në mbarë botën por edhe në Shqipëri në mesnatë ndoqën meshën e ringjalles së krishtit. Këtë vit festa përkoi në të njëjtën ditë si për besimtarët katolikë ashtu edhe për ata ortodoksë.
Mesazhi i Pashkës në katedralen e Shën Palit në Tiranë u përcoll nga monsinjor Rrok Mirdita në praninë e qindra besimtarëve.
Pas shërbesës së ringjalljes, ku u bë thirrje për paqe dhe shëndet, u zhvillua rituali i pagëzimit.
Edhe në katedralen ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u mbajt mesha e ringjalljes, në praninë e qindra besimtarëve.
E kur akrepat kanë shënuar mesnatën, Flaka e Shenjtë u është shpërndarë të gjithë besimtarëve të pranishëm.
Një tjetër rit i kësaj feste është dhe thyerja e vezëve të kuqe.
Edhe këtë vit, besimtarët janë lutur për më shumë mbarësi e lumturi në familjet e tyre.
Kreu i Shtetit shqiptar, Bujar Nishani u uron “Gëzuar Pashkët” të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe katolike shqiptarë nëpërmjet një mesazhi të bërë publik:
“Të dashur besimtarë ortodokse dhe katolike!
Festa e Pashkëve, duke na forcuar edhe më shumë besimin dhe dëshirën për mirësi, na shtyn të gjithëve, të rigjallërojmë shpresën dhe forcën për të qenë ashtu si na e kërkon vetë dita e shënuar e Pashkëve.
Dita e Ringjalljes na ndihmoftë të gjithëve për të besuar edhe më shumë tek e mira, për të qenë të prirur ndaj bashkëjetesës së harmonishme!
Sivjet ne kemi sfidën e madhe për t’iu afruar edhe më shumë familjes europiane. Kjo sfidë varet më së shumti nga mirëkuptimi që do të jemi të zotë të realizojmë midis nesh dhe nga dëshira për të pasur një vështrim më të kthjelltë mbi të nesërmen.
Të besosh tek e mira, te shpresa, te paqja dhe te jeta më e mirë, është oguri më i natyrshëm në këtë festë. Dhe ne meritojnë edhe shpresën, edhe jetën më të mirë.
Gëzuar Festën e Pashkëve!” – theksohet në mesazhin e urimit të Presidentit Nishani.